Bllokohen 80 kg hashash, arrestohen 6 persona

Jul 28, 2012 | 12:37

TIRANE – Oficerët e Antidrogës së Tiranës sekuestruan pasditen e djeshme një sasi prej rreth 80 kilogramësh bimë narkotike, duke vënë në pranga gjashtë persona. Aksioni u zhvillua përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe u finalizua në Vorë. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se sasia e kanabisit ishte nisur nga Durrësi dhe kishte si destinacion të fundit tregun e Tiranës. Gjatë një ndjekjeje policore, oficerët e Antidrogës dhe ata të Forcës së Posaçme bllokuan në Vorë dy automjetet ku ishte ndarë në pako të mbështjella me natriban sasia e hashashit, duke mos u lënë mundësi “arratisjeje” personave që e transportonin nga qyteti bregdetar drejt kryeqytetit. Burimet thanë se hetimet për finalizimin e këtij operacioni kishin nisur prej disa muajsh, duke vënë në përdorim metodat speciale dhe pas marrjes së informacionit për nisjen e pakove me kanabis u zhvillua edhe aksioni që përfundoi me arrestimin e 6 personave. Të arrestuarit janë, Eduart Gjonaj me të emën Kristina, Bardhok Arapi, Fatjon Dedaj, Arjan Kolaj dhe Gjok Dodaj, me origjinë nga Mirdita e banues në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura