
Një studente e degës së Farmacisë gjeti vdekjen dje, pas pesë ditësh në gjendje kome.Vajza nga Tirana, kishte pësuar hemorragji cerebrale ditën e enjte, teksa ndiqte një orë leksioni në Fakultetin e Mjekësisë, dega Farmaci. Ajo menjëherë është dërguar në Spitalin civil të Tiranës nga pedagogu që po jepte leksion, i ndihmuar edhe nga disa studentë. Para se të humbiste ndjenjat, 23-vjeçarja Eni Sula ishte ankuar për dhimbje koke, që sipas saj, i vinte nga moti i nxehtë. Në momentin kur po i tregonte shoqes së saj të bankës se ndjehej keq, brenda pak sekondash studentes i ka rënë të fikët dhe i është përplasur koka mbi tavolinë. Ajo ka mundur të transportohet e gjallë në spital dhe mjekët kanë konstatuar se ajo kishte kaluar një hemorragji cerebrale që i shkaktoi koma. Për pesë ditë, vajza 23-vjeçare, e cila vazhdonte studimet për Farmaci, qëndroi në vdekje klinike, ndërsa mëngjesin e djeshëm ajo ndërroi jetë. Burime nga Policia thanë se studentes i është dhënë ndihma e parë nga prof. dr. Tritan Shehu, ish-zëvendëskryeministër, i cili ishte duke dhënë leksion në një sallë ngjitur me sallën ku merrte leksionet vajza. Para se të transportohej për në spital, pedagogu Tritan Shehu i ka dhënë ndihmën e parë, duke e reanimuar dhe më pas edhe frymëmarrje artificiale. Por, kur është parë se kishte vështirësi në rikthimin e frymëmarrjes, vajza është transportuar për në spital, në gjendje arresti kardiak.
RAPORTI MJEKO-LIGJOR
Para se trupi i pajetë i studentes 23-vjeçare, t’i dorëzohej familjarëve të saj, mjekët ligjor kanë kryer autopsinë për të verifikuar shkaqet e vdekjes. Në një raport paraprak të hartuar në Mjekësinë Ligjore, rezulton se vajza ka pasur dy defekte të lindura në enët e gjakut, një në tru dhe një tjetër në mëlçi. Bllokimi dhe më pas hemorragjia e menjëhershme e enës së gjakut në tru, ka shkaktuar vdekjen klinike e më pas, edhe vdekjen e vajzës së re. Defekti që kishte vajza, sipas ekspertëve mjeko-ligjor, është i lindur dhe nuk mund të parandalohet apo të kurohet. Ne termat mjekësor ky lloj defekti, ena e gjakut që bllokohet, quhet “Vertikuli 4”. Pasi u është sqaruar gjithçka edhe prindërve të vajzës, në mënyrë që askush të mos kishte dyshime për pakujdesi të mjekëve apo neglizhencë, studentja është tërhequr nga familjarët dhe po dje, është përcjellë për në banesën e fundit.
STUDENTET
Eni Sula, 23 vjeçe, studente për Farmaci në Fakultetin e Mjekësisë, të një universiteti privat në Tiranë, humbi ndjenjat në mes të sallës së leksionit, në sytë e dhjetëra studentëve të tjerë. Vetëm disa minuta pasi ajo ishte ankuar se kishte dhimbje koke, në një moment kur studentët merrnin leksione, ata janë tronditur kur vajzës i është përplasur koka pingul mbi tavolinë. Në një moment kur studentët e tjerë të tronditur nga ngjarja, kanë nisur të kërkojnë ndihmë, pedagogu i është afruar vajzës për të parë se çfarë kishte pësuar. Disa prej studentëve bashkë me pedagogun Tritan Shehu, e kanë transportuar vajzën drejt spitalit, ku ajo ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm.
Sëmundja
Në momentin kur 23-vjeçarja Eni Sula është transportuar në spital, mjekët pas vizitës kanë konstatuar se ajo kishte pësuar hemorragji cerebrale. Studentja është shtruar në reaminacion për të marrë mjekimin e nevojshëm, edhe pse ka qëndruar aty për 5 ditë rresht në gjendje kome, pa dhënë asnjë shenjë jete. Por, për të zbuluar se çfarë e kishte shkaktuar hemorragjinë e studentes në një moshë kaq të re, mjekët ligjor kanë kryer autopsinë e saj, nga ku kanë konstatuar se hemorragjia e shkaktuar në tru ka ardhur nga bllokimi i një ene gjaku.
Si ndodhi ngjarja në auditorin e Fakultetit
TIRANE – Në momentin kur studentja 23-vjeçare, Eni Sula, ka rënë pa ndjenja mbi bankën e sallës së leksionit, në klasë është krijuar një situatë mjaft e tensionuar. Ngjarja ka shkaktuar panik në klasë dhe të gjithë studentët janë ngritur për të parë se çfarë kishte ndodhur. Për ta ka qenë një situatë e pazakontë dhe janë alarmuar pasi nuk e kuptonin se çfarë u kishte ndodhur shoqes së tyre, të cilën pavarësisht se e thërrisnin dhe përpiqeshin ta përmendnin, ajo nuk reagonte. Studentët kanë nisur të kërkojnë ndihmë dhe gjithashtu edhe pedagogu që ndodhej në klasë. Nga një klasë tjetër, pranë sallës ku ndodhej vajza, ka ardhur profesori Tritan Shehu, i cili fillimisht ka pyetur se çfarë kishte ndodhur. Shoqja e Eni Sulës ka treguar se vetëm para disa minutash vajza i kishte thëne së kishte një dhimbje të fortë koke, por dyshonte që mund t’i vinte nga temperaturat shumë të larta, për shkak të motit. Por, në një moment koka i është përplasur mbi tavolinë dhe nuk është përmendur më. Ndihma e parë studentes i është dhënë nga pedagogu Shehu, fillimisht duke e reanimuar, si dhe me frymëmarrje artificiale, derisa është parë që vajza nuk po përmendej. Falë kësaj ndihme, vajza është mbajtur në jetë, derisa është transportuar në spital dhe është mbajtur nën kujdesin e mjekëve në reanimacion. Prej të enjtes, kur studentja pësoi hemorragjinë cerebrale, ajo ka qëndruar në gjendje kome dhe nuk është përmendur.
Fqinjët: Nuk vdiq prej stresit në shkollë
Fqinjët dhe banorët e zonës ku jeton familja Sula në Tiranë përjashtojnë mundësinë që hemorragjia në tru të ketë ardhur nga ndonjë problem që po kalonte studentja. Fqinjët e familjes së saj, në Rrugën e Dibrës, treguan mbrëmë se Eni nuk kishte marrë ende sezonin e provimeve dhe ditën që ka ndodhur ngjarja ka qenë duke ndjekur një orë leksioni. Për ta ajo ishte një vajzë që studionte, ndërsa kishte temperament të qetë. “Eni ka edhe një vëlla më të vogël, Marion. Të ëmën, Shpresën, e ka mësuese, ndërsa babanë, Sokolin, e ka polic privat te një spital. Janë familje mjaft e mirë. Njerëz të qetë dhe që nuk shkaktojnë kurrë probleme. Ajo që i ndodhi vajzës së tyre ishte tragjedi për ta. Na thanë që kishte pësuar hemorragji. Na vjen shumë keq, pasi ishte në moshën më të mirë”, treguan mbrëmë fqinjët e familjes Sula. Ata thanë që vajza është përcjellë për në banesën e fundit dje rreth orës 18:00. Ceremonia mortore ka nisur nga shtëpia e hallës së vajzës, që ndodhet disa metra më larg banesës së familjes së saj, pasi kishte më shumë hapësirë, dhe ka përfunduar në varrezat e Tufinës. Komshia e Enit, në katin e tretë të pallatit, tregon se e kishte takuar vajzën të enjten në mëngjes dhe i kishte treguar se po shkonte në shkollë, sepse kishte disa orë leksione. “Për pak ditë na fillojnë provimet dhe nuk dua të humb asnjë leksion”, i kishte treguar Eni. Më pas, në darkë kishte mësuar nga prindërit e saj që vajza ndodhej në gjendje kome në spital. “Ajo ishte shumë mirë. Nuk e di si mund t’i ketë ndodhur kjo. Ajo ishte e lumtur dhe e qeshur. Kjo është mjaft e dhimbshme”, tregoi fqinja.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











