
Presidenti Bregasi takon krerët e zyrave tregtare të Greqisë e Francës.
BiznesAlbania ka marrë zyrtarisht ftesën që çdo vit të bëhet pjesë e nismës “Ditët e Shqipërisë” në Paris dhe që do t’i shërbejë promovimit të vendit. Kjo ftesë është bërë gjatë takimit që presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, pati me zyrtarë të zyrave tregtare të Greqisë dhe Francës. “My-safirëve”, kreu i BiznesAlbania u bëri një përshkrim të panoramës mbi atë çka BiznesAlbania ka bërë qysh nga krijimi i saj, por dhe mbi synimet që ajo ka vendosur në vijim. Në takimin e tij me këshilltaren e parë për çështjet ekonomike e tregtare të Ambasadës së Republikës së Greqisë në Tiranë, Chrysanthi Passadi, presidenti i BiznesAlbania vlerësoi kontributin që biznesi grek ka pasur në vendin tonë në një sërë sektorësh të rëndësishëm ku ka investuar. Po kështu ai theksoi edhe rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit. Në të njëjtën rrjedhë kanë qenë dhe propozimet e këshilltares, e cila, pasi vlerësoi punën dhe rolin e BiznesAlbania-s, theksoi se ka ardhur koha që përpjekjet e bizneseve të të dyja vendeve të jenë të përbashkëta, duke shtuar se edhe kriza mund të jetë e përbashkët. Në këtë kuadër, ajo shtroi mundësinë e hartimit të një plani të përbashkët bashkëpunimi, që u prit me interes nga presidenti i BiznesAlbania-s, Bregasi. Takimi tjetër tepër i

rëndësishëm ishte ai me komisionerin tregtar të UBIFRANCE, përfaqësues francez për zhvillimin dhe promovimin e ndërmarrjeve në Ballkan, Michel Bauza. Gjatë takimit ai u interesua mbi rolin e BiznesAlbania. Presidenti Luan Bregasi dha edhe detajet kryesore lidhur me punën e kësaj organizate dhe sidomos qëllimet për të ardhmen. “Tashmë jemi një autoritet i padiskutueshëm në mes të sipërmarrjes dhe administratës publike, BiznesAlbania do të vijojë të forcojë rolin e saj si zëri i biznesit të Shqipërisë”, u shpreh Bregasi. Përfaqësuesi francez i UBIFRANCE, Bauza, në këtë takim bëri edhe propozime konkrete për biznesin shqiptar, pjesë e BiznesAlbania, mes të cilave nismën për të pasur çdo vit “Ditët e Shqipërisë” në Paris. Nga ana tjetër ai i ftoi kompanitë shqiptare anëtare të BiznesAlbania, të marrin pjesë në forumin ekonomik që do të zhvillohet në Sofje të Bullgarisë në korrik të këtij viti. Lidhur me këto pika diskutimi, presidenti i BiznesAlbania në mbyllje të takimi theksoi se do të ketë një program konkret të shkuar në kuadër të vendosjes së standardeve të reja të komunikimit me kompanitë franceze që duan të investojnë në Shqipëri.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











