“Bobi” sfidon Rubion: Kjo, ndeshja e Teutës

Feb 10, 2012 | 11:57

Sulejman Starova

Drejtori teknik i durrsakëve, Sulejman Starova: Jemi në krye e do të mbetemi.

Spanjolli: Nuk është finale, por shkojmë për fitore.

Teuta-Tirana është në prag, dhe Sulejman Starova nga njëra anë e Hulian Rubio nga ana tjetër janë personat e duhur që “nxehin”  paraprakisht këtë përballje. Përpos forcës së kundërshtarit, Starova ruan një optimizëm të pashoq, duke dhënë argumentet e tij se përse kjo Teutë do të fitojë sërish. “Kemi luajtur pesë takime miqësore në Antalia, prej të cilave kemi përfituar shumë. Shtatë nga futbollistët tanë, prej disa ditësh ishin në një asistencë profesionale nga tekniku i Kombëtares De Biazi. Pjesa tjetër iu nënshtrua stërvitjes intensive për të fituar gjendjen maksimale. Pra, kjo Teutë e mirëpërgatitur është bërë enkas e tillë për t’i kaluar me sukses përballjet e nivelit të Tiranës, Skënderbeut, Flamurtarit dhe kundërshtarëve të tjerë, të cilët ndaj Teutës do të bëjnë rezistencë. Prandaj edhe ruaj optimizëm në fitore. Djemtë mezi e presin takimin për të realizuar një derbi cilësor dhe me një edukatë sportive model. Të gjithë ne, si në kohën kur luanim, edhe tani që drejtojmë, kurrë nuk e kemi kërkuar fitoren apo pikët në mënyrë të pamerituar, duke i treguar kundërshtarit muskujt. Futbolli luhet me rregulla, të cilat ne duhet t’i respektojmë”, komenton Starova. Ndërkohë, në kahun tjetër nuk e diskuton në mënyrë absolute humbjen, por edhe nëse ndodh një gjë e tillë, për të nuk është fundi i botës. Ky është Hulian Rubio, i cili flet me nota sa optimiste, aq edhe pesimiste. Titullin nuk dëshiron ta përmendë në asnjë moment, pasi për të arritur deri atje, rruga është më shumë se e gjatë. Trajneri kërkon vetëm që Tirana e tij të fitojë sot në “Niko Dovana” dhe të afrohet më pranë kreut, pozicion që mbahet nga rivalët durrsakë. “Mendoj se ndeshjet duhet t’i luajmë duke i lënë mënjanë statistikat, pasi ato nuk vendosin në fushë. Gjithçka do të ndodhë në fushë, pra vendoset vetëm në ato 90 minuta. Kujtojmë që ata fituan gjatë fazës së parë jo me shumë meritë dhe askush nuk tha asgjë. Ndërsa ne shkojmë atje me iluzion, dëshirë, vullnet, por edhe me objektiva të qartë, me virtytet dhe gabimet tona. Nëse Tirana e humbet, del nga objektivi i titullit? Absolutisht jo. Në Spanjë, Reali me Barcelonën kanë 7 pikë diferencë dhe askush nuk e ka quajtur të mbyllur çështjen e titullit. Ndërsa ne jemi vetëm 5 pikë më pak ndaj tyre dhe s’kemi pse të dorëzohemi. E rëndësishme është që nesër (sot) luhet ndeshja e parë e fazës së dytë, dhe në lojë janë 12 javë të tjera. Nëse do të kishim fituar në Kamzë apo Peqin do të ishim në të njëjtin nivel si durrsakët. Mendoj se titujt nuk premtohen, por arrihen ose jo. Kjo është filozofia ime, duhet të ecim më “këmbë në tokë”. Madje, ai që flet shumë, merr edhe shumë shuplaka në këtë sport. Për titullin kurrë s’kam folur, pasi unë gjithnjë flas për ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Rubio.

Formacionet
TEUTA (4-3-1-2): Rizvani, Stafa, Sheta, Osmani, Jakupi, Hyshmeri, Veliaj, A.Hoxha, Dosti, Nika, Çota.
Trajner: Hasan Lika
TIRANA (4-1-4-1): I.Lika, Sina, Dabulla, Dushku, Ahmataj, Karabeci, Aziri, Taku, Ferraj, G.Lika, Bala.
Trajner: Hulian Rubio

Superiore/ Java 14
Sot

Laçi-Vllaznia    14:00
Teuta-Tirana        17:00
Nesër
Kamza-Flamurtari    14:00
Shkumbini-Bylisi    14:00
Të dielën
Tomori-Skënderbeu13:00
Pogradeci-Kastrioti    14:00
Të hënën
Dinamo-Apolonia    14:00

Renditja
Nr. Ekipi        ND    F    B    H    P

1. Teuta          13     10     2     1     32
2. Tirana         13     8     3     2     27
3. Skënderbeu    13     7     5     1     26
4. Kastrioti    13     7     2     4     23
5. Flamurtari     13     6     4     3     22
6. Bylisi         13     5     3     5     18
7. Shkumbini    13     5     3     5     18
8. Vllaznia     13     5     2     6     17
9. Kamza         13     4     2     7     14
10. Pogradeci     13     5     1     7     13
11. Laçi         13     4     5     4     11
12. Tomori    13     3     2     8     11
13. Apolonia     13     2     2     9     8
14. Dinamo    13     0     4     9     1

SHËNIM: Laçi, minus 6 pikë (dënuar nga Disiplina). Pogradeci, minus 3 pikë (dënuar nga Disiplina). Dinamo, minus 3 pikë (dënuar nga FIFA).

© Panorama.al

Te lidhura