Betohet Nikoliç, do kompromis për Kosovën

Jun 1, 2012 | 14:52

Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, bëri dje betimin para anëtarëve të Kuvendit në Beograd. “Betohem se do t’ia përkushtoj të gjitha forcat e mia ruajtjes së sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë, përfshirë këtu edhe Kosovën, si pjesë përbërëse e saj”, theksoi ai. I njohur për gjuhën e tij radikale sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën, Nikoliç siguroi se nuk ka ndër mend të nisë një konflikt të armatosur për Veriun e Kosovës. “Lufta për mua nuk është një opsion i afërt. Unë do të bëj çdo përpjekje për të shmangur çdo lloj konflikti të armatosur për zgjidhjen e këtij problemi”, ka deklaruar Nikoliç. Presidenti i ri serb, i cili është edhe komandanti i Forcave të Armatosura, shtoi se “jam i sigurt se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të rrijë duarkryq, pasi kjo do të ishte një situatë që do të gjeneronte një varg problemesh serioze”. Më pas ai theksoi se ka dëshirë të vazhdojë rrugën e integrimit europian për Serbinë, por kërcënoi se do të heqë dorë nga kjo nëse çmimi i integrimit do të jetë Kosova. “BE-ja është e ardhmja e Serbisë, por kemi edhe detyrimin kushtetues që të ruajmë Kosovën dhe në atë hapësirë të ngushtë do të kërkojmë një rrugë tjetër”, tha Nikoliç. Ai tha më pas se do të kërkojë nga partitë politike që të pajtohen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Ajo që do të ndodhë në Kosovë nuk është në duart e vetëm një partie politike, por në duart e të gjithë qytetarëve të Serbisë. Dhe, në lidhje me këtë, çfarëdo që të vendosim ne, ata do të vendosin në referendum”, tha Presidenti i ri serb.

© Panorama.al

Te lidhura