Bisedimet Kosovë-Serbi, Thaçi do bashkim si në Rambuje

Aug 24, 2012 | 12:48
Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga opozita e Kosovës bashkim si ai i Rambujesë për të bisedimet e reja me Serbinë, që ka shumë gjasa të përfshijnë edhe çështje të rëndësishme politike, përveç atyre teknike. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, Thaçi tha se “Në bisedimet që u zhvilluan në Rambuje dhe në Vjenë, të gjitha forcat politike në Kosovë u bashkuan për të mirën e Kosovës. Unë atë kohë kam qenë në rolin e kryeopozitarit duke lënë mënjanë politikat ditore, smirat, xhelozitë dhe intrigat politike. Duke vënë përpara vetëm interesin e qytetarëve të Kosovës, unitetin dhe me të vërtetë kemi pasur sukses të plotë. Derisa erdhëm edhe te dita më fatlume e kombit tonë, 17 shkurti 2008, kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia”, tha Kryeministri kosovar. Sipas Thaçit, “Çdo konformitet, qoftë edhe spontan, është i dëmshëm në këtë kohë për vetë të ardhmen e Kosovës. Mbasi fqinjësia e mirë është kusht i rëndësishëm për këtë perspektivë që kemi jo vetëm ne si Kosovë, por edhe si Ballkan, si rajon e më gjerë”, shprehet Thaçi nga Nju Jorku. Kryeministri i Kosovës ka theksuar se “Qeveria e Kosovës do të zhvillojë një dialog të brendshëm me 30 mijë serbët në Veri për integrimin e tyre brenda Kosovës, ligjeve dhe rendit të Kosovës, dhe kërkon të largohen të gjithë pjesëtarët e MUP të Serbisë nga ajo pjesë e territorit të Kosovës”. Kryeministri Thaçi ka akuzuar Serbinë për tendenca të përfshirjes në procesin e privatizimit në Kosovë, procesin e njohjes së Kosovës, marrëdhëniet e shkëlqyera me SHBA-të etj.

© Panorama.al

Te lidhura