Blank tregon arsyet e largimit nga Kombëtarja

Jul 3, 2012 | 14:59

Lorent Blank, ish-trajner i Francës tashmë, vendosi të bëjë publike arsyet që e detyruan t’i thoshte jo rinovimit të kontratës me Federatën Franceze të Futbollit edhe dy vite të tjera. 46-vjeçari sqaroi se nuk kishte rënë dakord me presidentin Le Graet për mënyrën se si duhej punuar për kualifikueset e Botërorit, që nisin në shtator. “Presidenti, pas zgjedhjes në krye të Federatës Franceze të Futbollit, më kërkoi rinovimin deri në vitin 2014. E konsiderova të parakohshme që të përballesha me këtë çështje përpara kualifikimit në ‘Euro 2012’, që në këndvështrimin tim ishte detyrim. Menjëherë pas kualifikimit, pavarësisht qëndrimit tim publik për një kontratë afatgjatë, presidenti e shtyu vendimit pas Europianit. Në takimin e 28 qershorit nuk mundëm të binim dakord për mënyrën e drejtimit të skuadrës dy vitet e ardhshme dhe, në këtë pikë, në përfundim të dy ditëve reflektim, vendosa të mos kërkoj rinovimin”. Franca, e cila e nisi mirë fazën e grupeve të “Euro 2012”, zhgënjeu në takimin e tretë me Suedinë, si dhe në çerekfinale me Spanjën, çka u reflektua edhe me një situatë të pakëndshme në dhomat e zhveshjes, ngjarje që sigurisht ndikuan në vendimin e Blank. Didie Deshamp, trajneri aktual i Olimpikut të Marsejës, mbetet kandidatura më e fortë për të pasur Blank në krye të gjelave.

© Panorama.al

Te lidhura