
PD dhe PS nuk bien dakord për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë që kandidojnë në zgjedhje
Gjiknuri: Ka ngecje për kandidimin e zyrtarëve të lartë.
Pas konsensusit të arritur rreth tri javë më parë me kapitullin e financimit të partive, demokratët dhe socialistët kanë ngecur në regjistrimin e kandidatëve. Një javë më parë, në mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, u arrit të që kaloheshin vetëm disa prej neneve të këtij kapitulli, ndërkohë që janë dy pikat ku forcat e mëdha politike nuk bien dakord me njëra-tjetrën. Njëra prej tyre është ajo e regjistrimit të kandidatëve. Partia Socialiste kërkon që të gjithë drejtorët që do të jenë kandidatë në zgjedhjet e ardhshme duhet të japin dorëheqjen nga detyra, si një masë për të mos përdorur burimet e administratës. Këtë e konfirmoi dje edhe bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri. “Ka pasur ngecje në disa çështje që kanë të bëjnë me kandidimin e zyrtarëve të lartë, gjë që kërkohet nga Kushtetuta dhe ka qenë një nga problematikat e keqpërdorimit të burimeve shtetërore për zgjedhje. Jemi duke shqyrtuar kapitullin për fushatën zgjedhore, ku një vend të veçantë zënë dhe reklamat qeveritare, që dhe ato kërkojnë një kufizim”, u shpreh Gjiknuri. Në mbledhjen e fundit të Komisionit iu la detyrë ekspertëve të PD-së dhe PS-së që të shqyrtojnë legjislacionin e vendeve të tjera të BE-së si dhe të konsultohen me ligjin e Shërbimit Civil nëse aty parashikohet dhënia e dorëheqjes në rast kandidimi. Argumenti i demokratëve është që nëse do të vendoset dhënia e dorëheqjes për drejtorin e Përgjithshëm të një institucioni, e njëjta praktikë të ndodhë edhe për pushtetin vendor. Sa i takon sistemit zgjedhor, bashkëkryetari socialist për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se “sistemi është një çështje që mbetet e hapur për t’u parë. Por e kam thënë, kërkohet një konsensus i gjerë brenda tryezës së reformës, po dhe partitë jashtë reformës”. Pika e dytë ku maxhoranca dhe opozita nuk bien dakord është përbërja e listës së kandidatëve në një qark të caktuar. Sipas PS-së, një qark që nxjerr katër deputetë, duhet të ketë katër kandidatë, ndërkohë që nga ana e saj, maxhoranca kërkon një listë të hapur me një numër më të madh kandidatësh.
Të vegjlit
Ndër nenet që PD-ja dhe PS-ja ranë dakord në mbledhjen e fundit të Komisionit, ishte ndalimi i kandidimit të kryetarëve të partive të vogla në më shumë se një qark. Kjo shihet nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si një përpjekje tjetër e të mëdhenjve për të nxjerrë jashtë të vegjlit. “Ka të bëjë gjithmonë me një koncept për të shmangur çdo lloj mundësie të përfaqësimit në Kuvend të partive. Pa dyshim, nxirret në pretekst OSBE/ODIHR-i. Shtrembërimet që mban në thelb vetë mënyra e formulës së përllogaritjes së mandateve të deputetëve apo dhe organizimet e funksionimit të fushatës zgjedhore janë probleme të mëdha që duhen konsideruar dhe për fatin e keq nuk ka vullnet për ta konsideruar atë”, u shpreh Mediu. Sipas tij, “mendoj që ka ardhur një moment që subjektet politike, sidomos partitë që janë pjesë e reformës zgjedhore jashtë PD dhe PS, duhet të marrin qëndrimet e tyre se ç’duhet të bëjnë. Absolutisht nuk mendoj që duhet të jemi fasadë”.
© Panorama.alNdryshimet në Kod
. Nuk mund të regjistrohen si kandidatë, pa hequr dorë nga detyra, nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues, drejtuesit e institucioneve qendrore dhe enteve publike që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe zyrtarët e tjerë, të cilëve u ndalohet me ligj aktiviteti politik gjatë ushtrimit të detyrës. Për nëpunësit e tjerë civilë zbatohet masa e pezullimit nga detyra, sipas ligjit.. Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.











