Një rrëshqitje e konsiderueshme dheu ka bllokuar tërësisht aksin rrugor Ura e Dragotit-Këlcyrë, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim për banorët dhe udhëtarët.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të kësaj të marte.
Sipas burimeve zyrtare, masat e mëdha të dheut që u rrëzuan në rrugë, si pasojë e rrëshqitjes së dheut pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, bënë të pamundur kalimin e mjeteve në të dyja drejtimet.
Në vendngjarje u ndërhy menjëherë nga ekipi i kontraktit të mirëmbajtjes së aksit rrugor Tepelenë-Përmet, i cili punoi intensivisht për të hapur rrugën duke mundësuar hapjen e rrugës në një sens dhe duke lejuar kështu rivendosjen e qarkullimit të automjeteve.
Po vazhdon monitorimi i situatës dhe puna për pastrimin e plotë të zonës së prekur nga rrëshqitja, me qëllim të rivendosjes së qarkullimit normal në të dyja drejtimet.
Autoritetet lokale po bëjnë thirrje për kujdes të shtuar për shoferët që qarkullojnë në këtë aks rrugor, duke rekomanduar respektimin e sinjalistikave rrugore dhe përdorimin e gomave dimërore, nëse është e nevojshme.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al