Bierhof: Sfida e dytë, “tersi” i Gjermanisë

Jun 13, 2012 | 15:55

Ish-kapiteni i Gjermanisë në vitin 1996, Oliver Bierhof, kërkon që Kombëtarja e tij të sjellë trofeun e katërt europian në shtëpi. “Pancerat” kanë shkëlqyer historikisht në ndeshjet e para, dhe këtë traditë e kanë mbajtur edhe në Europianin e 14-të në histori, kur mundën Portugalinë 0-1. Por, vështirësia më e madhe të paktën në dy turnetë e fundit, Euro 2008 dhe Botërorin 2010, ka qenë në ndeshjet e dyta në grup. Në edicionin e kaluar të Europianit, Gjermania humbi ndeshjen e dytë të fazës në grupe 1-2 kundër Kroacisë, por më pas shkoi në finale dhe e humbi ndaj Spanjës, ndërsa dy vite më parë në Botërorin e organizuar në Afrikën e Jugut “pancerat” humbën 0-1 kundër Serbisë dhe më pas u renditën të tretët në botë. Menaxheri aktual i Kombëtares gjermane, Oliver Bierhof, flet për një fitore ndaj “tulipanëve” në ndeshjen e radhës të këtij Europiani, por i frikësohet edhe tersit të ndeshjeve të dyta. Gjatë konferencës për shtyp ai e cilëson këtë ndeshje si një finale të vogël për Holandën, ku nënkampionët e botës luajnë për jetë a vdekje. “Në kampionatet e fundit kemi hasur gjithnjë vështirësi në ndeshjet e dyta, pasi për çudi jemi ndeshur me kundërshtarë të pakëndshëm dhe kemi humbur ndaj tyre”, kujton Bierhof. “Për Holandën do të jetë si një finale e vogël dhe si presioni dhe emocioni do të jetë i madh në të dyja kampet. Ne jemi të përqendruar maksimalisht dhe kemi besimin e duhur për ta fituar këtë ndeshje”,  shtoi ai. Gjithsesi, duke shpresuar që “tersi” i ndeshjes së dytë të mos i ndjekë në kompeticionin e tretë radhazi, ai vlerëson edhe forcën e kundërshtarit. “Holanda është shumë e motivuar. Atyre u duhet fitorja dhe luajnë për “jetë a vdekje”. Për ta do të ishte zhgënjim shumë i madh që të eliminoheshin kaq herët. Gjithsesi, përpos vlerësimit që kemi për potencialin e tyre, shpresoj që të mos na ndjekë tersi i ndeshjeve të dyta”, përfundoi ish-bomberi i Gjermanisë, i cili triumfoi në vitin 1996. Gjermania e ka fituar tri herë Europianin në 11 pjesëmarrje, ndërsa Holanda ka mundur të fitojë vetëm një herë në 9 pjesëmarrjet në Europian. Mosha mesatare e “Pancerave” është 25 vjet kundrejt holandezëve 27.7 vjet. Njëzet e tre “kokat” e Gjermanisë vlejnë 459 milionë euro, ndërsa “tulipanët” 277 milionë euro. Nënkampionët e Europës kanë në skuadër 4 legjionarë, ndërsa Holanda 16, duke treguar qartë dominancën e akademisë sportive.

Van der Vart
Mesfushori Rafael van der Vart ka humbur shpresat të jetë titullar kundër Gjermanisë, por ai nuk nguron të bëhet protagonist jashtë fushe, duke u shprehur se Holanda është më e përgatitur se “pancerat”. “Gjermania mund të luajë më mirë si skuadër, por ne kemi lojtarë më cilësorë, nëse do t’i krahasojmë një kundër një”, deklaroi Van der Vart, vendin e të cilit në skuadër e zë Uesli Shnajder.

Shnajder
Ylli holandez, Uesli Shnajder, nuk i trembet aspak euforisë dhe rrezikut gjerman. Ai u beson forcave të skuadrës dhe e cilëson Gjermanisë si një skuadër të ndëshkueshme. “Kam besim të çmendur që Gjermaninë jo vetëm që do ta ndëshkojmë, por edhe do ta mundim, si e vetmja zgjidhje për ne. Nuk ka panik, pasi nëse do tregoheshim më të kujdesshëm ndaj Danimarkës mund të kishim fituar 6-1”.

Tomas Myler
Mesfushori gjerman, Tomas Myler, e ka kërcënuar Holandën me skualifikim. Gjatë një interviste për “sport1”, ai shprehet se nuk ka shoqëri në fushë as me Robenin dhe as me Van Bomelin. “Qëllimi ynë është fitorja dhe duam sa më shpejt të presim biletën e të renditemi të parët në grup. Si lojtar gjerman nuk dua t’ia di se do të kem përballë kolegë të mi. Roben dhe Van Bomel do të jenë rivalë dhe s’do të pyesin për mua”.
Joakim Lëv
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, pret që kundër “tulipanëve” të tregojë armët e tij të më forta për të realizuar kështu para kohe kualifikimin në çerekfinale. “Të dyja skuadrat kanë një detyrë heroike për të bërë. Rivaliteti është i lartë mes nesh. Sfidat zyrtare ndaj tyre kanë qenë një legjendë më vete. Por, ajo çka ndodhi mes Rajkardit dhe Fëlerit, i takon së shkuarës. Ndaj nesh pres një Holandë ndryshe dhe mjaft të fortë”.

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura