
Kushtet e dy partive me të cilat Demokracia e Re kërkon të bëjë koalicionin qeveritar, ishin “surprizë” dhe shkaktuan diskutime edhe brenda PASOK e DIMAR. Të dyja këto parti të majta kanë rënë dakord për pjesëmarrjen në qeverinë e re të vendit, por nuk duan që pjesëmarrja të jetë me figura të konsumuara politike. Sot në mëngjes, lideri i PASOK, Evangelos Venizelos, do të mbledhë sërish partinë e tij për të vendosur se si do të sillen përfundimisht në këtë koalicion, para mesditës, kur skadon edhe afati i Samaras për të krijuar qeverinë. Sipas mediave greke, në qeverinë “e vogël” me 15 ministra dhe 20 zv.ministra, siç pritet të jetë skema e re, kreu i PASOK, Venizelos, ka deklaruar se nuk do të jetë zëvendëskryeministër dhe se partia e tij nuk do të marrë pjesë në qeveri me drejtues të njohur apo ish-ministra. Brenda PASOK kjo deklaratë ka shkaktuar debate të ashpra, me një pjesë të kryesisë që argumentonin se një qeveri me një përbërje të tillë do të ishte “e pambrojtur” dhe se nevojitej një qeveri efektive kombëtare. Ndërsa kreu i koalicionit të majtë, DIMAR, me kryesim të së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis, ka pranuar në parim të jetë pjesë e qeverisë, por pa pjesëmarrjen e drejtuesit të partisë në të. Kjo sugjeron se DIMAR do të hyjë në qeverinë e re pa figura politike. Për kreun e “Demokracisë së Re”, Antonis Samaras, nuk ka pasur kundërshtime që të jetë kryeministri i ri i vendit as nga Venizelos e as nga Kuvelis. Megjithatë, diskutimet vazhdojnë për ndarjen e ministrive kryesore. Mediat lokale raportojnë se Demokracia e Re kërkon ministritë e Financave, të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes, të Rendit, të Drejtësisë, të Zhvillimit, Turizmit e Anijeve. Në qeverinë e re të Samaras pritet të marrin pjesë edhe politikanë, edhe teknokratë. Pasditen e djeshme në Parlament u takuan përfaqësues nga të tria partitë që kanë rënë dakord për të formuar koalicionin pro qëndrimit në eurozonë dhe respektimit të masave të kursimit, për të përcaktuar përbërjen dhe programin e përbashkët të qeverisë së koalicionit të ri. Diskutimet kanë vazhduar edhe gjatë mbrëmjes.
Rreziku i ri i eurozonës
Spanja, ekonomia e katërt më e madhe në eurozonë, tashmë është e rrezikuar financiarisht për shkak të reaksionit zinxhir që shkaktoi në eurozonë kriza e borxhit të Greqisë. Zgjedhjet e përsëritura në Greqi ndodhën për shkak të lëkundjes së qeverive nga protestat kundër masave të kursimit që kërkuan si kusht huaje kreditorët ndërkombëtarë. Ndërsa Spanja thuhet se ka nevojë reale për një paketë shpëtimi, për të cilën investimi që duhet të bëjnë kreditorët, është dy herë më i madh se paketat për partnerët e tjerë të eurozonës, si Greqia, Portugalia e Irlanda së bashku.
Debate në G20
Liderët botërore në Samitin e G20 në Meksikë kanë përqendruar vëmendjen e tyre në krizën e eurozonës, e cila nisi me Greqinë duke e cilësuar atë si “rreziku i vetëm më i madh për ekonominë botërore”. Kryeministri britanik, David Kameron, i kërkoi Gjermanisë të marrë hapa vendimtarë drejt unionit bankar e fiskal, i cili do të ndihmonte sipas tij eurozonën të funksionojë siç duhej. Megjithatë, presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, sulmoi kritikët e menaxhimit të krizës në eurozonë, duke deklaruar se kriza ekonomike botërore nuk nisi në Europë, por erdhi nga SHBA. Pas thirrjeve për të gjetur një zgjidhje, Hose Manuel Barroso deklaroi se “origjina e krizës ishte në Amerikën e Veriut”, me rrëzimin e produkteve financiare të lidhura me pronat e patundshme.
Merkel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila është përgjegjësja kryesore për propozimet mbi menaxhimin e krizës së borxheve në eurozonë, tha dje se “Kemi pasur diskutime shumë intensive mbi rreziqet që duhet të merren për një rritje të qëndrueshme ekonomike. Ka fusha të ndryshme që shkaktojnë shqetësime, përfshirë çështjen e konsolidimit të buxhetit në SHBA dhe politikat ekonomike në disa vende në zhvillim”. Mbi presionin për europianët, Merkel tha se “Është e qartë se ne kemi probleme në eurozonë dhe se është e nevojshme të veprojmë, gjë për të cilën ne jemi të angazhuar. Sa për Greqinë, kam folur me kryetaren e FMN-së, Kristine Lagarde. I kam kërkuar të dërgojë shpejt në Greqi delegacionin e Trojkës. Përpara se ne të veprojmë, duhet të presim raportin e Trojkës. Rregullat duhet të respektohen”, tha ajo.











