Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi ka marrë sot zyrtarisht detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e betimit u zhvillua në ambjentet e Presidencës në prani edhe të presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Më pas, ceremonia e marrjes së detyrës së Gjunkshit u zhvillua në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes në praninë e ministrit Arben Imami. Ish shefit i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Maksim Malaj i kaloi detyrën Xhemal Gjunkshit.
Emërimi i Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi në këtë detyrë erdhi pas kërkesës së kryeministrit, Sali Berisha drejtuar presidentit Topi për lirimin nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Maksim Malaj, pasi i kishte mbaruar mandati i tij në këtë detyrë.
“Gjeneral Brigade Maksim Malaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të mbarimit të mandatit, më datë 28.7.2011, të lirohet nga kjo detyrë. Në vend të tij të emërohet Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi”- thuhet në propozimin e Berishës drejtuar presidentit.
© Panorama.al











