Blindohet mesfusha, balotazh Bogu-Sadiku

Sep 11, 2012 | 14:35

Dilema e vetme është Bogdani apo Sadiku, sepse pjesa tjetër e formacionit është pothuajse e zgjidhur. Xhani de Biazi ka ndërmend të luajë me një sulmues sot kundër Zvicrës. në stadiumin “Sëissporarena” të Luzernës. Gjatë stërvitjes së fundit dje pasdite, që zgjati më pak se 30 minuta, ai preferoi të mos zbardhte asgjë, duke urdhëruar skuadrën që të bënte vetëm ushtrime të përgjithshme dhe ushtrime me topin, pa përcaktuar se kush do të luante. Arsyeja? Nuk donte që t’i spiunonin skemën. Madje për këtë arsye nuk lejoi që të futeshin në stadium as 150 tifozët shqiptarë që ishin të interesuar, pasi dyshonte se mes tyre mund të kishte edhe “spiunë” të Zvicrës.
Mbrojtja
Në portë pritet të jetë Samir Ujkani, edhe pse bëri një gafë në ndeshjen kundër Qipros. Në të djathtë Dallku, ndërsa në qendër dyshja Cana-Mavraj. Në të majtë Andi Lila. Në fakt këtu është risia, sepse pritej që me rikthimin e Agollit (ishte i pezulluar) Lila të spostohej gjetkë, por mbrojtësi i djathtë do të luajë edhe në këtë ndeshje si i majtë.
Mesfusha
Do të luajë Ansi Agolli në të majtë, që do të alternohet me Lilën në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Në qendër do të jenë dyshja Kukeli e Bulku, ndërsa në të djathtë Vila. I avancuar në qendër, gati si sulmues i dytë, do të jetë Meha. Eksperiment më vete edhe ky, pasi roli natyral i lojtarit është mesfushor anësor që depërton në qendër. Gjithsesi, de Biazi e ka ndarë mendjen dhe Meha pritet të luajë si mesfushor i avancuar pas sulmuesit të vetëm.
Sulmi
Sipas një logjike të ftohtë duhet të luajë Bogdani, sepse ka më shumë eksperiencë dhe e bën repart i vetëm, por De Biazi ka edhe Sadikun në mendje. Motivi është i thjeshtë: Sadiku ka më shumë rezistencë fizike dhe është në gjendje të përballojë me sukses të paktën 70 minuta lojë me intensitet të lartë. Më pas aktivizohet një mes Bogdanit ose Çanit, që i jep frymëmarrje skuadrës në 20 minutat e fundit. Ky plan rezultoi i suksesshëm ndaj Qipros.

Nga i dërguari në Zvicër
Jorgis Memo

© Panorama.al

Te lidhura