“Blindohet” Vlora, postblloqe e kontrolle policie nëpër qytet

Feb 8, 2012 | 12:13
Policia gjatë operacionit të djeshëm në një prej rrugëve të Vlorës

VLORE – Ngjarjet e fundit, ku në dosjet e policisë u shtuan tri raste grabitjesh me armë brenda pak ditëve, ka bërë që policia të marrë masa të rrepta kontrollesh nëpër rrugë. Për shkak të kësaj situate kriminale dhe pasigurisë së rendit në qytetin e Vlorës, u bë edhe zëvendësimi i kreut të Policisë së këtij qarku. Dy ditë pas ardhjes së drejtorit të ri të Policisë, u ndien edhe lëvizjet e para në kuadër të luftës kundër krimit. Më shumë se gjashtë postblloqe janë pozicionuar në pika të ndryshme të qytetit në bashkëpunim të policisë rrugore me atë të rendit. Në hyrje- daljet, por edhe në mes të qytetit po kontrollohen të gjitha mjetet me elementë të dyshuar, si dhe të personave në kërkim. Sipas burimeve të Policisë, postblloqet do të jenë prezente në pika kyçe të qytetit. Mësohet se i njëjti urdhër është dhënë edhe për qytetin e Sarandës, i cili është nën administrimin e Drejtorisë së Policisë së Vlorës. Ndryshe nga postblloqet e ngritura pas vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, të cilat u panë si të frikshme për opinionin publik, taktika e ndjekur nga blutë këtë herë është me efektiva të pamaskuar. Ndërkaq, jashtë kontrolleve kanë qenë makinat me familjarë dhe fëmijë brenda. Sipas Policisë, kjo masë e re është vendosur me qëllim për të luftuar krimin, i cili kohët e fundit është kthyer në një problem shumë të madh, duke nisur që nga vrasjet apo atentatet me eksploziv dhe deri te grabitjet. Postblloqet nuk do të mungojnë edhe përgjatë natës. Në çdo postbllok ka më se 10 punonjës policie me uniforme, si dhe efektiva të policisë kriminale pa uniformë. Kontrollet janë fokusuar kryesisht për personat që mbajnë armë pa leje, për lëndë narkotike, vjedhje të automjeteve, kontrollin për dokumentacione, deri dhe për mospagim të gjobave. Ndërkaq, grabitja e dy ditëve më parë e menaxherit të supermarketit “Euromax”, ku një person i armatosur arriti t’i merrte 580 mijë lekë, ka mbetur ende e pazbardhur. Policia ka shoqëruar tetë persona të dyshimtë, të cilët janë lënë të lirë pasi janë marrë në pyetje.                                       q.b

© Panorama.al

Te lidhura