
Interi “groposet” në Romë, zikaltrit marrin leksione futbolli në transfertë
Kryesuesit barazojnë në shtëpi, suedezi del me karton të kuq.
Juventus ka barazuar pa gola në shtëpi me Sienën, por nuk ka përfituar nga ana tjetër Milani, skuadër kjo që barazoi me 10 lojtarë me Napolin. Ibrahimoviç doli me karton të kuq, ndërsa në Romë, Interi u turpërua nga skuadra e Luis Enrikes. Juventusit i ka ikur nga duart një mundësi e artë për të thelluar diferencën me Milanin, që ngelet sërish një pikë para. Bardhezinjtë vazhdojnë rekordin prej 21 ndeshjesh pa humbur, por nuk kanë shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Sienës në “Juventus Stadium”. Miqtë mbrohen për 90 minuta dhe strategjia e tyre rezulton e suksesshme, pasi arrijnë t’u marrin kryesuesve një pikë të rëndësishme në rezultatin 0-0. Në fund një penallti e mohuar, që Juventusit i kushtoi shumë. Djemtë e Antonio Kontes kanë sulmuar me hope duke mos i marrë shumë seriozisht modestët nga Siena. Pjesa e parë është e bukur për ata që pëlqejnë një futboll taktik, por jo e pëlqyeshme për ata që duan të shikojnë gola ose raste për të shënuar. Siena u mbyll çdo hapësirë vendësve me teknikun Xhuzepe Sanino, i cili e ka kthyer ekipin e tij në një fortesë të vërtetë. Në pjesën e dytë, Konte mundohet të ndryshojë diçka, por Siena nuk tërhiqet asnjë centimetër. Ndërsa prish punë edhe arbitri i takimit, i cili u mohon një penallti torinezëve, pavarësisht se duket qartazi prekja e topit me dorë nga ana e Vergasolas në krosin e Kielinit. Ndërsa nga ana tjetër nuk përfitoi Milani. Pas humbjes me Lacion, Milani ndalet sërish dhe barazon 0-0 me Napolin në “San Siro”, duke marrë kështu një pikë. Kjo pikë mund të konsiderohet e vyer, meqenëse kuqezinjtë i kanë luajtur 25 minutat e fundit me dhjetë lojtarë, pas përjashtimit me karton të kuq të Ibrahimoviç nga fusha. Milani ka shpërdoruar disa raste për gol me Robinjon, por nga ana tjetër duhet të falënderojnë Kavanin për gabimet e tij, si ajo gjuajtje në minutën e 93′, e cila ka përfunduar në duart e Amelias. Pjesa e parë ishte e barabartë për të dyja skuadrat, por me raste më pikante për Milanin. Pjesa e dytë nis me Amelian në vend të Abiatit (ky i fundit ka braktisur fushën për tërheqje muskulore). Por, me të nisur takimi, Robinjo bën të gjithë tifozët e Milanit me zemër, pasi kontrollon mirë asistin e Ibrahimoviç, braziliani nuk dërgon dot topin në rrjetë, edhe pse ishte i vetëm përballë De Sanktis. Gjesti tragjik galvanizon Napolin, që shkon pranë golit me Hamshik dhe Zunigën. Gjithsesi, Milani merr në dorë administrimin e takimit dhe nis gjuetinë ndaj golit. Rastin më kryevepër për gol nga kuqezinjtë e ka Ibra, i cili kontrollon topin me gjoks, e godet atë në cepin e portës, por De Sanktis bën mrekullinë. Në minutën e 63-të, pas një rrëmuje në zonë, Zuniga mbetet i shtrirë për tokë. Gjatë kësaj rrëmuje ndëshkohet me karton të verdhë për protesta portieri De Sanktis, ndërkohë suedezi përjashtohet nga fusha, meqenëse ka goditur me shuplakë Aronikën. Arbitri anësor i sinjalizon gjestin e sulmuesit kuqezi arbitrit kryesor, tani Ibrahimoviç rrezikon të mos luajë për tri ndeshje. Ky është përjashtimi i pestë nga fusha me karton të kuq për suedezin në Itali. Pa Ibrën dhe të demoralizuar në maksimum, kuqezinjtë rrezikojnë të pësojnë gol, por në fund dalin me një pikë. Akoma më keq ka shkuar dje për Interin. Zikaltrit u turpëruan nga Roma në shifrat 4-0. Por rezultati nuk është gjithçka dhe, mbi të gjitha, nuk tregon gjithçka. Ndeshja tregon një skuadër që zotëron gjysmëfushën rivale dhe një tjetër që mbyllet në zonë, duke tentuar që ta mbrojë portën. Nga njëra anë Toti frymëzon Lamelën dhe Borinin, ndërsa nga ana tjetër Milito dhe Pacini shohin mesfushorin më të afërt 20 metra larg tyre. Roma rikthehet pas ndalesave me Bolonjën dhe Kaljarin, ndërsa Interi përfundon ndeshjen e tretë pa fitore: 2 humbje dhe barazimi 4-4 me Palermon. Të dyja skuadrat mbeten në garë për vendin e tretë, por pas përballjes direkte duket më e lehtë të vësh bast për Romën.
© Panorama.alSerie A
Xhenoa-Lacio 3-2
Shënues: Palacio 10′, Jankoviç 25′, 46’/ Ledesma 54′ (p), Gonzalez 90′
Milan-Napoli 0-0
Roma-Inter 4-0
Shënues: Juan 13′, Borini 41′, 49′, Krkiç 89′
Juventus-Siena 0-0
Kievo-Parma 1-2
Shënues: Tero 50’/ Xhiovinko 47′, Lusiano 69′ (autg)
Novara-Kaljari 0-0
Fiorentina-Udinese 3-2
Shënues: Jovetiç 39′ (p), 84′ (p), Kasani 56’/ Di Natale 14′, Torje 90′
Leçe-Bolonja 0-0
Palermo-Atalanta 2-1
Shënues: Mikoli 29′ (p), Budan 49’/ Moralez 56′
Çesena-Katania (u shty)Renditja
Nr. Ekipi P ND
1. Juventus 45 21
2. Milan 44 22
3. Udinese 41 22
4. Lazio 39 22
5. Inter 36 22
6. Roma 34 21
7. Napoli 31 22
8. Palermo 31 22
9. Xhenoa 30 21
10. Fiorentina 28 21
11. Parma 27 21
12. Kaljari 27 22
13. Kievo 27 22
14. Katania 23 19
15. Atalanta 23 21
16. Bolonja 22 21
17. Siena 20 21
18. Leçe 17 22
19. Çesena 16 21
20. Novara 13 22











