Nënkampionët e Europës nuk do ta kenë të lehtë përballjen ndaj Francës. Sipas statistikave nuk ka favoritë. Në pesë ndeshjet e fundit, Gjermania nuk ka fituar asnjë prej tyre. Së fundmi, në Paris ata kanë dalë me një barazim pa gola (12 nëntor 2005). Gjithashtu, vitin e kaluar, të dyja përfaqësueset nuk kanë humbur asnjë ndeshje, çka vërteton edhe më shumë baraspeshën mes tyre. Bilanci total mes tyre është negativ për “Pancerat”. Në 23 përballjet mes tyre, Gjermania ka fituar 7 dhe humbur 10 prej tyre, ndërsa 6 herë kanë dalë barazim. Golavarazhi mes tyre është 39 të shënuar nga gjermanët dhe 38 nga francezët. Fitorja e fundit e Gjermanisë daton 24 vjet më parë. Më 12 gusht 1987, gjermanët fituan 2-1 falë dopietës së ish-sulmuesit Rudi Fëler në “Olimpiashtadion”. Në “Vesershtadion”, Gjermania ndihet me fat. Në nëntë ndeshje ndërkombëtare, ata kanë fituar 5, barazuar 3 dhe kanë humbur vetëm një herë me golavarazh 20 të shënuar, 6 të pësuar. Gjithsesi, trajneri Joakim Lëv është optimist dhe pohon se do luajë për të prishur tersin. “Nuk do jetë e thjeshtë ndaj Francës, pasi kanë formuar një ekip kompakt me kualitete shumë të mira. Për më tepër, Franca, ashtu si ne, nuk ka humbur asnjë ndeshje. Riberi është rreziku më i madh”,- tha trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, i cili përflitet se do lërë në stol sulmuesin Gomez, duke i besuar Kloses shiritin e kapitenit.
Klose titullar, Gomez në stol
Kombëtarja gjermane do vuajë mungesën e 6 lojtarëve në miqësoren e luksit kundër Francës. Të mërkurën, në orën 20:45, në “Veser-shtadion”, trajneri Joakim Lëv duke hequr dorë nga nominimet e tjera, do të ketë të gatshëm 18 lojtarë. Përveç dy kapitenëve, nuk do jetë as Podolski, Gëce, Mertesaker dhe Sven Bender. Filip Lahm pati një dëmtim në gju, ndërsa Bender u dëmtua në fytyrë në sfidën ndaj Hanoverit dhe, për të bindur trajnerin, ai ia dërgoi foton me telefon. Duke qenë se të dyja kombëtaret nuk kanë pësuar humbje vitin e kaluar, trajneri Lëv u trembet “gjelave”.











