Ai shkruan vargje për veten dhe për të tjerët. Në të gjitha rastet ka ndjenjë, sepse është një reper me klas. Kësaj here ka vendosur të shfaqet me një duet të zhurmshëm me këngëtaren kosovare Vesa Luma, ndërsa këndojnë bashkë në klipin me titull “Boom”. Për herë të parë reperi i njohur, Big Basta, tregon se çfarë fshihet pas këtij bashkëpunimi, dhe mbyllja prej disa muajsh në studion muzikore ku po punon për albumin e tij të dytë
Sapo ke publikuar një klip me Vesa Lumën, që titullohet “Boom”. Si lindi frymëzimi për këtë këngë të re, dhe pse një titull i tillë?
Bashkëpunimi me këngëtaren e talentuar Vesa Luma lindi krejt natyrshëm. Ne jemi miq të vjetër që nga “Dancing With The Stars”, dhe duke punuar për këtë këngë bashkë, menduam që ishte shumë më mirë që të bëja dhe unë pjesën time rep. Dhe rezultoi shumë mirë.
Ndërkohë për miqësinë me Vesën pati shumë komente. Ti vetë si Big çfarë mund të thuash rreth këtij dueti, çfarë miqësie fshihet pas këtij bashkëpunimi?
E komentoj ashtu siç është, një miqësi shumë e mirë që kurorëzohet me këtë bashkëpunim dhe projekt që unë mendoj është shume “stil” në mënyrën se si vjen te publiku.
Për realizimin e këtij klipi, i është përshtatur Vesa stilit tënd apo ti Vesës?
Secili ka dhënë atë që përfaqëson, kjo është e bukura dhe e veçanta e kësaj kënge.
Por ndryshe nga disa repera të tjerë, je cilësuar si “reperi xhentëllmen”. Në fakt, një reper duhet të jetë domosdo djalë i prapë, apo pranohet dhe djalë i mirë?
Unë besoj tek ajo që secili reper të jetë vetvetja, s’ka rëndësi a je djalë i mirë apo i keq, rëndësi ka që të japësh diçka unike.
Ndërkohë, dimë që je duke punuar për një album të ri. Çfarë risie do të sjellin në karrierën tënde muzikore?
U bë disa muaj që jemi mbyllur në studio bashkë me kolegët e mi, dhe po punojmë shumë për albumin tim të dytë, të cilin dëshiroj ta publikoj këtë verë.
Cilët janë këngëtarët me të cilët do të realizosh duete përveç Vesës, dhe cila është këngëtarja femër të cilën e simpatizon në mënyrë të veçantë?
Bashkëpunimet do jenë të shumta këtë vit, mund të përmend vetëm disa emra si: Dj Blunt, Jonida Maliqi me të cilët jemi duke punuar dhe disa projekte së bashku dhe me Angelon. Emrat e tjerë të artistëve do të j’ua konfirmoj në intervistën tjetër.
Në vargjet e tua ka shumë ndjenjë dhe dashuri. I beson realisht dashurisë së ditëve të sotme, dhe për çfarë lloj dashurie shkruan ti?
I besoj shumë dashurisë dhe i besoj vetëm asaj dashurie që është 100 për qind e pastër, qoftë ajo kundrejt prindit, shokut, kolegut apo dhe njeriut të zemrës.
KLOTILDA HARKA











