Zbulohet dokumenti, në 2012 u shtuan sallat e bixhozit dhe pikat e basteve, por Ministria e Financave arkëton më pak para.
Njeriu i Bodes po dështon me arkën e shtetit dhe po rrit pikat ku luhet bixhoz.
Sa më shumë të shtohet varfëria dhe papunësia, aq më shumë shtohen loj-ërat e fatit. Në Shqipëri, zyrtarisht po vërtetohet si shtimi i varfërisë, ashtu edhe shtimi i lojë-rave të fatit.
Në një situatë të përgjithshme të rënduar ekonomike, ku faji kryesor erdhi si pasojë e pamundësisë së shteteve për të balancuar bilancet e tyre, shumë ekonomistë, përfshirë edhe FMN e BB, kanë rekomanduar rritjen e nivelit të taksave. Në Shqipëri, kjo nuk po ndodh. Ministri i Financave thekson në të gjitha daljet e tij publike se janë taksat e ulëta ato që sjellin më shumë të ardhura në buxhet. Përgjithësisht ka të drejtë, të ardhurat e doganave dhe tatimeve janë rritur nën këtë risi fiskale, por personalisht jo. Gazeta ka arritur të zbulojë një dokument nga Ministria e Financave dhe të dhënat zyrtare nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (NJMLF), se ministri i Financave, ose më saktë të emëruarit e tij direkt po dështojnë në administrimin e të ardhurave. Përgjegjësia në këtë rast është matematikisht e verifikueshme. Dhe jo me pak para, por me miliona nga muaji në muaj.
Sallat e bixhozit
Te dhenat per bastet
Në Shqipëri po lulëzojnë përditë e më shumë sallat e lojërave të fatit, bingove dhe basteve sportive. Dallohet qartë si në katet e para të pallateve dyqanet me aktivitete të ndryshme mbyllen për t’i liruar vendin sallave të bixhozit. Gazeta i kërkoi zyrtarisht të dhënat nga NJMLF nga janari 2011 deri në pjesën e parë të këtij viti. Përgjigjja ishte vërtetim i asaj që po ndodh. Në muajin mars 2012 ka 118 pika më shumë të basteve sportive. Në total, vendet ku vendosen baste për ndeshjet janë 1610. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kazinotë elektronike. Në mars të regjistruara në NJMLF janë 176 salla lojërash fati, ose kazinotë e vogla që lindin përditë në qytetet tona. Shkresa zyrtare e firmosur nga drejtori i NJMLF, Besnik Çobaj, pranon se për të gjitha llojet e bixhozeve ka rritje të numrit të sallave dhe bizneseve të hapura. Çobaj në përgjigjen e tij tregon se ka pasur mesatarisht 10 salla të reja me lojëra fati, me kompjutera, ka pasur rreth 300 pika të reja bastesh sportive, ndërsa numri iI bingove është i njëjtë, 20 nga viti në vit. Por një tjetër shkresë tregon se ndryshe nga rritja e numrit të sallave dhe pikave të bixhozit, kanë rënie të ardhurat.
Dështimi me të ardhurat
Krahasimi i te ardhurave
Besnik Çobaj është emëruar drejtor i Lojërave të Fatit në shtator të vitit 2011. Ai është një ndër njerëzit e ministrit të Financave, Bode, i cili e ka emëruar atë personalisht në disa poste të rëndësishme në Tatime dhe institucionet e tjera të varësisë së Financave. Por duket se njeriu i Bodes ka dështuar në punën e tij.
Në shtator të vitit 2011, Shqipëria numëronte 173 salla me lojëra fati dhe 1350 pika ku vendosen baste për ndeshje. Njësia e Lojërave të Fatit është përgjegjëse për mbledhjen e të ardhurave nga ky biznes. Të ardhurat mblidhen kryesisht sipas numrit të kompjuterave që ka një sallë. Mesatarisht për çdo kompjuter pronari i sallës së lojërave të fatit duhet të paguajë 100 mijë lekë në muaj. Për hapjen e sallës pagesa varion sipas qyteteve, nga 200-400 mijë lekë. Ndërsa për bastet tarifa që mbledh NJMLF, është 25 për qind e fitimit. Kjo formulë nuk ka ndryshuar nga shtatori i vjetshëm, kur të ardhurat nga “bixhozi” ishin 414.5 milionë lekë, ose rreth 4.145 milionë USD. Pas marrjes së detyrës nga Çobaj, ndodh edhe çudia. Njeriu i Bodes rrit numrin e sallave, pra licencave për hapjen e lojërave të fatit, kompjuterat ku luhet bixhoz dhe të basteve, por habitshëm ulen të ardhurat që duhet të mblidheshin. Që nga shtatori deri në shkurt, të ardhurat jo vetëm nuk janë rritur në proporcion me rritjen e numrit të sallave dhe basteve, por janë ulur në krahasim me të njëjtin numër. Njeriu i Bodes ka thyer rekordin e paaftësisë apo abuzimit në muajt dhjetor-janar. Shifrat flasin qartë. Në dhjetor në Shqipëri kishte 178 salla me kompjutera dhe 1525 pika bastesh sportive. Në nëntor Çobaj mblodhi 435,196 milionë lekë. Në janar, numri i sallave është 177, pra vetëm një sallë më pak, ndërsa numri i pikave të basteve rritet në 1529, pra 4 pika më shumë. Por çuditërisht të ardhurat bien ndjeshëm. Nga 435,196 milionë lekë të mbledhura në dhjetor, në janar Çobaj mbledh vetëm 429,980 milionë lekë. Pra rriten pikat ku luhet bixhoz, dhe ulen paratë e mbledhura. E njëjta gjë përsëritet në të gjithë muajt e administrimit nga Çobaj të të ardhurave nga lodrat e fatit. Po të marrim krahasimin me dy muaj të njëjtë, janar-shkurt, 2011-2012, atëherë abuzimi është i frikshëm. Të ardhurat nga janari 2011 në janar 2012 janë ulur me 10 milionë lekë, ndërsa janë shtuar 5 salla me kompjutera dhe 5 pika bastesh. E njëjta situatë, edhe nga krahasimi i muajve shkurt. Të ardhurat kanë rënë me 9 milionë lekë, ndërsa janë shtuar 35 salla bastesh dhe 9 salla kazinosh me kompjutera. Abuzimi
Rritet numri i sallave dhe ulet sasia e parave që duhen mbledhur. Në pamje të parë duket si evazion, por është shumë e vështirë të thuhet që Çobaj, kur kalon rrugëve të Tiranës apo qytete të tjera, nuk i shikon pikat e basteve dhe kazinove që lindin si kërpudha përditë. Logjika të çon në një tjetër drejtim ku mund të kenë shkuar paratë, por kjo është në përgjegjësinë e Bodes dhe njeriut të tij për ta saktësuar. Një gjë është e sigurt, bixhozi dihet që u merr paratë atyre që luajnë, kujt më shpejt dhe kujt më vonë- qeveria ka përgjegjësi që nga këto para të mbledhë taksat. Në këtë mënyrë mund të sigurohet se një pjesë e parave që shkojnë për bixhoz të kthehen sërish tek qytetarët, qoftë edhe atyre që luajnë, në shërbime publike. Por kreu i NJMLF, si njeriu i afërt i ministrit, po na kthen përditë e më pak para nga ato taksa. Ndërkohë që po i shton përditë e më shumë sallat e bixhozit apo basteve, për të na marrë më shumë para.
Karriera e Çobajt, nën varësinë e ministrit Bode
Drejtori i NJMLF, Besnik Çobaj
Karriera e tij duket se është e lidhur ngushtë me ministrin Bode, jo vetëm se ai është varësinë e ministrit të Financave, por ka qenë pjesë e operacioneve të ministrit në administratë. Çobaj e ka zëvendësuar dy vite më parë në detyrë kreun e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Ai zëvendësoi në atë kohë Hekuran Vladin, të akuzuar direkt nga Ministria e Financave për paaftësi, pasi ky i fundit bëri një denoncim të hapur në media. Bode e emëroi personalisht Çobajn në atë post dhe e mbrojti publikisht shkarkimin e paraardhësit të tij. Qartësisht Çobaj shkonte në pasuritë e sekuestruara si krahu i djathtë i Bodes. Por jo vetëm kaq, që pas vitit 2006, Çobaj ka pasur një CV të dërtuar direkt nga emërimet e ministrit Bode. Në vitet 2006-2007 ka qenë drejtor i Parandalimit te Pastrimit te Parave, në vitet 2007-2008, drejtor i Policisë Tatimore, në vitet 2008-2010 zv.Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, në vitet 2010-2011 drejtor i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe së fundi, kreu i Lojërave të Fatit. Të gjitha këto detyra kanë varësi direkte nga ministri i Financave, Bode. Dhe kuptohet që Ministria në të gjitha këto detyra ka vendosur njeriun e tij të besuar.