Ulen shitjet në periudhën e pikut. Rritje vetëm te tregtia e farmaceutikës.
Shifrat e INSTAT: Tregtia me pakicë ra me 5.5% në muajt e verës.
Turizmi nuk e shpëtoi këtë vit ekonominë shqiptare. Treguesit e publikuar dje, me vonesë, nga INSTAT, qartësojnë se tremujori i tretë ka pasur një ulje të konsumit me 5.5 për qind në krahasim me vitin 2010. Të dhënat për tregtinë me pakicë, pra për atë që konsumohet nga qytetarët, flasin për një ulje të ndjeshme gjatë muajve të verës, korrik-gusht-shtator. INSTAT raporton për një rritje të tregtisë me pakicë në krahasim me një tremujor më parë, por të dhënat në tabelat shoqëruese tregojnë një tendencë edhe më të zymtë. Të gjithë treguesit janë përkeqësuar gjatë shtatorit, periudha që mbaron turizmi. Kjo mund të përkthehet me një rënie të ndjeshme të ekonomisë gjatë pjesës së fundit të vitit. Rënia e kërkesës së brendshme është një ndër treguesit kryesorë që mat rritjen ekonomike. E ndërthurur kjo edhe me krizën europiane, të paktën të dy partnerëve tanë kryesorë, ka pak mundësi që ekonomia shqiptare të ketë pësuar rritje gjatë këtij tremujori në krahasim me vitin 2010. Sidoqoftë, llogaritja e INSTAT-it nuk është bërë akoma publike për matjen e GDP-së.
Treguesit
Gjatë tre muajve të verës, ku pritej që turizmi të jepte efekte të mëdha në rritjen e kërkesës, shitjet me pakicë kanë pësuar rënie në krahasim me një vit më parë. Rënia ka filluar në korrik, është ulur disi në gusht, në kulm të sezonit turistik, dhe është rritur sërish në shtator me një vlerë negative prej 7.1 për qind më pak se në shtatorin e vitin 2010. INSTAT ka llogaritur edhe një shifër tjetër të frikshme për tregtinë, pra konsumin. Konsumi i brendshëm në shtator ka rënë edhe në krahasim me gushin. Indeksi i tregtisë me pakicë ra me 8.8 për qind nga gushti në shtator. Ndryshe nga sqarimi me fjalë i INSTAT-it, tabelat që shoqërojë njoftimin tregojnë se tregtia me pakicë, në krahasim me një tremujor më parë, ka rënë me 3.6 për qind, ndërsa në krahasim me një vit më parë, me 5.6 për qind. Bëhet fjalë për tregtinë, pa përfshirë karburantet dhe pjesët e këmbimit të makinave. Rritja e çmimit të naftës duket se ka rritur më shumë indeksin e tregtisë së karburanteve, me 8.7% në krahasim me një tremujor më parë dhe 15.8 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Ilaçet
Të gjithë zërat e tregtisë me pakicë kanë pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar dhe në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Tregtia e ushqimeve, duhanit, pijeve, veshjeve, dhe të gjitha produktet që u nevojiten përditë qytetarëve kanë pësuar ulje të konsumit. I vetmi zë që ka rritje të afarizmit, pra të konsumit, janë ilaçet. Me një rritje prej vetëm 1.8 për qind, ilaçet bien në sy si zërit i vetëm pozitiv në tabelën e INSTAT-it. Duket se rënia e konsumit të ushqimeve dhe pijeve, ka çuar në rritjen e konsumit të ilaçeve. Edhe pse nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë statistikore, shifra vihet re qartë në buletinin e INSTAT-it.

NERTILA MAHO
© Panorama.al











