Një numër prej 160 shtetasish shqiptarë u njoftua dje se janë bllokuar në Aeroportin e Sharm El Sheik. Pasagjerët janë bllokuar në aeroport, pasi nisja me charter që ishte parashikuar në orën 15:00, nuk ka ndodhur. Një prej turistëve, që duhej të udhëtonte me avionin në fjalë dje, telefonoi në News 24 dhe tha: “Flas nga Sharm El Sheik dhe problemi ynë është se duhet të iknim nga resorti këtu. Nisja për në Tiranë duhet të bëhej rreth orës 15:00 me charterin e kompanive turistike që kanë marrë përsipër këtë udhëtim, por ne sapo na kanë lajmëruar se nisja do të bëhej në orën 23:00, gjithmonë kjo sipas kompanisë. Problemi ynë është se ne kemi bërë chek-out në hotel dhe nga hoteli që po flas jemi të paktën 28 shqiptarë, por një pjesë e mirë e turistëve kanë bërë çekin dhe kanë ngelur në aeroport. Problemi i dytë është tek netët e fjetjes, sepse neve na kanë premtuar 10 net fjetje, ndërkohë që tani jemi vetëm me 9 net fjetje. Chekinin në hotel e kemi bërë në orën 12:30 të natës, të datës 12, jo të datës 11 siç na është premtuar”, ka thënë pasagjeri. Ai ka sqaruar se në total janë 150-160 shqiptarë. “Kemi kontaktuar me kompaninë, por në bazë të numrave që kemi marrë nga kompania, asnjëri prej tyre nuk është disponibël”, ka thënë një tjetër pasagjer.











