Lulzim Basha bëri betimin e tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ky akt konstituimi i dha fund zyrtarisht epokës apo “epopesë” 11 vjeçare Rama të Tiranës(!) Shumëkush prej nesh e ka në memorien e tij se si nisi kjo “epope” 11 vjet më parë, me Kryebashkiakun “shtatlartë”, që me shqytin e Bashkisë Tiranë në njërën dorë dhe sëpatën në dorën tjetër vigjilonte në rrugët e Tiranës për të vendosur rregullin e munguar, zhdukur kioskat, liruar
parqet publike… por që disa vite më pas do të kthehej në “Epokën e Betonizimit”, “Dubaizimit” dhe “Ndotjes”, kur nga imazhi i “kalorësit me
armaturë të shndritshme” mbeti vetëm “Shqyti me Luan i Bashkisë Tiranë”, teksa vetë Rama ngujohej gjithnjë e më tepër në “feudin” e tij në…periferi të Tiranës…
Në fakt, epopeja “Rama dhe Tirana ” shkoi krahas me metamorfozëndhe Tirana ” shkoi krahas me metamorfozën e rrugëtimit të tij politik, i cili nisi me “Mesianizmin Blerian” të rrugës së tretë përtej së
majtës dhe të djathtës për të sosur me “revelimet apokaliptiko-politike” të “Monarkisë së Pashpallur” dhe me “Fajin e Ka Saliu” (!
Por cila do të jetë prognoza e epokës Basha pas metamorfozës së epokës Rama që, për fat të keq, ishte një metamorfozë për vetë Tiranën?! Për ta shprehur në mënyrë metaforike, do ta shikoja Ramën si një personazh saulian, ndërsa Bashën si një personazh davidian. Kështu, Rama do të ngjante më tepër me mbretin biblik Saul, i cili ngriti një monarki të fuqishme izraelite përmes betejave të brendshme dhe të jashtme, por që më së fundi u bë rob i ambicies dhe paranojës së tij, duke humbur besimin e të tjerëve dhe tek të
tjerët. Nga protagonist i dhjetorit ‘90, ikonë e tetorit 2000, në humbës i vitit 2011…
Ndërsa Basha, deri tani është shfaqur me një profil prej Davidi, një gjimnazist në lëvizjen e dhjetorit, “pastori” i ri, por i mençur do ta shpinte grigjën mendjes së tij në kullotën europiane në Holandë apo atë të ndërkombëtarëve në Kosovë, larg amullisë postkomuniste dhe luftës politiko-klanore, që i dha kësaj periudhe tiparet e një “demokracie tribale”. Davidi kishte një mision mjaft të qartë: ai nuk do t’i përkiste asnjërës prej 12 tribuve të Izraelit, ai do t’i përkiste të gjithë kombit izraelit. Po kështu, Lulzim Basha nuk flet më për të majtën apo për të djathtën; ai thotë se është në shërbim të qytetarëve dhe
do të mbrojë interesat e tyre nga kushdo. Ai madje deklaron se do të bëjë avokatinë e qytetarëve edhe para qeverisë së djathtë, pjesë e së cilës ka qenë disa vjet rresht(!) Ai është zotuar të mposhtë “Goliath-in” e korrupsionit,
ndotjes, betonizimit… Ai është zotuar t’u kthejë qytetarëve “tokën e premtuar” me hapësirat e gjelbra, rregullin, mirëqenien… Por sigurisht që Basha, ashtu si paraardhësit apo pasardhësit e tij, nuk mund të thotë se ky është një premtim i marrë prej tij nga Perëndia përmes engjëllit lajmëtar(!) Ai nuk mund të thotë se është një i përzgjedhur i Perëndisë, siç ishte Davidi
apo Sauli; Në të vërtetë, ai është thjesht i përzgjedhuri ynë, i qytetarëve të Tiranës. Ai ka një pakt me ne dhe ky pakt nuk është hyjnor; ai është një pakt qytetar, respektimi i të cilit do të varet nga niveli i lartë i qytetarisë që kam bindjen se këtë radhë do të fillojë nga vetë “Qytetari i Parë” i Tiranës. Në krye të këtij pakti qëndron premtimi i madh se Tirana do të qeveriset nga qytetarët e saj…
Se dyert e Bashkisë së Tiranës do të jenë të hapura për këta qytetarë në çdo
ditë të javës… Se asnjë vendim nuk do të merret në kundërshtim me interesat e këtyre qytetarëve apo pa pëlqimin e tyre(!) Mbajtja e këtij premtimi madhor do të shënojë vërtet fillimin e një epoke të re në historinë demokratike të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë – epokën e maturisë
(pjekurisë) demokratike. Kështu, në vitin 2011, njëzet vjet pas fillimit të epokës postkomuniste të pluralizmit ka ardhur koha që qytetarët tanë të mos jenë më vetëm zgjedhës të vendimmarrësve, por pjesëmarrës në vendimmarrje. Kjo është një nga ato vlera të demokracisë perëndimore, për të cilat “Shoqata Tirana”, ashtu si gjithë qytetaria tiranase ka lobuar që prej një dekade, si pjesë e vizionit të saj për vlerat në funksion të progresit. Për
këtë, ne shprehim angazhimin tonë se do të jemi bashkëshoqërues të këtij procesi, që do t’u kthejë qytetarëve tanë dinjitetin e mohuar nga “zgjedhjet” apo “zgjidhjet” e bëra në emër të tyre, edhe pse shpesh pa pëlqimin e tyre, përgjatë së shkuarës së trazuar të këtij kombi. Kjo duhet të jetë epoka e respektimit të jetës, pronës, vlerave dhe dinjitetit të qytetarëve; Ajo duhet të jetë epoka e kalimit nga neomesjetarizmi” tek neoliberalizmi, ku pushteti të mos konsiderohet më si “titull aristokratik” apo si “leje shfrytëzimi”, por
si funksion në shërbim dhe ndihmë të qytetarëve.
*Kryetar i Shoqatës “Tirana”












