Bixhoz me paratë e prostitutave në Itali, kapet tutori shqiptar

Aug 26, 2011 | 12:58
Ilir Kadiu

BOLONJE – Një shtetas shqiptar 30 vjeç është arrestuar dje nga policia, me akuzën e shfrytëzimit të vajzave rumune për ushtrim prostitucioni. Sipas hetimeve të policisë italiane, mësohet se prej tre muajsh shtetasi shqiptar, i identifikuar me emrin Ilir Kadiu, me anë të dhunës, shantazheve dhe detyrimit, i ka detyruar vajzat rumune të kryenin ushtrim prostitucioni. Vajzat e shfrytëzuara mësohet se kanë qenë të moshës nga 18 deri në 24 vjeçe. Shqiptari akuzohet se ka marrë një banesë me qira dhe i ka shfrytëzuar vajzat në këtë shtëpi, derisa njëra prej tyre bëri denoncim në polici. Apartamenti ku janë shfrytëzuar vajzat ndodhej në qendër të Crevalcore, në Bolonja. Ka qenë prokurori i këtij qarku, Giampiero Nascimbeni, ai që lëshoi urdhër-arrestin për shqiptarin. I gjithë hetimi filloi, pasi vajza 18-vjeçare nga Rumania denoncoi në polici zhdukjen e kushërirës së saj 24 vjeçe. Sipas denoncimit të vajzës, 24-vjeçarja kishte humbur rrugën dhe nuk ishte kthyer në banesë. Megjithatë, hetuesit nuk besuan se rrjedha e ngjarjes ishte kaq e thjeshtë. Sipas hetimeve që u zhvilluan më pas, shqiptari i ndante vajzat nga njëra-tjetra dhe ushtronte dhunë ndaj tyre, përfshi edhe kërcënimet e rrahjet fizike në rrugë. Policia njoftoi se nga të dhënat e grumbulluara gjatë hetimit është arritur të faktohet se shtetasi shqiptar i shpenzonte fitimet e veprimtarisë së vajzave duke luajtur në makina pokeri. Pasi policia ka arritur të dokumentojë veprimtarinë e shtetasit shqiptar, menjëherë është bërë ndërhyrja në banesën ku ai qëndronte në Crevalcore, Bolonja. Gjatë aksionit, policia kreu kontroll në shtëpi dhe gjeti një armë shotgun, rreth 1.000 euro në kartëmonedha të madhësive të ndryshme dhe materiale të tjera, që tregonin për aktivitetin e kryer në banesë nga vajzat. Policia tha se në banesë ka sekuestruar një sasi prezervativësh. Pas aksionit, policia ka marrë në pyetje vajzat, të cilat thanë se kryenin takime me klientët në apartamentin e marrë me qira nga shtetasi shqiptar. Nga deklarimet që ka mbledhur policia, është mësuar se vajzat rumune ishin shfrytëzuar edhe në Anzola e Emilia, Modena dhe Cervia, përveçse në Crevalcore, ku ndodhej apartamenti i marrë me qira nga Ilir Kadiu.

© Panorama.al

Te lidhura