
Ligji i Gjykatës së Lartë, një nga dy draftet e planit të veprimit për t’u miratuar brenda 6 gushtit, dështon që në nisje të tij. Komisioni i Ligjeve nuk arriti dje të diskutojë propozimet e ardhura nga qeveria dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund ta bëjë këtë gjë brenda kësaj jave. Nënkryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, tha në mbledhjen e djeshme se opozita kërkon kohë të njihet me amendamentet si dhe kërkon një seancë dëgjimore me kryetaren e Gjykatës së Lartë për këtë nismë të Ekzekutivit. “Ne kërkojmë ta ndërpresim këtu seancën dhe pasi dëgjuam ministrin dhe relatoren, na duhet koha e nevojshme për ta studiuar, për të bërë pyetjet dhe debatin në Komision. Jam i keqardhur nga deklaratat publike të kryetares së Gjykatës së Lartë, e cila deklaroi se nuk i ishte marrë mendim për këtë projekt. Ne duam që të kemi në dispozicion materialet e konferencës që u bë për Gjykatën e Lartë”, u shpreh Xhafaj. Por, kërkesa për të thirrur në seancë kryetaren e Gjykatës së Lartë duket se mban pezull punën. Në rendin e ditës për sot është planifikuar diskutimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore, çka do të thotë se Komisioni nuk arriti të fiksojë një seancë mëngjesin e sotëm me kryetaren Shpresa Beçaj, ashtu siç deklaroi Rusmali. Kryetari i Ligjeve tha se qëndrimi i opozitës është një justifikim për të shtyrë diskutimin në sesionin e ardhshëm e, për pasojë, për të mos marrë statusin e vendit kandidat. “Mund të ndodhë që gojët e liga të thonë se moment i përshtatshëm është pasi KE të vendosë për t’i dhënë apo jo ftesën Shqipërisë, për shembull mund të jetë pas muajit shtator. Nëse do të ishte ky moment i përshtatshëm, unë s’do të pajtohesha dot sepse për të gjithë shqiptarët do të ishte e papërshtatshme”, deklaro Rusmali.
Propozimet
Në mbledhjen e djeshme, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, zbuloi edhe faktin se nga propozimet që bëri kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, për ligjin e kësaj gjykate, nuk u morën parasysh tri prej tyre: rritja e rrogës së anëtarëve të Gjykatës e, për rrjedhojë, ajo e kryetarit; detyrimin e Presidentit për të marrë mendimin e kryetares për dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë që shkojnë në Parlament dhe caktimin e pagës së ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë kur ai lë detyrën.
Debatet në Komision
Fatmir Xhafaj: Projektligji i paraqitur është i rëndësishëm sepse është kërkuar në vite. Drafti duhet të ketë gjithë vëmendjen e merituar për të pasur një produkt sa më cilësor, dhe jo për të bërë adetin e radhës. Ne kërkojmë ta ndërpresim këtu seancën dhe pasi dëgjuam ministrin dhe relatoren, na duhet koha e nevojshme për ta studiuar, për të bërë pyetjet dhe debatin në Komision. Jam i keqardhur nga deklaratat publike të kryetares së Gjykatës së Lartë, e cila deklaroi se nuk i ishte marrë mendim për këtë projekt.
Ilir Rusmali: Që unë të heq qafe të gjitha spekulimet, kam nevojë ta di sa na zgjat koha e nevojshme dhe kur është ky moment i përshtatshëm. Mund të ndodhë që gojët e liga të thonë se moment i përshtatshëm është pasi KE të vendosë për t’i dhënë apo jo ftesën Shqipërisë, për shembull mund të jetë pas muajit shtator. Nëse do të ishte ky moment i përshtatshëm, unë s’do të pajtohesha dot sepse për të gjithë shqiptarët do të ishte e papërshtatshme. Mos vallë moment i përshtatshëm është diku pas janarit 2013, kur duhet të fillojë veprimin ligji për Gjykatën Administrative dhe ky projektligj është kusht për fillimin e veprimit të Gjykatës Administrative?
Fatmir Xhafaj: Isha i bindur që kjo do të ishte apologjia juaj e radhës, sepse ju, kur s’ka vend, nuk rrini pa e bërë një gjë të tillë, jo më kur ua kërkojnë këtë gjë.
Ilir Rusmali: Ishte koha e përshtatshme.
Fatmir Xhafaj: A mund të flas, se nuk të ndërpreva? Në qoftë se do të kishim një moment të përshtatshëm në konceptin tuaj të pafund të kohë, nuk do të kishim pranuar që kjo të futej jashtë procedure. Ne kemi rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve dhe do të mjaftonte kjo për të kuptuar që e gjitha ajo që thatë ishte boshe. Nëse do të kishim interes për ta shtyrë jo me gojën e ligë, por me mendjen e ligë, do të thoshim zbato procedurën. Ju jeni në kohë të papërshtatshme, se po të hapni 12 rekomandimet dhe planin e veprimit, ligji duhet të kishte kohë që të ishte në tryezë, dhe ju jeni jashtë afatit.
Ilir Rusmali: Unë kërkova të më thoni kur është koha e nevojshme. Gjërat që kërkoni pas një ore i keni gati? Seanca tjetër, kur të zhvillohet, kur ta bëjmë seancën dëgjimore me institucionet që kërkoni ju?
Fatmir Xhafaj: Të marrim një herë materialet. Na jep materialet, pastaj të themi.
Ilir Rusmali: Sepse përndryshe insinuatat që ju thonë shqiptarët bëhen shpejt realitet. Përndryshe ky sesion mbyllet dhe ju e keni vrarë këtë kohë, pastaj vrisni rehat në vapë pushimet, pastaj vrisni edhe shtatorin me ca debate të kota dhe bën vaki vrisni dhe Vitin e Ri me faktin se keni nevojë të lexoni, se s’keni pasur kohë. Po kërkoni kohë për të vrarë për një projektligj që është kërkesa juaj. Unë dua të davaris rrezikun se mos thonë që “ore këta të maxhorancës vërtet janë kaq naivë?”. E kuptojmë fare mirë taktikën, zoti Xhafaj, e kuptojmë, mor vëlla. Do kohë për të bërë fresk.
Ilir Rusmali: Vetëm, ju lutem për një gjë, dhe këtë e them publikisht: mos i fikni celularët dhe pastaj thoni s’morëm njoftim.
Shega Ligori: Për ty? Me gjithë këtë nxitim e bëtë si petullat me vaj. Edhe nxitimin e kritikon BE-ja.
Fatmir Xhafaj: Ne kemi kaluar ligje me 3/5 pa sharë dhe pa fyer. Juve ju rroftë kodi i etikës që po bëni. Ultimatumet me orare dhe minuta vendosini në shtëpinë tuaj politike, por jo në këtë tavolinë që s’punon me ultimatum dhe as të mos ju shkojë nëpër mend. Për një orë do të jemi këtu dhe do kontrollojmë kutitë.
Fatos Hoxha: Shega, se mos fik telefonin!
Shega Ligori: Unë? Për zotin Rusmali? E mbaj gjithë kohën hapur.
Propozimet e Gjykatës së Lartë
Neni 3
Para nxjerrjes së dekretit të emërimit, Presidenti merr mendimin paraprak të kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe ministrit të Drejtësisë.
Neni 22
Paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është 10 për qind më e lartë se paga e ministrit, ndërsa ajo e kryetarit të Gjykatës së Lartë, 20 për qind më e lartë se paga e gjyqtarit të kësaj gjykate.
Neni 25
Me plotësimin e mandatit sipas kushteve të parashikuara në nenin 136, pika 3 e Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, me kërkesën e tij, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Emërimi bëhet edhe në rast se në Gjykatën e Apelit nuk ka vende vakante apo vendi vakant është shpallur dhe për të janë paraqitur konkurrues të tjerë. Ky rregull ka përparësi ndaj çdo akti ligjor apo nënligjor që përcakton numrin e gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit. Kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë shqyrtohet në mbledhjen më të afërt të KLD-së dhe kandidatura e tij përjashtohet nga çdo lloj testimi profesional. Gjatë ushtrimit të detyrës në Gjykatën e Apelit, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë përfiton pagën e anëtarit të Gjykatës të Lartë.
Materiali i EURALIUS
Në materialin e EURALIUS-it për konferencën për Gjykatën e Lartë thuhet: “Sipas znj. Beçaj, vendet vakante në Gjykatën e Lartë që në vitin 2008 mbeten problem. Nëse do të ishin plotësuar vendet vakante që në momentin që janë krijuar, atëherë numri i madh i çështjeve do të ishte pakësuar. Znj. Beçaj e mbylli fjalën e saj duke thënë që ka shumë çështje për të cilat avokatët kanë paraqitur rekurs, i cili ka mangësi në arsyetim ligjor”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











