Tiranë, incidenti në Komisariatin e Kombinatit, arrestohet pronari i kazinove.
Një biznesmen, pronar i një rrjeti kazinosh në disa qytete të Shqipërisë, u arrestua nga efektivat e Komisariatit Nr.6, pasi ka kundërshtuar disa punonjës policie. Pas incidentit të parë me policët, ngjarja ka evoluar me një incident të dytë, kësaj radhe në ambientet e policisë. Sipas burimeve zyrtare, i ndaluari në ambientet e komisariatit ka goditur dhe kërcënuar me jetë një punonjëse policie, 27-vjeçare, me detyrë ndihmësspecialiste e informacionit. Incidenti ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë dita e martë, në qendër të lagjes Kombinat në Tiranë. Postblloku i policisë në rrugën “Hamdi Cenoimeri” i ka bërë shenjë biznesmenit Sami Gegaj, që të ndalonte për kontroll. Në momentin që policia i ka nxjerrë tabelën, ai i ka fyer punonjësit e rendit dhe ka tentuar të largohet me makinë. Pas disa minutash ndjekjeje nga ana e policisë, ai është ndaluar dhe efektivat e patrullës së Përgjithshme e kanë ndaluar, duke e futur me forcë në furgonin e grupit të gatshëm. Burime nga Policia e Tiranës thanë se edhe gjatë shoqërimit për në komisariat 39-vjeçari Gegaj ka vazhduar të fyejë dhe të kërcënojë punonjësit e policisë që ndodheshin brenda në fugon. Të njëjtat burime thanë se biznesmeni ka pasur edhe më parë konflikte të ngjashme me forcat e rendit, për shkak të verifikimeve të përballjes së herëpashershme me policinë.
DHUNA NE KOMISARIAT
Biznesmeni Sami Gegaj, i cili është pronar i disa lokaleve lojërash fati në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit, njihej si një prej “të fortëve” të kryeqytetit, që vazhdimisht ka pasur konflikte me policinë. Pasi ka sharë, kundërshtuar dhe goditur punonjësit e rendit që e shoqëruan me furgon deri në Komisariatin Nr.6 në Kombinat, është dashur ndërhyrja e disa oficerëve të tjerë për ta zbritur, në mënyrë që ta shoqëronin deri në qelinë ku do merrej në pyetje. Burimet konfirmuan se pasi është “izoluar” në një prej dhomave të rajonit, fillimisht ka kundërshtuar të japë gjeneralitetet, duke vazhduar me kërcënimet dhe ofendimet ndaj punonjësve të policisë. Më pas, ai është bindur për të nënshkruar dhe, një prej ndihmësspecialisteve të informacionit në Komisariatin Nr.6 i është kërkuar që të mbajë një inventar të dorëzimit të sendeve të tij personale. Në kohën kur oficerja 27-vjeçare Emanuela Ç. ka shkuar në dhomën ku ndodhej biznesmeni, për të marrë në dorëzim celularin e tij, 39-vjeçari e ka fyer e më pas e ka kërcënuar, duke i thënë se do ta vriste sapo të dilte nga komisariati. Më pas e ka sulmuar dhe e ka goditur me grusht, derisa kanë mbërritur kolegët e punonjëses së policisë, që kanë arritur ta ndalojnë dhe t’i vënë prangat.
Akuzat
Arrestimi i 39-vjeçarit Sami Hamdi Gegaj është kryer nga efektivat e Komisariatit Nr.6, me akuzën e “mosbindjes ndaj urdhrit të policisë”, “fyerje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “kanosje e goditje të punonjësve të policisë”. Edhe pas konsultimit me prokurorin e gatshëm, pas shoqërimit në komisariat është rënë dakord që ndaj tij të merret masa e arrestit në flagrancë dhe materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës.
Precedentet
Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, Sami Gegaj, pronar i disa lokaleve lojërash fati në Tiranë dhe qytete të tjera, ka pasur përplasje të herëpashershme me forcat e rendit publik. Të njëjtat burime thanë se Gegaj është person i dyshuar për disa ngjarje të ndodhura në Tiranë dhe Tropojë, por asnjëherë nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ta fajësonin apo kallëzime konkrete në mënyrë që ai të arrestohej. Për këtë arsye, është mbajtur vazhdimisht në vëzhgim nga policia.











