Bllokohen provimet e patentave

Feb 27, 2012 | 11:38

Shoqata e autoshkollave të kryeqytetit sot në protestë: Të hiqen tarifa e licencimit dhe e autorizimit së mjetit.

Peticioni: Ndërpresim marrëdhëniet me Drejtorinë e Transportit Rrugor.

Bllokohen provimet për të marrë lejen e drejtimit të automjetit në Tiranë. Shoqata e Autoshkollave ka vendosur të ndërpresë marrëdhëniet me Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor. Në një peticion dërguar edhe Ministrisë së Transporteve janë renditur kërkesat dhe arsyet e kësaj situate. “Ne, autoshkollat që zhvillojmë aktivitetin pranë D.R.Sh.T.Rr. Tiranë, duke u nisur nga situata tepër e vështirë në të cilën ndodhet ky biznes (tashme në prag të falimentimit) morëm vendimin për ndërprerjen e marrëdhënieve me D.R.Sh.T.Rr. Tiranë, për një kohë të pacaktuar”, thuhet në peticion. Sipas tij, nuk do të ketë  regjistrime të kandidatëve për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit. “Nuk do të bëjmë asnjë pagesë për të gjitha faturat e shërbimit sipas kategorive përkatëse, si dhe do të bllokojmë provimin teoriko-praktik për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit. “Kemi marrë këtë vendim, pasi kërkesat tona të përsëritura prej vitesh drejtuar D.R.Sh.T.Rr. Tiranë dhe Ministrisë përkatëse për rikthimin e këtij aktiviteti në normalitet, të konkurrencës së drejtë e të ndershme që do të mundësonin përgatitjen cilësore të kursantëve, asnjëherë nuk janë marrë parasysh”, kanë bërë me dije krerët e shoqatës. Ata kërkojnë rregulla të reja për të gjithë kursantët që i nënshtrohen provimit për të marrë patentën dhe dhënie fund aferave korruptive me autoshkollat. “Ne kuadrin edhe të ndryshimit të Kodit Rrugor, datë 05.01.2012, neni 5, kërkojmë që autoshkollat të mos paguajnë më tarifën e jashtëligjshme prej 40 000 lekësh për rilicencim pranë D.R.Sh.T.Rr. Kërkojmë edhe heqjen e tarifës prej 900 lekësh për autorizimin e praktikës së mjetit, ky autorizim të jetë i lidhur me vlefshmërinë e licencës së autoshkollës”, përcaktohet në peticion. Po kështu, kërkohet përmirësimi i testeve për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit dhe publikimi i tyre në format testimi për kursantët dhe autoshkollat. ”Në hartimin e testeve të reja duhet patjetër të ndryshojë mentaliteti, teste për të mësuar, jo teste për të ngatërruar”, është shprehur kryetari i shoqatës, Tonin Gjinaj. Sipas tij, në kuadër të ndryshimit të Kodit Rrugor, përgatitja për ndihmën e shpejtë në rast aksidenti të realizohet në autoshkollë dhe jo nga Kryqi i Kuq. Kjo pasi praktika e deritanishme ka qenë e jashtëligjshme dhe abuzive, duke qenë në kundërshtim të hapur me Statutin e Kryqit të Kuq shqiptar. ”Kërkojmë unifikim dhe përmirësim të formularit të certifikatës mjekësore, të jepet mundësia që vizitat të bëhen edhe në klinikat private të licencuara. Gjithashtu, pagesa për shërbimin që ofron D.R.Sh.T.Rr., koston e patentës dhe taksen e saj për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit, të bëhet në bankë. Më pas të bëhet regjistrimi “on line” direkt nga selia e autoshkollës”, thuhet në peticion. Sipas tij, regjistrimi i kursantëve në autoshkollë të bëhet pavarësisht se vërtetimi i banimit është nga një rreth tjetër, pas marrjes së patentës dosja të transferohet në rrethin përkatës. Deri sa të plotësohen kërkesat e parashtruara, asnjë kursant nuk do të ketë mundësi të marrë lejen e drejtimit të automjetit.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura