Bie zjarr te pavijoni i djegieve

Jul 20, 2011 | 10:55
Reparti ku ra zjarri te Spitali “Nënë Tereza”

Një pavijon i repartit të djegieve në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë u përfshi pasditen e djeshme nga flakët, duke u djegur pjesërisht.Fatmirësisht, zjarri ra në godinën që është në proces rikonstruksioni dhe flakët nuk shkaktuan plagosjen e asnjë pacienti, por vetëm disa dëme materiale. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se zjarri u konstatua rreth orës 17:00 nga roja që ishte në shërbim pranë derës së spitalit, i cili lajmëroi menjëherë forcat e policisë dhe shërbimet zjarrfikëse. Fillimisht, situata u raportua si mjaft e rëndë dhe stafi mjekësor e pacientët u alarmuan, duke qenë se nga pavijoni dilte shumë tym e flakët që mund të kalonin në anën tjetër të repartit, rrezikonin jetën e të shtruarave. Personeli mjekësor i ka nxjerrë nga dhomat pacientët, duke i vendosur ata në një vend më të sigurt. Forcat zjarrfikëse të mbërritura në vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit brenda pak minutave, duke parandaluar depërtimin e flakëve në godina të tjera të spitalit. Sipas specialistëve që kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes, pranë vatrës së zjarrit u konstatua se flakët dhe tymi kishte ardhur nga djegia e një kabulli elektrik. Burimet shpjeguan se kabulli mund të jetë dëmtuar gjatë punimeve që kryheshin në pavijon, nga ndonjë pakujdesi e punëtorëve dhe, për pasojë, ka ardhur shkëndija elektrike, që më pas ka djegur rrjetin e elektrifikimit. Dëshmitarë të ngjarjes thanë për policinë se tymi ishte shumë i dendur dhe u përhap me shpejtësi pothuajse në të gjitha katet e repartit të djegieve, ndaj për këtë arsye u dyshua se zjarri mund të rrezikonte jetën e pacientëve dhe stafit mjekësor. Brenda pak minutash pas shuarjes së zjarrit, situata në spital u kthye në normalitet dhe u konstatua se nuk pati asnjë person të lënduar nga zjarri, por as të asfiksuar nga tymi. Gjithashtu, burimet sqaruan se edhe dëmet materiale të shkaktuara janë të pakonsiderueshme, pasi gjithçka ndodhi në një godinë që po rikonstruktohej, nga e cila ishin hequr aparaturat e spitalit, që i shpëtuan djegies.

DESHMITARET

Policia ka pyetur disa prej dëshmitarëve që ndodheshin pranë vendit ku ra zjarri në QSUT. Një prej rojeve të spitalit, i cili ndodhej në shërbim në momentin e ngjarjes, ka treguar për policinë se tymi i dendur u përhap me shpejtësi brenda godinës dhe, për këtë arsye, ka nxituar të lajmërojë zjarrfikësit, duke dyshuar se zjarri kishte rënë brenda dhomave ku ndodheshin pacientët.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura