
Birra Korça ka mundur që të trefishojë eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një periudhë të shkurtër kohore, ndërkohë që një strategji e qartë biznesi do ta bëjë atë prezente në shumicën e shteteve amerikane.Përfaqësuesi i kompanisë amerikane që ka marrë përsipër eksportin dhe distribucionin e Birrës Korça në SHBA, Artur Lilo, në një intervistë për gazetën, shpjegon edhe detajet e suksesit të Birrës Korça.
Si ka ecur eksporti i Birrës Korça në SHBA që nga fillimi i kësaj sipërmarrjeje?
Eksporti i Birrës Korça drejt SHBA-ve ka filluar prej dy vitesh. Për kohën në të cilën ka filluar, ka ecur mjaft mirë. Është një birrë që është pëlqyer në disa shtete të Amerikës, në të cilat tashmë është prezente, ku mes të tjerash mund të përmend këtu shtetin e Bostonit. Jo pa qëllim qendra e kompanisë që merret me eksportin u vendos në këtë shtet, pasi këtu ka një përqendrim të madh shqiptarësh, sidomos korçarë, që e njihnin këtë produkt më herët dhe që menduam t’ua çonim birrën e parë shqiptare në vendin ku ata jetojnë.
Si është në shifra eksporti i Birrës Korça nga fillimi deri në momentin aktual?
Nga fillimi e deri tani eksporti është trefishuar. Ngarkesa e parë prej dy kontejnerësh është nisur drejt Bostonit në dhjetor të vitit 2010. Në muajin qershor janë nisur edhe tre kontejnerë të tjerë me Birrën Korça për shkak të kërkesës në rritje. Tashmë them me bindje se ky produkt është cilësor dhe tregtohet me kushtet më të mira të mundshme të shtetit amerikan dhe me standardet e tyre. Ne jemi munduar t’i përshtatemi këtij tregu që nga mënyra e ambalazhimit, ku Birra Korça tregtohet edhe me një ambalazh me 6 shishe, apo i njohur si “six pack”, që në Shqipëri nuk ekziston. Edhe kjo risi ka ecur me sukses dhe ka gjetur vetveten në tregun amerikan.
Shqiptarët që jetojnë në Amerikë do të ishin trageti kryesor i Birrës Korça për fillimin, duke qenë se ata e njihnin këtë birrë më herët. Sa i përket konsumatorit amerikan, sa ka mundur të depërtojë Birra Korça te ky konsumator?
Fillimi ishte i vështirë, por lehtësohej nga fakti që shqiptarët e njihnin Birrën Korça. Me kalimin e kohës, falë cilësisë së produktit dhe përpjekjeve që janë bërë për publicitetin, edhe shtetasit amerikanë filluan ta pëlqejnë shijen e Birrës Korça, e cila është karakteristike dhe totalisht e veçantë nga birrat e tjera që eksportohen dhe prodhohen në Amerikë. Pra, ka ecur mjaft mirë edhe te konsumatori amerikan.
Cilat janë objektivat afatgjatë për rritjen e eksportit drejt SHBA-ve?
Kemi ide të qarta sa i përket eksportit të Birrës Korça në Amerikë. Jo më larg se një javë më parë kemi nënshkruar kontratën me disa distributorë të fuqishëm në SHBA, të cilët kërkojnë sasi relativisht të konsiderueshme të Birrës Korça. Ne mendojmë që në muajt në vijim, duke filluar që nga fundi i gushtit, kur do nisen edhe tre kontejnerë të tjerë me Birra Korça drejt SHBA-ve, rritja e eksporteve do të jetë e konsiderueshme. Kjo ngarkesë synohet që të mbulojë nevojën të paktën të dy shteteve ku komuniteti ka kërkesë. Ne po ecim me një strategji të mirëpërcaktuar, e cila do të shtrihet në disa faza. Kemi filluar nga marsi, ku shitjet janë përqendruar me shumë në shtetin e Masachusets, pas marsit, në maj, kemi shtrirë shitjet në shtetin e Uesterit, të cilat kanë ecur mjaft mirë. Në shtator do të përhapet në shtetin e Konektikatit dhe Rod Ajlend, ndërsa ngarkesa e fundit, në gusht, është e destinuar për Nju Jorkun. Për vitin tjetër, nga fillimi i pranverës, është parashikuar faza e dytë e zgjerimit të tregut. Territori i Birrës Korça do të përfshijë edhe shtete të tjera, si Pensilvani, Nju Xhersi, Çikago dhe Miçigan, ku ka dhe një komunitet të madh shqiptarësh që do të jetë mbështetja fillestare për këtë produkt. Ndërkohë që faza e tretë e zgjerimit do të jetë shpërndarja në Jugun e Amerikës, në shtetet e ngrohta, si Florida, Kalifornia, Arizona, Nevada, por dhe çdo shtet tjetër ku ka komunitet shqiptarësh dhe ka interes për të pasur produktin të pranishëm në treg.
NERTILA MAHO











