
Pas sekuestrimit të Fabrikës së Birra “Norga”, Përmbarimi bllokoi dje edhe fabrikën e pijeve freskuese të kësaj kompanie, me pronarë Agron dhe Bukurie Haxhirajn.Prej dy ditësh, përfaqësuesit e kësaj zyre kanë mbërritur në ambientet e fabrikës, duke u komunikuar sekuestron për shkak të mosshlyerjeve të kësteve të fundit të kredisë prej 10 milionë eurosh në një prej “Raiffaisen Bank”. Përfaqësuesja e kompanisë, Bukurie Haxhiraj, u shpreh se po bëhet një masakër nga persona që duan të shkatërrojnë këtë kompani të suksesshme, për shkak të konkurrencës. Ajo u është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit, Presidentit dhe Kryetares së Parlamentit, duke theksuar se ndaj subjektit “A&B Grup” shpk po aplikohet një terror masiv i paprecedentë. “Kemi marrë kredi për të investuar e zhvilluar biznesin, duke bërë të mundur edhe hapjen e 300 vendeve të punës në Vlorë. Si garanci kemi lënë prona që kanë një vlerë disa herë më të madhe se kredia e marrë: dy fabrika, 60 mijë m2 tokë, 22 metra katrorë ambiente të mbuluara dhe 40 milionë euro kapitale. Por, në mënyrë të njëanshme, banka thyen kontratën dhe kërkon të marrë pronat në vend të parave. Ata pretendojnë se kanë vendim të formës së prerë që mban datën 7 tetor 2010”, u shpreh dje Haxhiraj. Me mbylljen e dy fabrikave, sipas saj, mbetën pa punë rreth 300 vetë, të cilët do t’i shtohen numrit të të papunëve të këtij qyteti. Pronarja e fabrikave u bën thirrje strukturave të shtetit të ndërhyjë, për të ndaluar sipas saj këtë masakër. “Unë nuk jam prekur nga ndonjë krizë ekonomike. Kam paguar të gjitha taksat ndaj shtetit. Ne i kemi ofruar disa rrugëzgjidhje, por banka nuk ka pranuar dhe e ka kaluar çështjen në Gjykatë. Ne s’kemi ndonjë vendim gjykate, si dhe nuk jemi thirrur ndonjëherë në Gjykatë, ndaj përmbaruesit, me ndihmën e policisë po veprojnë në

mënyrë të kundërligjshme me sekuestrimin e fabrikave. Ne do ta kalojmë çështjen në drejtësi për këtë veprim të paligjshëm. Gjithçka brenda fabrikës po shkatërrohet dhe vidhet prej atyre që e sekuestruan. Nuk dihet se ku po i çojnë aparaturat në pronësi të shoqërisë “A&B Grup” sh.p.k, u shpreh më tej Haxhiraj. Sipas saj, që prej datës 30 maj, në mungesë të plotë të një urdhri ekzekutimi të Gjyqësorit shqiptar kompetent, bazuar në procedurat ligjore, në fuqi, “Raiffaisen Bank”, e pajisur me mjete të rënda transporti, me polici të të gjitha llojeve, me njerëz kompetentë e jo-kompetentë, ka filluar bastisjen e shkatërrimin e biznesit që ushtron prej disa vitesh subjekti “A&B Grup” shpk, duke çmontuar makineri e pajisje, linja prodhimi e gjithçka të mundshme, pa menduar se vlera minimale e tyre është e barasvlefshme me miliona euro. Në një deklaratë ku përfaqësuesja e fabrikës i bën apel Kryeministrit, Presidentit e Kryetares së Parlamentit për ndërhyrje, thuhet se “Ky veprim po bëhet, edhe pse subjekti kredimarrës ka likuiduar për një periudhë kohe katërvjeçare qëkur ka filluar marrëdhënia e kredisë në favor të kësaj banke, shumën e 8 milionë eurove, në një kohë kur afati i kredimarrjes ishte 6 vjet. Kjo luftë e madhe e paprecedentë dhe pa asnjë bazë ligjore ka thjesht si synim jo likuidimin korrekt të kredisë, por shkatërrimin dhe nxjerrjen jashtë tregut të kompanisë “A&B Grup” sh.p.k, konkurrente e rëndësishme në tregun shqiptar”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga përfaqësuesja e kësaj shoqërie, Bukurie Haxhiraj. Nga ana tjetër, sipas përmbaruesve, sekuestrimi i pronave të kësaj kompanie po bëhet me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Tiranës, pasi nuk ka paguar sipas kontratës dy këste e kredisë që ka marrë në “Raiffeisen Bank”. Përfaqësues të bankës dhe të përmbarimit bënë të ditur se shuma e kredisë së kompanisë është më shumë se 10 milionë euro. Pas sekuestrimit, ditën e djeshme, aparaturat elektronike të fabrikës së birrës janë stakuar dhe çmontuar. Tashmë këto prona do të sekuestrohen për llogari të bankës, e cila mund t’i nxjerrë në shitje për vlerësimin e tyre, derisa të arrihet vlera e kredisë së marrë.
Konflikti
Mosmarrëveshjet ndërmjet kompanisë “A&B Grup” dhe bankës kredidhënëse kanë nisur një vit më parë. Sipas përmbaruesve, ekzekutimi i vendimit për sekuestrimin e fabrikave është bërë pasi pronarët e saj nuk kanë qenë korrekt me bankën. Ata nuk kanë paguar dy këstet e fundit të kredisë, çka ka shkaktuar edhe mosmarrëveshje ndërmjet palëve. Ndërkaq, përfaqësuesja e kompanisë u shpreh se ishin munduar disa herë të gjenin gjuhën e përbashkët me bankën, por nuk ia kishin arritur, pasi sipas pronarëve, banka është më shumë e interesuar për pronat e saj sesa për paratë.
10 milione euro është shuma që kompania “A&B Grup” sh.p.k ka marrë kredi pranë bankës. Këtë fakt e bënë të ditur dje burime pranë kësaj banke, të cilat pohuan se kompania në fjalë nuk ka qenë e rregullt në shlyerjen e saj
Sekuestrimi i “Birra Norga”, reagon “BiznesAlbania”: Veprim i nxituar

Biznesi shqiptar është i habitur dhe i indinjuar nga veprimi i Raiffeisen Bank, duke sekuestruar pajisjet e “Birra Norga”. Pas letrës së hapur që pronarët e investimit disavjeçar drejtuar edhe te Biznesalbania, vjen edhe reagimi i presidentit Luan Bregasi. Sipas tij, veprimi i bankës ishte i nxituar. Bregasi shton se gjithmonë ka më shumë se një rrugë për zgjidhjen e një problemi, që mund t’i kënaqë të dyja palët. Por, në rastin në fjalë, duket se prapa problemit ekonomik, sipas kreut të BiznesAlbania, mund të qëndrojnë interesa të tjerë meskinë.
Reagimi
“Në shoqatën BiznesAlbania, Ka ardhur një letër publike e pronarëve të “Birra Norga”, lidhur me një problem madhor të tyrin me bankën Raiffeisen. Ne mendojmë që marrëdhëniet e biznesit me bankat janë kontraktuale, dypalëshe, të bazuara në kushte të caktuara kolateri e garancish. Duke mos dashur të hyj në çështje teknike mes dy bizneseve, ne gjykojmë që në kushtet aktuale ekonomike që po kalon vendi, bankat nuk duhet të sillen në mënyrë të njëanshme me biznesin. Në këto kushte të përgjithshme ekonomike, mendojmë që duhet të shkohet mundësia e dialogut, e gjetjes së gjuhës së përbashkët me biznesin për të riaktivizuar kapilaret e tyre. Dhënia e një kredie, marrëdhënia e financimit, ka dy palë. Dhe përgjegjësia është e të dy palëve, e atij që e merr financimin, por edhe e atij që e jep atë. Nga kjo pikëpamje, bankat nuk duhet të sillen si padronët e bizneseve që kanë financuar, por duhet të jenë më fleksibël, në mënyrë që financimi i tyre t’i shërbejë sa më mirë të dyja palëve. Në ambientin e biznesmenëve është krijuar një opinion se në situatën aktuale ekonomike, bankat nuk po sillen si partnerë të bizneseve, por po bëjnë të kundërtën. Në vend që bankat të ulin kostot e shërbimeve, financimeve, po ndodh e kundërta, po ashpërsohen marrëdhëniet. Duhet të jemi të qartë. Në biznes gjithmonë nuk ka vetëm një rrugë. Me sa jam informuar, kompania e Birra Norga ka paguar për 4 vite rreth 8 milionë euro nga financimi i marrë nga Raiffeisen. Në rast se ka vështirësi për një periudhë kohore, kjo nuk do të thotë që banka të përdorë menjëherë mjetet ekstreme. Nga biseda që bëra me pronarin e kompanisë arrij në mendimin se prapa këtyre veprimeve qëndrojnë interesa meskinë. Kjo do të ishte e papranueshme. Unë, si përfaqësues i BiznesAlbania, i bëj thirrje bankës që të gjejë një mundësi për riskedulimin e kredisë, të gjendet një rrugë në interesin e të dy palëve që edhe biznesi të vazhdojë punën. Rruga e ndjekur dje nuk është e vetmja rrugë. Bankat duhet ta dinë, që biznesmenët janë gjithë kohës në punë, duke u munduar maksimalisht, duke paguar taksa e tatime, duke paguar pagat mujore për qindra të punësuar. Bankat nuk mund të sillen si zonja të rënda, kur tregu ka vështirësi që të gjithë po i shohin. Bankat duhet të jenë partnere dhe jo si institucione që kanë në dorë fatin e bizneseve. Problemi është si ta ndihmojnë ekonominë, biznesin. Nuk dua të hyj në çështje teknike të problemit në fjalë. Por, mendoj se gjithmonë ka më shumë se një rrugë për zgjidhjen e një problemi. Megjithatë, nga informacioni që kam, kam frikë se mund të ketë edhe interesa jo thjesht ekonomikë.”
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











