Bllokohet skafi me 1 ton drogë

Jul 23, 2012 | 11:35
Skafi me drogë i bllokuar dje nga Policia greke

Policia greke bllokon një ton marijuanë në skafin që i shpëtoi palës shqiptare. Sasia e madhe e lëndës narkotike u kap pas ndjekjes së mjetit lundrues në ujërat e detit Jon, e cila më pas u braktis në breg nga trafikantët. Droga dyshohet se ishte marrë në brigjet shqiptare, pranë Lukovës, për t’u trafikuar në shtetin fqinj. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, mjeti lundrues, me gjatësi rreth 12 metra, u pikas nga radarët e Qendrës Operacionale Ndërinstitucionale Detare me qendër në Durrës, rreth orës 22:20 të së shtunës në afërsi të gjirit të Bunecit. Policia kufitare organizoi punën për kapjen e mjetit, i cili kishte të instaluar 2 motorë me nga 350 kuaj fuqi secili. Me gjithë ndjekjen e mjeteve të kufirit, nuk është arritur të bëhet ndalimi i tij, çka detyroi Policinë e Shtetit të vinte menjëherë në dijeni autoritetet policore italiane dhe greke. Mjetet e Guardia di Finanza, si dhe avionë të Frontex, kanë zhvilluar në afërsi të mesnatës operacionin për kapjen e skafit të dyshuar se po transportonte drogë. Drejtuesit e tij kanë arritur që të depërtojnë në ujërat territoriale greke, çka ka futur në lojë kufitarët helenë. Këta të fundit e kanë pikasur skafin në jug të Korfuzit. Thirrjes së Policisë greke për të ndaluar, mjeti që drejtohej nga dy persona, nuk i është bindur, por ka shtuar shpejtësinë dhe është futur në gjirin e Avisos të ishullit Kefalonia. Gjatë ndjekjes, njëri nga trafikantët ka hedhur disa pako me drogë. Në plazhin Lygia të Kefalonias, trafikantët kanë braktisur mjetin në breg dhe janë larguar më këmbë për në brendësi të ishullit. Një dëshmitar okular, sipas mediave greke, i tha Policisë se nga skafi zbritën dy persona që u larguan me vrap në drejtim të vilave të ishullit. Policia greke ka nisur një operacion të gjerë në ishullin Kefalonia dhe shprehet se kapja e trafikantëve është çështje orësh. Nuk bëhet ende e ditur nëse ata janë shqiptarë apo grekë, ndërkohë që është vërtetuar se skafi është regjistruar në Greqi dhe mendohet se ka ardhur në Shqipëri për të tërhequr drogën. Policia identifikoi dhe arrestoi pronarin e mjetit, shtetas grek, ndërsa bëri të ditur se bllokoi 1 ton marijuanë. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Policia e Shtetit pohoi mbrëmë se operacioni u finalizua falë ndërhyrjes dhe bashkëpunimit të shpejtë mes policive të tre shteteve fqinje për goditjen e trafikut. Në fakt, vetëm javën e kaluar, kanali i Korfuzit nxori 220 kg hashash në tri raste, të cilat u gjetën në det, të dyshuara se ishin hedhur ose shkëputur nga mjetet me të cilat trafikohej lënda narkotike. Dy prej tyre u zbuluan në jug të Korfuzit e një në veri të ishullit dhe mendohet se ishin nisur nga Shqipëria. Që nga fillimi i vitit, Policia e Korfuzit, Igumenicës dhe Patrës kanë kapur 7.3 tonë hashash, të nisur nga Saranda. Nga këto raste, 5 tonë janë transportuar me gomone.

SHPRESA DINE

© Panorama.al

Te lidhura