Kuvendi i Serbisë miratoi dje përbërjen e qeverisë së re të drejtuar nga Ivica Daçiç, i cili do të vazhdojë ta mbajë edhe ish-detyrën e tij në qeverinë paraardhëse, si ministër i Punëve të Brendshme, përveç postit të Kryeministrit. Pasi përbërja e qeverisë u mbështet, anëtarët e kabinetit kanë lexuar betimin tyre, i cli mes të tjerash ka përfshirë edhe ruajtjen e Kosovës (e pavarur që nga viti 2008) brenda territorit të Serbisë. Pjesë e betimit ishte edhe fraza: “detyrën e anëtarit të qeverisë do ta ushtroj me ndërgjegje, me përgjegjësi e përkushtim dhe do t’i përkushtohem ruajtjes së Kosovës brenda Republikës së Serbisë”. Kosova është e pavarur prej më shumë se katër vitesh dhe pavarësia e saj është e njohur nga 91 shtete, përfshirë superfuqi si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania etj. Por Serbia është betuar se nuk do ta njohë kurrë pavarësisë e saj. Qeveria e re e Serbisë ka 17 ministri dhe katër zyra: Zyra për Kosovën, Për të Drejtat e Minoriteteve, të Bashkësisë Kishtare e Fetare dhe Zyrën për Diasporën.











