Premtimi për ruajtjen e borxhit nën 60% dhe deficitit nën 3.5% të GDP-së po e detyrojnë Ministrinë e Financave që të rishikojë buxhetin e vitit 2012. Strategjia e ndjekur që nga viti 2007, kur buxheti rishikohej në rritje, do të përsëritet edhe këtë vit, por këtë herë për shkurtimin e tij. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, ka filluar puna për shkurtimin e shpenzimeve në të gjitha ministritë. Bëhet fjalë kryesisht për shkurtime të shpenzimeve administrative, pasi ato për investime tashmë janë tenderuar në pjesën dërrmuese të tyre. Shkurtimet pritet të prekin të gjithë zërat, duke bërë që pjesa e dytë e vitit të jetë thjesht një zvarritje pagesash, pagash dhe pensionesh. Sipas burimeve, pritet të përsëritet edhe një herë vendimi për ndalimin e të gjitha prokurimeve në muajin gusht. Parashikimet buxhetore të këtij viti u sulmuan në Kuvend dhe nga shumica e ekonomistëve. Sipas tyre, buxheti i vitit 2012 ishte optimist dhe nuk mund të realizohej. Në atë kohë, ministri i Financave theksoi se kjo ishte një provë për administratën, provë e cila duket se do të dështojë për herë të tretë që nga viti 2010. Të dhënat zyrtare tregojnë se tre muajt e parë të vitit jo vetëm që nuk kanë sjellë realizimin e planit të të ardhurave, por në të kundërt, kanë sjellë deficite deri në 40 milionë USD. Nga ana tjetër, borxhi publik ka pësuar rritje dhe në mars arriti një rekord prej rreth 3750% më shumë se sa plani. Situata bëhet më e zymtë po të merren parasysh konsumi dhe ritmi i frenuar i kredive. Sinjale aspak të mira ka dhënë edhe tregtia e jashtme, ku vihet re rritja e deficit tregtar për shkak të rënies së theksuar së kërkesës së huaj dhe nga ana tjetër rritjen modeste të importeve. Gjithçka “flet” krejt të kundërtën e asaj që me aq zell Ministria e Financave mbrojti në fund të vitit 2011. Nëse ecuria e konsumit do të vijojë me këto ritme dhe investimet do të vijnë duke u tkurrur, sikurse pritet, rritja ekonomike për 2012-n ka gjasa që të mos arrijë dot as rritjen e një viti më parë, që sipas INSTAT-it, ishte pak më shumë se 3 për qind, ndërsa qeveria e pret që të kapë mbi 4 për qind.











