Çonin drejt Korçës e shtetit grek 3500 euro false, arrestohen në flagrancë transportuesit dhe furnizuesi i tyre.
Policia e Korçës finalizoi operacionin e koduar “Kumarxhiu”, duke vënë në pranga 3 persona të akuzuar për falsifikimin e parave. Operacioni, sipas burimeve zyrtare të Policisë, u realizua nga sektori kundër krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së qarkut Korçë, në bashkëpunim me Njësinë e përbashkët Taks-Force në Prokurorinë e rrethit. Për të kapur në flagrancë personat me eurot false, grupit hetimor i janë dashur 3 muaj punë intensive, duke aplikuar dhe metodat speciale të hetimit. Kapja në flagrancë u realizua në rrugën nacionale Pogradec-Korçë, te kthesa e Maliqit. Mësohet se në një makinë që udhëtonte drejt juglindjes ndodheshin shtetasit: Hysni Sadiku, 57 vjeç, banues në Lagjen Nr. 15 Korçë, si dhe Artur Tahiraj, 45 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Larisa të Greqisë. Gjatë kontrollit në makinën e tij u bë zbulimi dhe bllokimi i sasisë prej 3500 eurosh. Sipas policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shkonin në Tiranë dhe blinin kartëmonedha të prerjeve 50 euro të falsifikuara, të cilat më pas i shpërndanin në qytetin e Korçës dhe në Greqi. Edhe në banesën e Sadikut u gjet një kartëmonedhë e falsifikuar e së njëjtës prerjeje, çka mendohet se ka qenë siguruar më parë prej tij për të arritur në blerjen e 3500 eurove të tjera. Policia ndaloi dhe Lavdërim Rumanin, 56 vjeç, nga Tirana, i cili akuzohet se u siguronte paratë e falsifikuara. Në lidhje me këtë ngjarje, policia pohon se janë sekuestruar 70 kartëmonedha të prerjeve 50-tëshe euro të falsifikuara, 3 pasaporta shqiptare dhe 3 aparate celulare. Pas kryerjes se veprimeve të nevojshme, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Korçë, për të vazhduar hetimet mbi këta persona, për akuzën e “falsifikimit të monedhave” e kryer në bashkëpunim. Nuk bëhet e ditur nëse është zbuluar origjina e parave të falsifikuara, çka pritet të bëhet e ditur gjatë seancës së masës së sigurisë në gjykatë.
Të arrestuar
Hysni Sadiku
57 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr.15 Korçë
Artur Tahiraj
45 vjeç, lindur në Korçë dhe banues ne
Larisa-Greqi
Lavdërim Rumani
56 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë











