Bllokohet Komisioni për Rregulloren

Feb 25, 2012 | 13:42

Maxhoranca akuzon opozitën për bllokim të qëllimshëm të reformës parlamentare, përgjigjet deputeti i PS.

Gjana: PS, me sjellje provokuese. Dokle: Berisha nuk ka vullnet.

Maxhoranca akuzoi dje opozitën se po bllokon në mënyrë të qëllimshme reformën parlamentare. Deputeti demokrat, anëtar i Komisionit të posaçëm për reformën parlamentare, tha dje gjatë një deklarate nga Kryesia e Kuvendit se veprimet e PS-së për këtë reformë synojnë bllokimin e punës. “Jam këtu për t’iu përgjigjur sjelljeve provokuese, me qëllim dhe prapavijë bllokimin e punës në grupin e punës të reformës parlamentare, nga kolegët përfaqësues të opozitës në këtë grup pune. Provokime me natyrë bllokuese, të cilat vijnë si rezultat i risjelljes në tryezë të grupit të punës, të amendamenteve të propozuara prej tyre, që në shtatorin e vitit të shkuar”, u shpreh Gjana. Sipas tij, propozimet që shfaqin socialistët, kryesisht mediatikisht, bien në kundërshtim me Kushtetutën. “Marrëveshja e nëntorit për reformën parlamentare ka pasur dakordësinë se nuk mund të ketë amendamente të cilat vijnë dhe janë në thyerje të Kushtetutës së vendit. Nuk mund të ketë amendamente, të cilat janë në thyerje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, s’mund të ketë amendamente të cilat nuk janë në koherencë vetëm me një rregullore, dhe ajo është Rregullorja e Parlamentit Europian”, u shpreh Gjana. Deputeti demokrat ka hedhur poshtë si të pabazuara në Kushtetutë propozimet e socialistëve sa i takon statusit të deputetit në sallën e Parlamentit, por dhe kohën e diskutimit të Kryeministrit dhe deputetëve.
Socialistët
Anëtari socialist i Komisionit për Reformën Parlamentare, Namik Dokle, e konsideroi të qëllimshme nga ana e PD-së fokusimin e debatit për reformën parlamentare. I pyetur nga gazeta “Panorama”, Dokle tha se maxhoranca po reflekton mungesën e vullnetit politik të Kryeministrit Berisha, i cili kërkon të shfokusojë vëmendjen e opinionit publik nga reforma zgjedhore. “Nuk habitem aspak për këtë deklaratë të zotit Gjana, pas sulmit që bëri Kryeministri Berisha në Kuvend për reformën parlamentare. Ajo çka na ka shqetësuar është mungesa e vullnetit politik për të vazhduar më tej, gjë që nuk vjen nga dy anëtarët e PD-së në Komisionin për Reformën Parlamentare, zoti Gjana dhe Gumi, të cilët kanë qenë shumë të preokupuar për të vazhduar punën tonë. Mungesa e vullnetit vjen nga kreu i maxhorancës, pasi 10 minuta para seancës me zotin Gjana unë kam rënë dakord se si do të ecim më tej me mbledhjen e radhës që vendosëm ta zhvillojmë të hënën. E gjithë kjo zhurmë për reformën parlamentare bëhet qëllimisht për të tërhequr vëmendjen nga reforma zgjedhore”, u shpreh Dokle.
Për deputetin socialist, asnjë nga propozimet e bëra nga selia rozë nuk bie ndesh me Kushtetutën. “Propozimet tona i kemi bërë para disa muajsh dhe kanë qenë në programin e Komisionit të Ligjeve kur u bë marrëveshja për reformën zgjedhore, ligjet me 3/5 dhe Avokatin e Popullit. Nisma jonë për Rregulloren u përfshi dhe në reformën parlamentare, ku do diskutohen dhe elementë të buxhetimit të parlamentarit dhe statusit të tij. Asgjë nuk është në shkelje të Kushtetutës, sepse me të vërtetë u jep të drejtë Kryeministrit dhe ministrave të flasin siç u jep dhe deputetëve, por koha përcaktohet në Rregullore”, u shpreh Dokle.

Jemin Gjana
“Provokohet qëllimshëm duke sjellë amendamente që marrin në mbrojtje dhe nuk lejojnë penalizmin për ata deputetë që zaptojnë në mënyrë të dhunshme foltoren e Kuvendit; Propozohet thjesht për të bllokuar diskutimet, rivendosja në rendin e ditës të çdo seance plenare, në fillim të saj, diskutimi i lirë 60-minutësh; Provokohet duke sjellë e risjellë propozimin edhe amendimin që Kryeministrit dhe ministrave t’iu kufizohet koha e diskutimit në Kuvend”, u shpreh Gjana.

Namik Dokle
“S’është normale që Kryeministri të flasë në Parlament sa Fidel Kastro. S’ka Parlament në botë që kur flet Kryeministri të mos i përgjigjet kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës. Një nga pikat e kontestueshme është votimi i fshehtë që është hequr pa vullnetin e opozitës. Rregullorja e Parlamentit është ndryshuar në 2004 me konsensus. Ne kërkojmë që t’i rregullojmë këto ndryshime me konsensusin tonë”, u shpreh deputeti socialist, Namik Dokle

Raporti i KQZ, PS kërcënon Ristanin: Do dënohesh me burg!

Kreu i KQZ, Ristani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar me 4 vota pro dhe 2 kundër raportin vjetor të punës që do t’i dorëzohet Kuvendit për zgjedhjet e 8 majit. Roli i KQZ-së në zgjedhje lokale, veçanërisht gara në Tiranë, ka ngjallur debate midis anëtarëve të KQZ-së, pasi përfaqësi ligjor i Partisë Socialiste, Eridjan Salianji, është shprehur kundër raportit të hartuar nga administrata. Sipas opozitës, raporti është një paçavure e që nuk tregon të vërtetën. Juristi i PS-së ka kërcënuar kryetarin e KQZ-së, Ristanin, se në rast se do të provojë të manipulojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, atëherë do të rrezikojë dënimin me 8 vite burg. “Janë kryer shkelje flagrante të ligjeve në zgjedhjet e shkuara, dhe sipas ndryshimeve të pritshme të Kodit Zgjedhor, nëse i përsërisni rrezikoni deri në 8 vite burg”, theksoi përfaqësuesi ligjor i PS-së. Ndërkaq, kryetari i KQZ-së theksoi se në çdo rast është zbatuar ligji, dhe vendimi për të numëruar në Tiranë fletët e hedhura në kutitë e gabuara është vlerësuar nga raporti i OSBE/ODIHR-it dhe Komisioni i Venecias. Ristani akuzoi 3 anëtarët e opozitës se kanë munguar 3 muaj në mbledhjet e KQZ-së me urdhër politik nga Partia Socialiste. Sipas tij, 3 anëtarët u paraqitën në mbledhje vetëm për të miratuar buxhetin. “Keni ardhur në mbledhjen e KQZ-së me këtë kryetar që doni sot ta shani në raport dhe keni kërkuar vetëm një gjë, lek për udhëtime dhe rrugë jashtë Shqipërisë”, theksoi Arben Ristani.           Fa.Bi

Debatet në KQZ
Eridjan Salianji:
Tërhiqeni këtë raport pasi është një paçavure që nuk thotë të vërtetën. Zoti Ristani, duhet të thuash në raport që ju ka urdhëruar PD-ja të hapni kutitë në Njësinë 10. Janë kryer shkelje flagrante të ligjeve në zgjedhjet e shkuara, dhe sipas ndryshimeve të pritshme të Kodit Zgjedhor, nëse i përsërisni rrezikoni deri në 8 vite burg.
Arben Ristani: Si e do raportin ti Eridjan? Na e thuaj dhe e bëjmë si ta duash ti?
Njazi Kosovrasti: Në raport duhet të shkruhet edhe mungesa e 3 anëtarëve, dhe propozoj që të vendoset me emër dhe mbiemër mungesa e tre anëtarëve të KQZ-së që bojkotuan punën për tre muaj e që shkelën ligjin.
Pandeli Varfi: Në raport duhet theksuar dhe politizimi i administratës dhe kundërvënia ndaj përfaqësuesve të opozitës. Propozimet për Komisionin e Reformës Zgjedhore nuk janë konsultuar me ne. Nuk kemi dijeni për këto materiale.
Arben Ristani: Duhet të vish në punë rregullisht që të marrësh vesh gjerat. E ke materialin ti, por gënjen. Hajde në punë zoti Varfi dhe mos na ngop me gënjeshtra.
Pandeli Varfi: Do vij në punë sa herë të kem mundësi. Ti nuk je burrë dhe këtë e ke treguar.
Arben Ristani: Ju ikët nga puna se ju dha urdhër partia. Dhe pranojeni këtë fakt. Doni të vendosim në raport që ju preva bonuset për celularët dhe makinat për periudhën 3-mujore që munguat?
Artan Lazaj: Kolegu ka një sëmundje që nuk ia uroj njeriu ta ketë. Zoti kryetar, mos bëni ironikun me ne.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura