Presidenti i sapozgjedhur i FIFA-s, Sep Blater, ka marrë një hap interesant për të pastruar hijet e dyshimit, lidhur me korrupsionin që ka përfshirë qeverinë e futbollit. Blater do të punësojë në FIFA as më shumë e as më pak, por babanë e diplomacisë amerikane, Henri Kisinger. 88-vjeçari, që ka qenë ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së, do të jetë pjesë e të ashtuquajturit “Komiteti i Zgjidhjeve”, që Blater premtoi gjatë Kongresit të 61-të të FIFA-s, për të pastruar imazhin e institucionit. Përveç diplomatit amerikan, pjesë e Komitetit do të jetë dhe legjenda holandeze e futbollit, Johan Krujf. Personat në fjalë do të kenë të gjithë pushtetin që buron nga ligji për të hetuar apo sugjeruar zgjidhje: në radhë të parë, në masat që duhet të marrë organizmi për t’i dhënë fund një herë e mirë korrupsionit.











