Dy ngarkesa me sasi të konsiderueshme droge që besohet se e ka origjinën nga Lazarati, u bllokuan dje nga Policia në zonën e Gjirokastrës dhe matanë kufirit mes Shqipërisë e Greqisë. Rreth 300 kg marijuanë janë sekuestruar në aksionin e parë mëngjesin e djeshëm nga Policia e Gjirokastrës. Pesë trafikantët që kishin marrë përsipër kalimin e marijuanës nga Lazarati në Delvinë, përmes kafshëve të punës, janë larguar në drejtim të paditur. Rreth orës 23:00 së të hënës, Policia e Gjirokastrës ishte vënë në dijeni se nga Lazarati pesë persona po merreshin me transportin e një sasie marijuane me një karvan mushkash. Ata do të ngjiteshin në pikën kulmore në majën e Sopotit e më pas, në Delvinë e Sarandë, me destinacion përfundimtar Italinë. Pas informacioneve të marra, blutë ndërmorën operacionin e koduar “Karvani”, për të goditur trafikun e lëndës narkotike. Disa orë më pas, kur akrepat shënonin 01:30, grupi policor që ishte vënë në ndjekje të trafikantëve mbërriti në majën e Sopotit mbi fshatin Lazarat. Në ndihmë të tyre ishte vënë edhe Policia e Delvinës.
Burime të Policisë bënë të ditur se tetë çanta të mëdha shpine të cilat mbaheshin nga katër mushka, kishin brenda 183 pako të mbushura me marijuanë të presuar me peshë jo të njëjta nga njëra-tjetra, por pesha totale ishte 300 kg. “Policia e Gjirokastrës identifikoi të pesë trafikantët, të cilët janë nga qyteti i Delvinës dhe ndërkaq po punohet për kapjen e tyre”, bëri të ditur pas ngjarjes zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai.
Droga në Igumenicë
Pak kilometra në brendësi të territorit grek janë kapur dje 155 kg hashash Lazarati, të cilin një trafikant shqiptar mundi ta kalojë në kufi. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00, kur Policia e Igumenicës pikasi një automjet që lëvizte në mënyrë të dyshimtë pranë kufirit shtetëror e që po futej me shpejtësi në brendësi të Greqisë. Menjëherë ka filluar ndjekja policore dhe një postbllok në Filipiadhë të Prevezës i ka bërë shenjë mjetit të ndalojë. Drejtuesi, i identifikuar më pas si shtetasi 29-vjeçar shqiptar, ka shtuar shpejtësinë dhe ka tentuar të largohet. Pas disa minutash ndjekje, mjeti i tij është përplasur në kryqëzimin e Kambit në Prevezë. 29-vjeçari arriti të braktisë mjetin dhe të largohet me vrap, por është kapur rreth një orë më pas në një zonë bujqësore pranë vendngjarjes. Policia greke ushtroi më pas kontroll në mjet, ku në bagazh dhe në sediljet e pasme gjetën dhe sekuestruan 145 pako me 154 kg e 900 gramë lëndë narkotike “cannabis sativa”. Ndërsa gjatë kontrollit personal, 29-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar 300 euro, të cilat ai pranoi se i kishte për shpenzime gjatë rrugës, pasi paratë e transportit do i merrte në Athinë. Gjatë hetimeve u zbulua se droga vinte nga Lazarati dhe se deri në kufi, mes rrethit të Sarandës dhe Igumenicës, transporti ishte bërë më kafshë. Droga është ngarkuar më pas në mjetin e 29-vjeçarit, i cili do ta transportonte për në Athinë.











