Bllokohen ushqime të skaduara në treg

May 19, 2012 | 13:00

Mallrat e sekuestruara dje nga Policia në Tiranë

Policia sekuestron 100 mijë euro mall, dyshohet se sasi të tjera të mëdha janë shpërndarë në pikat e shitjes.

Tiranë, 3 në pranga, falsifikonin datat e përdorimit të ushqimeve.

Një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës kanë qenë të ekspozuar në konsumimin e artikujve ushqimorë dhe pijeve të skaduara, të paktën prej dy vitesh. Mallra ushqimore, pije freskuese të llojeve të ndryshme, patetina, çokollata, biskota, pije alkoolike, si dhe shumë lloje të tjera produktesh konsumi, pavarësisht se u ka kaluar prej kohësh data e konsumimit, vazhdojnë të jenë në shitje në kryeqytet. Tre persona që tregtonin mallra të tilla u arrestuan dje nga policia e kryeqytetit. Abuzimi u zbulua dje nga forcat e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, gjatë operacionit të koduar “Skadenca”, që vuri në pranga tre “tregtarët” që ndryshonin datat e skadencës dhe magazinonin ushqime të rrezikshme për shëndetin në një banesë private në Bathore. Ushqime, të cilat i hidhnin për shitje në treg, pa qenë të regjistruara në organet tatimore, por mbi të gjitha që konsiderohen një rrezik potencial për konsumatorët. Policia arriti të sekuestrojë një sasi produktesh të tilla, me një vlerë rreth 100 mijë euro. Ndërsa burimet thanë se aksioni vazhdon në terren për të bllokuar shitjen e produkteve që vazhdojnë të jenë në treg, në mënyrë që qytetarët të mos i blejnë. Policia e Tiranës tha dje se të arrestuarit janë Ilirjan Pira, 21 vjeç, Nefail Jaho, 41 vjeç dhe Agim Abdullai, 28 vjeç. “Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi blinin mallra të skaduara në subjekte të ndryshme private, mallra të cilat i magazinonin në një banese në Bathore të Kamzës, realizonin më pas me anë të një pajisje ndryshimin e datës së skadencës, duke e shtyrë atë në kohë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së kryeqytetit.
USHQIMET E SKADUARA
Gjate ecurisë së hetimeve në lidhje me hedhjen në treg të ushqimeve të skaduara, burime nga Policia e Tiranës thanë se tre të arrestuarit blinin me një çmim thuajse të papërfillshëm produktet ushqimore të skaduara në magazinat ku këto ushqime ishin izoluar për t’u asgjësuar. Më pas i transportonin në një banesë private në afërsi të Bathores, ku me anë të një aparature që quhet “Dator”, fshinin datën e skadencës, duke vendosur një datë të vlefshme për shitjen e tyre. Pasi ndryshoheshin datat, ushqimet transportoheshin në pika të ndryshme shitjesh në Tiranë, me dy automjete, me targa AA 092 BS dhe AA 066 BA, që tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Policia tha dje se “gjatë kontrollit të banesës në Bathore dhe të dy automjeteve të të arrestuarve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme mallrash ushqimorë të llojeve të ndryshme si: pije freskuese, patetina, çokollata, biskota, të cilat dyshohet të jetë të skaduara. Këto ushqime do t’i ushtrohen analizave të hollësishme për të zbuluar se sa të rrezikshme janë për jetën dhe shëndetin e konsumatorit.

Rreziku për konsumatorin
Edhe pse pas arrestimit të tre tregtarëve policia sekuestroi ushqime të skaduara me vlerë 100 mijë euro, burimet thanë se një sasi edhe më e madhe produktesh të tilla konsumi vazhdon të jetë në treg, duke qenë një rrezik i vazhdueshëm për qytetarët e Tiranës. Sipas Policisë, mallrat e sekuestruara kanë së paku dy vjet që kanë skaduar e nuk mund të konsumohen, dhe në këtë mënyrë përbëjnë një rrezik për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve. Për këtë arsye, aksioni i policisë vazhdon ende për sekuestrimin e të gjitha produkteve të tilla në vendet ku vazhdojnë të jenë në shitje.

Shmangia nga tatimet
Veç rrezikshmërisë për jetën e qytetarëve, nga ushqimet që tre tregtarët hidhnin për shitje në dyqane të ndryshme të Tiranës, veprimtaria e tyre rezulton të jetë e paregjistruar në Tatime. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, “shtetasit e arrestuar, aktivitetin e tyre e ushtronin në mënyrë të palicencuar dhe të paregjistruar në organet tatimore, duke iu shmangur kështu edhe detyrimeve tatimore. Këto prodhime industriale, të cilat tregtoheshin në Tiranë, duke qenë të palicencuara ishin edhe të pakontrolluara, duke vendosur në rrezik shëndetin dhe jetën e konsumatorëve”.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura