Bie autobusi: “Na goditi një makinë, shpëtuam nga pemët”

Jun 17, 2012 | 10:43
AUTOBUSI I ALEANCES KUQEZI I AKSIDENTUAR DJE NE QAFE-KERRABE

Autobusi me 36 aktivistë të AK rrëzohet në Qafë-Kërrabë, 5 veta me plagë në spital. Rrëfimi i dëshmitarëve e të plagosurve.

Dëshmitarët: Na goditi një makinë. Shoferi humbi kontrollin dhe doli nga rruga, 5 rëndë.

Përfundon në greminë, plagosen delegatët e Librazhdit.

Përfundon me një ngjarje të rëndë Kongresi i parë i Aleancës Kuqezi në Tiranë. Autobusi me të rinj nga Librazhdi, të cilët kishin qenë pjesë e aktivitetit në kryeqytet, doli nga rruga në Qafë-Kërrabë, në zonën e njohur si “Qershitë”, duke lënë të plagosur 35 pasagjerët e tij.
Ka qenë ora 16:45 kur autobusi humbi kontrollin e mjetit e, për pasojë, ra rreth 30 metra në greminë. Ngjarja u bë menjëherë alarmante nga udhëtarët e rastit që po udhëtonin drejt Elbasanit dhe anasjellas. Forca të shumta policie, bashkë me pesë autoambulanca dhe tre mjete zjarrfikëse, shkuan me urgjencë në vendngjarje për të shpëtuar personat që ndodheshin në thellësi të greminës. Në kodrat e Kërrabës fluturonte dhe një helikopter, pasi ende nuk dihej nëse kishte viktima apo të plagosur rëndë. Me shpejtësi u nxorën në rrugë pasagjerët dhe shoferi, të cilët u transportuan drejt Urgjencës së Spitalit Kirurgjik në Elbasan. Të 36-të personat që ndodheshin në autobus u morën në kontroll nga mjekët, prej të cilëve u konfirmua se pesë kishin nevojë për terapi intensive. Nga dëshmitë e vetë pasagjerëve të autobusit me targë LB 31 56 dyshohet se një mjet tip “Land Rover”, me targë të Tiranës, në tentativë për të parakaluar mjetin me delegatë, e ka goditur dy herë. Goditja e parë, sipas tyre, ka qenë në mes, në pjesën e majtë të autobusit, ndërsa tjetra në afërsi të gomës së parë, në krahun e shoferit. Ndërsa dëshmitarët thonë se fuoristrada ishte me shpejtësi, vetë drejtuesi i mjetit, 43-vjeçari Mit’hat Biçaku, nuk ka mundur të mbajë kontrollin. Gjurmët e lëna në asfalt dhe deklarimet e marra tregojnë se shoferi ka tentuar të frenojë, por drejtimi i ka dalë nga kontrolli dhe gomat kanë dalë nga rruga, duke u përmbysur në krahun tjetër të aksit, në greminë. Pasi policia e Elbasanit ka marrë në pyetje pasagjerët e aksidentuar, nëpërmjet një komunikate për shtyp deklaron se ende nuk ka një shkak të saktë pse ndodhi aksidenti i rëndë. Sipas saj, për arsye hetime është ndaluar drejtuesi i mjetit me akuzën e humbjes së kontrollit të autobusit. Vetëm ekspertiza që do të kryhet nga specialistët pritet që të japë përgjigje mbi shkakun e aksidentit të rëndë. Nga ana tjetër, grupi hetimor nuk prononcohet mbi dyshimet nëse shkaktari kyç i aksidentit ka qenë mjeti fuoristradë që tentoi parakalimin e autobusit në një zonë me kthesa dhe terren të pjerrët. Për shkak të errësirës së mbrëmjes, ekspertët ndërprenë punën për të rifilluar mëngjesin e sotëm. Burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit thanë se puna është mjaft voluminoze dhe e vështirë për të dhënë në një kohë të afërt konkluzione. Pasi të kryhen veprimet në zonën e aksidentit, do të këqyret edhe gjendja e automjetit, si dhe do të kryhen veprime që lidhen me plotësimin e dosjes së plotë të ekspertizës.

NE SPITAL
Refik Karaj

Jetmir Disha

Taulant Muça

Artan Kojku

Antonio Fraholli

“Fuoristrada goditi autobusin, ishte një mrekulli që shpëtuam”

Shoferi bën gjithmonë rrugën nga Kërraba për tubimet.

Fatmir Brazhda, koordinatori i AK në Librazhd

Koordinatori i AK-së në Librazhd: Ishim me shpejtësi normale
“Mrekulli që jemi gjallë”. Fatmir Brazhda, koordinatori i Aleancës Kuqezi në Librazhd, e përsërit këtë fjali herë pas here, ndërsa me dorën e gjakosur kalon nga njëra dhomë në tjetrën, ku ndodhen patriotët e tij.
Të gjithë bashkë ishin nisur për në kongresin e AK-së, pjesa më e madhe banorë të fshatit Dorëz. Ai thotë se udhëtimi dhe shpejtësia e autobusit ishin normale, duke fajësuar një mjet fuoristradë që erdhi me furi dhe goditi mjetin.
Kur jeni nisur drejt Tiranës?
Në radhë të parë do të thosha që është mrekulli që jemi gjallë dhe shëndoshë e mirë. U nisëm që në orët e para të mëngjesit, pasi jemi anëtarë të Aleancës Kuqezi dhe dëshironim të merrnim pjesë në Kongresin e Parë të kësaj partie.
Çfarë mbani mend nga aksidenti i ndodhur mesditën e së shtunës?
Ishim duke ecur me një shpejtësi relativisht minimale dhe jam i sigurt se shoferi as nuk i kishte 40 kilometra në orë, në këtë rrugë me kthesa, shumë pranë urës së 13-të. Mbaj mend një moment kur, teksa kishim kaluar kthesën dhe ecnim në rrugë të drejtë, por relativisht të ngushtë për nga vetë aksi, një fuoristradë e zezë, teksa ecte me shpejtësi, u përplas me rrotën e parë të autobusit dhe më pas sërish me këtë shpejtësi maksimale, u përplas për të dytën herë, duke bërë që autobusi të anohej një herë nga ana e kodrinës dhe më pas mjeti humbi kontrollin.
Si reagoi shoferi në këtë moment?
Mbaj mend që na zuri paniku, por më kujtohet që shoferi u mundua të frenonte dhe të ruante kontrollin e mjetit, por ishte e pamundur. Mjeti u drejtua për një çast, por ishte shumë vonë, pasi goditja e fuoristradës nuk mundi të manovrojë mjetin, i cili për fraksion sekonde përfundoi në greminë.
Si dolët nga autobusi?
Mbaj mend se dy mesoburra zbritën poshtë dhe mundën të na ndihmonin. Unë sapo u përmenda, pashë që nuk kisha marrë plagë dhe nisa të ndihmoj të aksidentuarit e tjerë, që fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Kujtoj që erdhën dhe tri mjete ambulance si edhe efektiva të zjarrfikëses, të cilët nisën të marrin të aksidentuarit me barela dhe më pas i dërguan në spitalin kirurgjik të Elbasanit.
Si e përjetuat këtë moment?
Mendova vetëm një gjë. Uroja që të gjithë të ishin gjallë, dhe të mund të ktheheshin shëndoshë e mirë në banesat e tyre. Sapo i shikoja që më përshëndesnin edhe ashtu të plagosur dhe me gjak, harrova veten time. Mendoja vetëm për ta, pasi pjesa më e madhe e anëtarëve janë të moshës 18-40 vjeç. Ishim të gjithë të rinj.
Shoferi zakonisht bën linjën Librazhd– Tiranë?
Jo, shoferi i mjetit të cilin e ka të vetin, zakonisht bën linjën Librazhd–Durrës, por në të shumtat e rasteve, duke qenë se është një shofer i rregullt, kur realizohen tubime politike, ai e përshkon gjithnjë rrugën e Kërrabës me simpatizantë të partive të ndryshme. Të gjithë qytetarët e Librazhdit flasin mirë për të, dhe jam i bindur me atë që pashë, që shoferi nuk ka asnjë faj në këtë aksident, i cili fatmirësisht përfundoi pa viktima. Nuk mendoj se ishte faji i tij, dhe dua ta përsëris që ishim me shpejtësi minimale. Gjithsesi, është ekspertiza ajo që do t’i zbardhë rrethanat e aksidentit.
Prej sa kohësh i kishe lajmëruar anëtarët e kësaj partie për kongresin?
Kishim një javë që kishim prenotuar shoferin dhe duhet të shkonim vetëm 35 veta, pasi kaq vende kishte mjeti. Kështu që në këtë kongres pjesa më e madhe e anëtarëve ishin nga fshati Dorëz i Librazhdit, dhe të gjithë erdhën me dëshirën e tyre, ashtu sikundër edhe janë anëtarësuar në këtë parti.
A mendoni se është faji i drejtuesit të mjetit?
Jo, nuk e mendoj një gjë të tillë, faji është tërësisht i drejtuesit të fuoristradës, i cili na përplasi aq fort, sa që nuk mund ta harroj dot. Këtë aksident, që fatmirësisht përfundoi pa pasoja, nuk do të mund ta harroj. Është mrekulli, ishin fatmirësisht pemët që mundën të frenonin forcën që krijoi autobusi kur ra në greminë.

Dodbiba: Pasagjerët, të gjithë të gjakosur
Dëshmitari: Autobusin e pritën pemët e shkurret
Tomi Dodbiba ka qenë vetëm një minutë larg momentit kur autobusi me 35 pasagjerë u përmbys, duke përfunduar në një greminë rreth 30 metra jashtë rrugës nacionale. Me makinën e tij ka ngecur në trafikun e krijuar menjëherë pasi ndodhi ngjarja e rëndë. Të gjithë udhëtarët kanë zbritur të alarmuar, duke tentuar t’u japin ndihmën e shpejtë pasagjerëve. Të rinj e të reja të gjakosura që nxirreshin në pjesën e rrugës. Vetëm dy, sipas Dodbibës, qëndruan në autobus të palëvizur, pikërisht personat që ishin me dëmtime më të rënda se të tjerët. “Pritëm që të vinte policia dhe ambulanca të lëvizte dy personat që qëndronin ende në greminë. Kanë qenë më fat që nuk ishte me shkëmbinj zona dhe jo pjerrësi e fortë, si në rastin e Himarës. Gjatë rrokullisjes së autobusit e kanë prerë hovin pemët dhe shkurret, duke bërë që autobusi të mos shtypej. Përndryshe do të ishte tragjedi e madhe”, tregoi dje dëshmitari për “Panoramën”. Sipas tij, xhamat ishin të thyer tërësisht, ndërsa sediljet ishin të padëmtuara. Dodbiba thotë se ka dëgjuar nga djemtë e autobusit që një makinë i kishte goditur, por vetë nuk ka parë ndonjë mjet të dyshimtë. Vetë Dodbiba tregon se e bën shpesh këtë rrugë, por vitet e fundit lëvizjet e autobusëve kanë qenë të rralla, ndërsa më shpesh qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë.

Edmond Kurti: Makina nuk ndaloi
Një tjetër dëshmitar okular në vendin e ngjarjes, i cili nuk mori asnjë plagë si pasojë e aksidentit në vendin e quajtur “Qershitë”, e cilëson fat faktin që nuk pati asnjë viktimë. Sipas tij, gjithçka ishte në rregull, deri në momentin kur një mjet fuoristradë i preu rrugën autobusit. “Ne ishim shumë të qetë dhe kishim kaluar pjesën më të madhe të rrezikut, kthesat e Kërrabës, dhe as që e mendonim se aksidenti do të ndodhte në këtë rrugë të drejtë. Kam përshtypjen se drejtuesi i fuoristradës na pa që ne nisëm të devijonim nga rruga e më pas ramë në greminë, por as që ndaloi”.

Pranvera Sallaku: Fatmirësisht jam gjallë
Një prej të aksidentuarave, Pranvera Sallaku, sipas mjekëve ndodhet jashtë çdo rreziku dhe pasi të qetësohet në spital është gati të shkojë në shtëpi. “Më vjen mirë që jam gjallë. Ishte një tmerr i vërtetë teksa e shihja veten duke rënë buzë greminës. Ashtu sikundër edhe tri gra të tjera nga fshati Dorëz edhe unë u nisa drejt kongresit. Gjithçka shkoi për mrekulli dhe kur menduam se do të shkonim shëndoshë e mirë në shtëpi, na ndodhi e pabëra. Por, gjithsesi, nuk mund të them me saktësi se kush e ka fajin në këtë aksident, por mund të them se goditja e fuoristradës ishte shumë e fortë”, rrëfen Pranvera.

Pjesa më e madhe e tyre, të papunë
Ndërsa kanë regjistruar emrin në regjistrin e spitalit kirurgjik, të binte në sy fakti se pjesa më e madhe anëtarëve të AK-së ishin nga fshati Dorëz dhe Hotolisht i Librazhdit dhe të papunë. Ndërkaq, mes të aksidentuarve ishin edhe katër gra, të cilat ishin të anëtarësuara në këtë parti qysh në themelimin e saj. Anëtarët ishin thuajse të një familjeje apo fisi dhe kishin më shumë se një javë që e kishin planifikuar këtë udhëtim nga fshati i tyre drejt kongresit.

PDIU: Të zbardhet sa më shpejt aksidenti
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu dje solidaritetin njerëzor për gjendjen shëndetësore të të plagosurve. “PDIU ndjek me shqetësim gjendjen e aktivistëve të Aleancës Kuq e zi, të dëmtuar gjatë aksidentit në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Për fat të mirë, gjatë këtij aksidenti nuk pati humbje njerëzore, çka do të ripërsëriste tragjedinë e pak ditëve më parë. U bëjmë thirrje autoriteteve zyrtare të zbardhin sa më parë shkaqet e këtij aksidenti”, theksohet në njoftimin e PDIU-së.

Shoferi i autobusit, 20 vjet me transportin e pasagjerëve
Drejtuesi i autobusit me targë LB 31 56, Mit’hat Biçaku, kishte rreth 20 vite përvojë pune. Ai ishte i njohur në qytetin e Librazhdit për linjën e transportit të pasagjerëve që kryente drejt Durrësit. Në rastet e tubimeve politike që organizoheshin në rrethe të ndryshme, thuajse gjithmonë thërritej në shërbim Biçaku, për shkak të eksperiencës. Autobusi ishte në pronësi të tij dhe e drejtonte vetë. Policia e Shtetit deklaroi dje se nga verifikimet e kryera rezulton se Biçaku ishte i pajisur me leje drejtimi të grupit “D”, të marrë më 12.10.1999. Sipas Policisë, në aksin nacional Tiranë-Elbasan, nëpërmjet Qafë-Kërrabës, në të dy anët e tij, nuk ka tabela që kushtëzojnë lëvizjen e këtyre lloj mjetesh. Vetë shoferi i autobusit, Mit’hat Biçaku, mbas marrjes së ndihmës së parë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, për shkak të disa plagëve të lehta marrë si pasojë e aksidentit, është ndaluar nga Policia. Mësohet se 43-vjeçari Biçaku, babai i dy fëmijëve, me banim në Librazhd, kishte 20 vjet që ushtronte profesionin e tij si shofer autobusi udhëtarësh dhe prej disa vitesh kishte blerë edhe mjetin e tij, të cilin e drejtonte konform rregullave të vendosura nga Drejtoria e Transporteve.

Shoferi, asnjë aksident me autobus
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se asnjëherë 43-vjeçari Biçaku nuk ka bërë aksident me mjetin e tij dhe se ka qenë i qetë në timon. Lajmin për ndalimin e tij deri në fund të hetimeve e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së Elbasanit, Valbona Begu, e cila deklaron se Mit’hat Biçaku do të ndalohet pasi akuzohet për veprën penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, ndërsa ka shtuar se ai ka humbur kontrollin e mjetit në momentin që është përplasur nga një mjet tjetër, i cili ende nuk dihet se kush është.

Policia: Nuk ka tabelë ndalimi për autobusët
Policia e Shtetit, me anë të një deklarate të bërë dje pas ngjarjes në Qafë-Kërrabë, bën të ditur se në të dyja hyrjet e aksit Tiranë-Elbasan dhe anasjelltas nuk ka tabela që kushtëzojnë lëvizjen e këtyre lloj mjetesh, siç janë autobusët. Në fakt, që nga ndërtimi i aksit tjetër, nëpërmjet Peqinit, rruga nacionale nëpërmjet Qafë-Kërrabës nuk është frekuentuar gjerësisht nga mjetet me pasagjerë, veç furgonëve taksi.

Spahiu e Çota përplasen në spital
Drejtuesi i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu dhe deputeti i PD-së në Librazhd, Rrahman Çota, shkaktuan një incident në ambientet e spitalit ku ishin të shtruar të aksidentuarit. Sipas Spahiut, Çota nuk e lejoi median të merrte në intervistë të plagosurit mbi shkaktarët e tij. Ndërsa deputeti Çota u shpreh se kreu i AK-së tenton të bëjë shou me kamera në ambientet ku ndodhen të plagosurit. “I thashë se nuk mund të përfitonte politikisht. Unë i njoh të gjithë të lënduarit sepse jam nga zona, dhe i uroj shërim të shpejtë”, deklaroi Çota. Spahiu kërkoi nga ana e tij zbardhjen e ngjarjes dhe theksoi faktin se beson te policia për të kapur personin që e provokoi atë.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura