Bie interesi i bonove, qeveria borxh të lirë

Aug 12, 2012 | 14:09

Ulja e normës bazë të interesit të lekut nga Banka e Shqipërisë mund të mos jetë përcjellë në normat e kredisë për qytetarët, por fakt është që pas 25 korrikut borxhi i qeverisë ka kushtuar më lirë. Nëse ky është vetëm një efekt rastësor apo ulja është transmetuar, kjo mbetet të shihet në ankandet në vijim, por në ato të fundit të zhvilluara nga qeveria më datë 31 korrik borxhi është më i lirë. Që nga shkurti bonot 12- mujore nuk kanë qëndruar mbi 7.3 për qind, duke arritur gati 7.4 për qind, por në fund të korrikut bonot me afat 1- vjeçar kanë pasur një normë 7.2 për qind. Një ulje e lehtë është reflektuar edhe te bonot 3-mujore, por kjo me 0.03 për qind. Nga 5.26 që ishin në ankandin e fundit të zhvilluar më 26 qershor të këtij viti, tashmë ato janë emetuar me një interes 5.23 për qind. Banka e Shqipërisë uli në datë 25 korrik normën e interesit për lekun nga 4.25 për qind në 4 për qind, duke e lënë atë në nivelin më të ulët historik. Uljet e vazhdueshme me argumentin e nxitjes së ekonomisë kanë mundur të kontribuojnë herë pas here edhe tek borxhi i qeverisë.

© Panorama.al

Te lidhura