BiznesEurope: Keni taksa të ulëta, imazhi të përmirësohet

Feb 3, 2012 | 12:08

Wytze Russchen

Përfaqësuesi i “BussinesEurope”: Promovoni anët pozitive të vendit

Russche: I impresionuar nga puna e BiznesAlbania

“Gjëja e parë që duhet të bëni, është përmirësimi i imazhit”

Lobimet e biznesit për të çuar zërin e tyre pranë qeverisë janë të rëndësishme dhe “BiznesAlbania” duket se po ia del me sukses këtij misioni. Menaxheri i projektit “Bosmip”, një projekt ky i “BussinesEurope”, Wytze Russchen, në një intervistë për gazetën, shprehet se “BiznesAlbania” ia doli në një kohë shumë të shkurtër të jetë një organizatë efikase. “Mendoj se ‘BiznesAlbania’ është pozicionuar siç duhet në një kohë të shkurtër dhe qeveria e dëgjon”, shprehet eksperti holandez. Përkundër zërit që ka bashkuar biznesi në ndihmë të krijimit të një mjedisi sa më konkurrues për aktivitetin tregtar, për Russchen ka ende shumë për të përmirësuar, sidomos imazhi që ka vendi ynë në Europë. “Problemi është imazhi. Kjo është e para që duhet të bëni, ta ndryshoni”.
Çfarë është “BussinesEurope”? Çfarë përfaqëson dhe cili është misioni i saj?

Nga konferenca e djeshme

“BussinesEurope” është një federatë punëdhënësish në të gjithë Europën. Përfshin në vetvete 41 federata më të vogla në 35 vende. Anëtarët tanë janë nga Franca, Turqia, Zvicra dhe së bashku përfaqësojmë 21 milionë kompani në të gjithë Europën. Mundohemi që të jemi zëri i biznesit europian në Bruksel, çka do të thotë që lobojmë që kompanive në Europë t’u sigurohet një mjedis më i mirë për të bërë biznes. Kemi një projekt të veçantë, “Bosmip”. Ky projekt bashkëfinancohet me komunitetin europian në kuadër të zgjerimit të BE-së dhe nga fondet e IPA-s, me synimin e thjeshtë që të ndihmojmë federatat si “BiznesAlbania”, për t’u rritur dhe të jenë më të forta. Ky projekt ka parasysh vende si Shqipëria, Kosova apo Ballkani në përgjithësi, për të rritur kapacitetet e këtyre organizatave që janë të reja dhe të vogla. Është shumë e rëndësishme që këto organizata të kthehen në aktorë të rëndësishëm në vendet e tyre, për të pasur një shoqëri civile më të fortë.
A ka “BussinesEurope” ndonjë projekt konkret që do ta implementojnë në Shqipëri?
Bosmip si projekt nuk është vetëm për një vend, është për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në fakt ka tri aspekte. I pari është që t’ju ndihmojë për pranimin tuaj në Bashkimin Europian. Shqipëria është ende pak larg, por për shembull në Rumani apo Bullgari, Bosmip ka dhënë një ndihmë të madhe lidhur me BE-në. Kini parasysh që të bëhesh anëtar i BE-së do të keni 90 mijë faqe legjislacion për të përafruar që është pothuajse e pamundur. Kompanitë kanë një rol të veçantë, sepse sjellin shembujt e parë të zbatimit të këtij legjislacioni. Pra këto kompani luajnë një rol të madh në përgatitjen e vendit për anëtarësim dhe për ato 90 mijë faqet e famshme. Informacioni është shumë i rëndësishëm. E dyta, programi ynë ndihmon organizatat të bëhen më të forta, sepse në vendin tim, unë jam nga Holanda, kemi 180 njerëz që punojnë për këtë, dhe është një makinë e fortë lobimi, ndoshta lobimi më i fuqishëm në Holandë që përballet me qeverinë. Por, në vende si Shqipëria, organizimi është më i vogël, sekretariati ka tre-katër persona, nuk ka shumë para dhe ndonjëherë kanë probleme me lobimin te qeveria. Kjo e fundit, ndonjëherë, siç ndodh në Maqedoni, shfaq indiferentizëm total. Prandaj duam t’i ndihmojmë që të jenë një lob më i fuqishëm, që qeveria t’i dëgjojë. E treta është që ne do të na pëlqente të shihnim që ju të jeni pjesë e familjes. Në konferencë ka njerëz nga Sllovakia, Finlanda. Ashtu sikurse thashë që ne jemi 41, mbase ju një ditë mund të bëheni numri 42, sepse është shumë e rëndësishme të kesh miq në gjithë këto vende. Bashkë kemi më shumë fuqi.
Si e shihni “BiznesAlbania”-n dhe rolin e saj lidhur me lobimin që bëhet, në mënyrë që qeveria të dëgjojë zërin e biznesit?
Jam shumë i impresionuar nga ky zhvillim i menjëhershëm. Një vit më parë, apo dy vjet më parë, “BiznesAlbania” nuk ekzistonte. Në planin tim të parë për ardhjen në Ballkan nuk kisha planifikuar Shqipërinë, pasi nuk kishte një organizëm zyrtar. Tani, pas një viti, gjithçka ka ndryshuar. Ju keni një organizatë, “BiznesAlbanian”. Dje pata një takim me presidentin dhe zëvendëspresidenten, njerëz të biznesit dhe shumë impresionues, kanë një pozicion shumë të mirë, biznese të suksesshme dhe kanë ndërtuar një organizatë në mënyrë të shpejtë që ka pak a shumë një emër si i yni, pra “BussinesEurope” dhe “BiznesAlbania”. Jam shumë i impresionuar nga ajo që “BiznesAlbania” po bën. Mendoj se sfida për ta është lidhja zinxhir që ka ky lloj organizimi. Fillimisht duhet t’u japësh shërbime të mira anëtarëve të tu, dhe kjo sjell anëtarë të rinj. Por për të përfituar shërbime të reja duhen para, dhe për paratë sërish duhen anëtarë të rinj. Ky lloj zinxhiri duhet të thyhet dhe ndoshta projekte të këtij lloji që ne zhvillojmë mund të ndihmojnë. “BiznesAlbania” mendoj se është një organizëm shumë i rëndësishëm. Pashë që qeveria ishte sot këtu në konferencën e zhvilluar, ministri ishte këtu dhe guvernatori gjithashtu. Ajo që unë shoh është që “BiznesAlbania” ka një marrëdhënie shumë të mirë me qeverinë. Nëse shoh organizimin në këtë seminar dje apo dhe sot, cilësia e programit, cilësia e punimeve dhe marrëdhënia me qeverinë, do të thosha që janë shumë profesionalë, pasi ky është programi më i mirë që unë kam parë prej shumë vitesh në një vend dhe është i organizuar shumë mirë. Mendoj se “BiznesAlbania” është pozicionuar siç duhet në një kohë të shkurtër dhe qeveria e dëgjon.
Ç’mendoni për klimën e biznesit në Shqipëri?
Kjo është hera e parë që unë vij në Shqipëri dhe kam dëgjuar shumë sot. Gjëja më e mirë e juaja është që ju ende keni rritje ekonomike. Pra po menaxhoni mirë sepse në Europë ekonomia nuk po rritet, por po bie. Jam shumë, le të themi, “xheloz” për nivelin tuaj të taksave. Vij nga një vend ku taksimi zë 50 për qind dhe këtu mendoj se është 10 për qind për taksën e sheshtë, çka mendoj që është shumë atraktive. Sigurisht që keni probleme, për shembull me korrupsionin. Mendoj se problem është gjithashtu gjetja e parave, pra kapitali për financim. Nëse do të nisësh një biznes, si sipërmarrës i ri është vështirë të gjesh para dhe së dyti, të eksportosh nëse ke një plan të mirë biznesi, sërish është problem. Dhe për ta mbyllur, një problem i madh për ju është imazhi që ka Shqipëria. Ju duhet një Jukoviç, siç e ka Serbia lojtarin e tenisit. Ai ka bërë më shumë për Serbinë se të gjithë qeveria për 10 vjet. Ai është një ambasador pozitiv. Shqipëria ka një imazh jo dhe aq të mirë, të paktën në Europë, për shkak të korrupsionit apo problemeve të tjera. Në vend të kësaj, ju duhet ta ndryshoni imazhin tuaj përmes kompanive të suksesshme që unë kam parë sot këtu, apo turizmit, apo taksave të ulëta. Të thoni anët pozitive të Shqipërisë.
Cilët duhet të jenë sektorët ku duhet të investohet nga biznesi për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm?
Nga ajo që unë kuptoj, ju ende vareni shumë nga bujqësia. Mendoj se ky sektor ka nevojë për një reformë thelbësore. Ekonomia po ndryshon dhe po orientohet më shumë drejt shërbimeve. Për mendimin tim, Shqipëria duhet të orientohet drejt ekonomisë së gjelbër. Kjo ekonomi do të thotë qëndrueshmëri, eficiencë energjetike, energji të rinovueshme. Nëse jeni të fortë dhe po investoni në këto aspekte, atëherë është një sektor fitimprurës për të ardhmen. Sektorë të tjerë, si ekonomia dixhitale, janë të rëndësishëm. Gjithçka sot po bëhet më dixhitale. Gjëja më e mirë për Shqipërinë mendoj se është edukimi. Nëse do të keni një lidhje të mirë mes edukimit dhe tregut të punës, kombinuar kjo dhe me sistemin e taksimit, mendoj se Shqipëria do të jetë një destinacion atraktiv për biznesin. Por sërish problemi është imazhi. Kjo është e para që duhet të bëni.

Ulja e normës, Bregasi: Nuk po reflektohet nga bankat

Konferenca e BiznesAlbania “Zhvillimi i ekonomisë dhe bizneseve”

Fullani: Bankat janë likuide, biznesi, çelësi i zhvillimit

Luan Bregasi, kreu i BiznesAlbania

Kriza te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe mundësitë e reja për zhvillim në këtë situatë ishin tema e konferencës që “BiznesAlbania” organizoi dje në partneritet me “BussinesEurope” dhe me Fakultetin e Ekonomisë.
Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, vuri theksin në fjalën e tij në një sërë çështjesh të rëndësishme dhe adresoi thirrje drejt qeverisë dhe sektorit bankar për bashkëpunim. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të lidhura me uljen e normës së interesit të lekut, presidenti i “BiznesAlbania” vlerësoi pozitivisht nismën e Bankës së Shqipërisë, por, sipas tij, kjo ulje nuk është reflektuar në treg. “Bankat e nivelit të dytë nuk e kanë transmetuar këtë zbritje në normat e aplikuara prej tyre, kryesisht në koston e kredisë së akorduar sipërmarrjes private. Kërkohet prej Bankës së Shqipërisë që të monitorojë kostot e produkteve bankare dhe të stimulojë transparencë më të lartë prej bankave tregtare”, u shpreh Bregasi. Norma më të leverdishme të kredive apo produkteve të tjera bankare, sipas tij, do të mundësojnë që biznesi të ketë mundësi të financohet dhe të zhvillohet. Por jo vetëm sektori bankar duhet të tregohet më mbështetës për biznesin. Për presidentin e “BiznesAlbania”, edhe politika duhet t’i lërë mënjanë konfliktet dhe të bashkëpunojë për të ndihmuar biznesin në këto kohëra pasigurish të rritura për shkak të krizës. Kjo, sipas Bregasit, nënkupton votimin e legjislacionit që kërkon tre të pestat. Edhe më herët “BiznesAlbania” ka qenë ndër lobueset kryesore që ligji për Gjykatën Administrative të votohet sa më shpejt. “Përshkallëzimi krizës së rënduar ekonomike kërkon në mënyrë absolute stabilitet politik brenda vendit, çka do të thotë më shumë dialog mes klasës politike shqiptare. Për 2-3 ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që biznesi i ka të nevojshme, duhen urgjentisht të miratohen nga Parlamenti shqiptar. Asnjë ndryshim ligjor nuk duhet të miratohet pa diskutime të posaçme nga shoqatat dhe komuniteti i biznesit” u shpreh ai. Bregasi iu drejtua një paneli që përfshinte në vetvete të ftuar si nga qeveria, ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, ashtu dhe nga sektori bankar, ku i pranishëm ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Mes të ftuarve ishin edhe shumë ekspertë të ekonomisë së huaj dhe vendas.
Guvernatori
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, vlerësoi se biznesi është çelësi i rritjes ekonomike dhe se Banka e Shqipërisë gjatë këtyre kohëve ka qenë mjaft aktive për të dhënë nxitjet e duhura edhe përmes normës së interesit. Ashtu sikurse ka konfirmuar më herët, Fullani u shpreh se nga kriza mund të nxirren përfitime nëse veprohet siç duhet. Në këtë kuadër ai e nxiti biznesin që të jetë më i pirur për plane biznesi, të cilat do të mbështeten nga sektori bankar, i cili është likuid. “Bankat janë të përgatitura dhe të gatshme për t’iu përgjigjur tregut kreditues. Sistemi bankar është likuid dhe ka kapitale të mjaftueshme për të mbështetur ekonominë e vendit”, tha Fullani.

Axhenda
Konferenca me titull “Zhvillimi i ekonomisë dhe i bizneseve të vogla e të mesme në kushtet e krizës dhe prezantimi i mundësive të reja” i zhvilloi punimet dje dhe do të vijojë edhe ditën e sotme. Në axhendën e saj përfshihen punime të një sërë ekspertësh shqiptarë dhe të huaj. Në fokus sot axhenda e konferencës do të ketë punime mbi sistemin fiskal të Shqipërisë dhe kërkesave të kontabilitetit apo edhe arsimimi, si një pikë kyçe në zhvillimin që kanë SME-të, si dhe përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë. Konferenca do të mbyllë punimet në mesditë me fjalën e presidentit të “BiznesAlbaia”, Luan Bregasi.

Ekspertët: Stafet profesionale dhe markat janë zgjidhja
Kompanitë e mesme dhe të vogla janë ato që i vuajnë më shumë krizat. Për ekspertin Sherif Bundo, anëtar i bordit të “BiznesAlbania”, këto biznese, pas krizës mbeten “të hutuara” duke mos ditur të menaxhojnë situatën. Pikërisht për të reaguar në kohë dhe në mënyrën e duhur, sipas Bundos, investimi më i mirë do të ishte në staf të kualifikuar, bizneseve të vogla dhe të mesme duhet t’u ofrohet asistencë, që qartëson reagimin e tyre në kohë të vështira. Ndërkohë, një tjetër ekspert i pranishëm në panelin e konferencës së djeshme ishte edhe Bahri Musabelliu, dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në UBT. Sipas Musabelliut, për Shqipërinë problemi nuk është prodhimi, por mungesa e orientimit të këtij prodhimi aty ku duhet për shkak të mungesës së markës, “pra të prodhosh, por të mos dish çfarë prodhon”.

Sistem më të lirë inspektimi
Naço: Kredi me interesa të ulëta për biznesin

Nasip Naço

Gjetja e mjeteve financiare konsiderohet si një nga vështirësitë me të cilat haset biznesi në kohë krize, por ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, u shpreh dje se biznesi do të ndihmohet me financim me interesa të leverdishme. Gjatë fjalës së tij në konferencën e “BiznesAlbania”, Naço theksoi se në bashkëpunim me donatorët, qeveria po siguron kredi me interesa të ulëta. “Qeveria po mundëson që në bashkëpunim me donatorët të sigurohen kredi me interesa edhe më të ulëta nga ato që ofron tregu bankar. Nëpërmjet zbatimit të programit italian për financimin e SME-ve, nga linja e kredisë prej 25 milionë eurosh deri tani kanë përfituar 62 projekte në vlerë prej 13,8 milionë euro. Gjithashtu është bërë operativ dhe fondi i garantimit të kredive prej 2,5 milionë eurosh”, tha Naço. Ai inkurajoi biznesin që të jetë aktiv në kërkesat ndaj qeverisë, duke paraqitur propozime konkrete pranë METE-s. Ministri bëri me dije se në sistemin e ri të inspektimit do të ulet kostoja që SME-të paguajnë. “Sot biznesi shqiptar inspektohet mesatarisht 45 ditë në vit, me një kosto afërsisht 1000 euro në vit për çdo biznes. Në sistemin e ri të inspektimit, një biznes do të inspektohet jo më shumë se 15 ditë në vit, me një kosto disa herë më të ulët”, tha ai.

NERTILA MAHO


© Panorama.al

Te lidhura