Bisedimet, Thaçi: Serbia, me paktin njeh Kosovën

Feb 24, 2012 | 10:49

Hashim Thaçi

Tadiç në telefon me Ashton, Vestervelle vizitë surprizë në Beograd

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa u shpreh optimist për bisedimet, tha se “Sot, me marrëveshjen në Bruksel, Serbia njeh pavarësinë e Kosovës”. Thaçi u shpreh i bindur se Beogradi dhe Prishtina do ta arrinin marrëveshjen në Bruksel, përpara se bisedimet të mbylleshin. “Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës me marrëveshjen që do të arrihet sot në Bruksel. Ajo do të pranojë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa Rezoluta 1244 është e vdekur dhe kështu do të mbetet”, është shprehur ai për të përditshmen kosovare “Express”. Thaçi ka deklaruar pas vizitës së zv.sekretarit amerikan të Shtetit, Uilliam Bërns, se ishte arritur një marrëveshje për ta përfaqësuar Kosovën me një fusnotë që do të përmbajë Deklaratën e Pavarësisë, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (se shpallja e pavarësisë nuk është shkelje e ligjeve ndërkombëtare) dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Zyrtarët serbë janë shprehur se përmendja e Deklaratës së Pavarësisë ishte e papranueshme, por do të gjendej një kompromis mbi citimin e Rezolutës 1244 dhe opinionit të Gjykatës në Hagë.
Vizita e Fajon dhe MSA-ja
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, beson se nënshkrimi i marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale, nën referencën e Rezolutës 1244, i sjell vendit marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Komentet e tij u bënë gjatë takimit dje në Prishtinë me raportuesen e Parlamentit Europian për çështjen e vizave, Tanja Fajon. “Nëse sot bëhet publik fillimi i procesit të një studimi të fizibilitetit për nënshkrimin e marrëveshjes së asociim-stabilizimit, kjo lëvizje do të ishte për vendin një hap prej disa vitesh përpara, deklaroi Hoxhaj. Ndërsa eurodeputetja Fajon, e cila u takua edhe me Kryeministrin Thaçi pa deklarata për mediat, e ka cilësuar marrëveshjen si instrument për të fituar njohjen e pesë vendeve të BE-së. “Pres që shumë shpejt të arrijmë të fitojmë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së. Mendoj se po shkojmë në drejtimin e duhur dhe nëse e marrim lajmin e mire nga Brukseli, kemi të drejtë të besojmë se do të krijohen mundësitë e reja”, u shpreh ajo.
Vestervelle në Beograd
Ndërkohë ministri i Jashtëm gjerman bëri dje një vizitë surprizë në Beograd, ku diskutoi me zyrtarët e lartë atje mbi bisedimet me Kosovën dhe statusin kandidat të Serbisë. Ndërsa vlerësoi përpjekjet e Serbisë për marrjen e statusit, ministri Guido Vestervelle, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, bëri presion që të shkohet përpara në bisedimet me Kosovën. Ndërsa Presidenti serb, Boris Tadiç, ka diskutuar dje në telefon më kryediplomaten e BE-së, Katerin Ashton, e cila ka prekur temën e bisedimeve me Kosovën. Tadiç është shprehur se “Rezoluta 1244 mbi Kosovën përfaqëson një faktor të paevitueshëm për Serbinë”.

Barrikadat
Në zonën neutrale mes Kosovës e Serbisë, dhjetëra persona kanë hequr barrikadën dhe kanë prishur tendën në të cilën rrinin serbët. Sipas mediave serbe, personat që kanë hequr barrikadën kanë ardhur nga drejtimi i Rudnicës dhe kanë qenë të maskuar. Nuk janë regjistruar incidente.

Dell: LDK po renditet ndër partitë antiamerikane e antieuropiane

Ambasadori Dell

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka sulmuar nëpërmjet një interviste në “Zërin e Amerikës” partinë LDK dhe forcat e tjera politike që janë kundër marrëveshjes së përfaqësimit rajonal, se po renditen si parti antiamerikane e antieuropiane. Dell tha se pajtimi me mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale është në favor të Kosovës. Ai theksoi se SHBA-të nuk do të kërkojnë kurrë nga Kosova që të bëjë diçka që do të dëmtojë sovranitetin, pavarësinë apo tërësinë e saj territoriale. “Fusnota, edhe pse do të jetë e tillë në histori, nuk e dëmton Kosovën, e rëndësishme është që vendi të hyjë në organizata ndërkombëtare”, tha ai. Duke u pyetur për kritikët e fusnotës, Dell tha se: “Ju duhet të ecni përpara dhe jo të rrëmbeheni nga simbolet. Ky është gabimi historik që po bën si parti Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti, në kohën kur drejtohej nga dr.Rugova, ishte pjesë e plotë e të gjitha proceseve që ndihmuan Kosovën të fitojë pavarësinë. Ajo çka shohim sot është një prapakthim, ku LDK po e radhit, për fat të keq, vetveten me partitë që janë antiamerikane e antieuropiane”, akuzoi Dell.

© Panorama.al

Te lidhura