Biznesmeni, terror në mes të Korçës

Feb 21, 2012 | 13:03

KORÇE – Një person i armatosur ka qëlluar mesditën e së hënës në ajër në qendër të qytetit të Korçës pranë poliklinikës, duke terrorizuar banorët dhe kalimtarët e rastit. Për disa minuta radhazi ai ka ecur me armën në dorë përgjatë trotuareve dhe bulevardit derisa ka mbërritur policia. Sipas të dhënave, personi i cili ka hapur panik është një biznesmen korçar, i cili pas një konflikti personal me një tjetër person, ka përdorur armën, por fatmirësisht nuk është shënuar asnjë i lënduar. Burime nga Policia sqaruan se personi i identifikuar si A.Bregu ka qëlluar në drejtim të një tjetri, pasi ishte konfliktuar me të disa ditë më parë. Shkak për përplasjen mes dy personave duket se është bërë ngacmimi i bashkëshortes së biznesmenit 38-vjeçar, i cili ka në pronësi një prej agjencive funerale të qytetit të Korçës, si edhe një restorant në rrugën nacionale në drejtim të Pogradecit. Pasi ka qëlluar dy herë, 38-vjeçari ka qëndruar me armën e tij shotgun për disa minuta nëpër trotuaret e qytetit, duke terrorizuar edhe kalimtarët deri në mbërritjen e forcave të policisë dhe më tej është vetëdorëzuar. Sipas të dhënave të Policisë, të dy personat kanë qenë të shoqëruar pak ditë më parë në polici për shkak të konfrontimit për këtë konflikt. Burime nga Policia bënë me dije se është duke u punuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Zyrtarisht, Policia nuk e bën të ditur emrin e personit të dytë, duke u shprehur se po punon për identifikimin e tij.                     dh.d

Shkodër, i dehuri futet me makinë në pedonale
SHKODER – I dehuri shkatërron pedonalen e Shkodrës. Vetëm pak orë pasi u mbyllën festimet e karnavaleve të dielën, drejtuesi i një mjeti në gjendje të pirë ka hyrë me makinë në shëtitoren në qendër të qytetit. Për pasojë, ai ka marrë përpara thuajse gjysmën e stolave të pushimit që ndodhen në mesin e këtij segmenti rrugor. Policia ka arrestuar 23-vjeçarin Ferdinand Prroni, i cili dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur. Makina “Benz” që ai drejtonte ka lëvizur në mënyrë të çrregullt, duke dëmtuar stolat dhe vazot dekorative që ndodhen në rrugën për këmbësorë.                             r.d

© Panorama.al

Te lidhura