Big Basta feston 25-vjetorin

Jul 9, 2011 | 12:43

U duk se u gëzuan të gjithë për Bigun. Një kupë të qeltë, si dhurata ideale për ditëlindjen e 25-të dhe muzikën e tij hip hop. Vit i bukur ky për Gerald Xharin i njohur si “Big Basta” duke filluar me klipin “Start”, shumë krijime për artistët e tjerë dhe një garë ndryshe në “Dancing with the stars”. Reperi tregon për emocionet e çmimit “Netët e Klipit Shqiptar”, me një këngë dedikuar muzikës së tij, dhe planet e verës në bashkëpunimet me Jonida Maliqin, Mc Kresha, Lirical Son, Dj Blond e artistë të tjerë:
Big Basta fiton kupën e “Netët e Klipit” një ditë para ditëlindjes së 25-të. Si u ndjeve, e prisje këtë çmim, si do ta komentoje këtë moment të karrierës tënde?
Në fakt në festivalin “Netët e Klipit Shqiptar” konkurruan shumë video të arrira në të gjithë komponentët e tyre nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Diaspora. Shpresat ekzistonin dhe nuk e prisja, por natyrisht përjetova emocione të bukura pasi u ndjeva i shpërblyer në artin tim. “E kam për zemër këtë klip me muzikë të Edlir Begollit e mbështetjen e “Zoom production” dhe Supersonic Production. “Muzikës sime” është kripi, ku përveç pranisë së këngëtares Beatrix Ramosaj, pas kuintave në xhirimet që u bënë në Teatrin e Kukullave kanë qenë dhe 25 çuna Tirone, miqtë e di që më kanë mbështetur.
Pse mendon se e fitove ti këtë edicion të 10-të të “Netët e Klipit”. Çfarë është pëlqyer te kjo këngë?
“Muzikës sime” është këngë e veçantë sepse i dedikohet pasionit tim për muzikën që unë bëj, mënyrën se si e perceptoj këtë rrymë për ta realizuar pastaj sa më bukur.
Është folur për një klip të ri tashmë, ku ti e vështron botën nga galaktika. Çfarë mund të na zbulosh?
Po është një këngë e re me titull “Bounce With The Star” , për krijimin e të cilit unë jam frymëzuar nga gara ime në “Dancing with the stars”. Shumë shpejt kënga do të shoqërohet me një videoklip. Në këngë flas për bashkëpunëtorët e mi dhe Tiranën tonë, ashtu siç do ta dëshironim të ishte. Do të ketë atmosferë verore që të bën të ndihesh në ekstazë dhe i gëzuar. Në klipin që po realizohet nga kompania serioze “Pulla”, do të shihni protagonistë disa artistë të njohur.
Do të shohim sërish një reper tipik, apo gara e “Dancing” të ka frymëzuar për t’u shfaqur me veshjen e zotërisë?
Tek ky klip nuk do vishem më me veshje hip hop-sti edhe pse prapë përfaqësoj rrymën time në muzikë. Kam menduar të shfaqem ndryshe kësaj here me këmishë e kostum serioz, si një djalë tashmë i pjekur në 25 vjetorin tim.
Tashmë emri yt përmendet shumë mes artistësh, ç’mund të na tregosh ndonjë bashkëpunim të ri?
Ka përfunduar regjistrimi i këngës “Kodi Sekret” ft. Real 1, pjesë e albumit “G Classic” nga Dj Blunt. Shumë shpejt edhe klipi i kësaj kënge.

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura