Shefi i ri i Shtabit të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, bëri dje betimin përpara Kreut të Shtetit, ku mori edhe dekretin presidencial. Në përfundim të ceremonisë, Presidenti Topi zhvilloi një takim me Gjunkshin, si dhe paraardhësin e tij, Maksim Malaj. Presidenti i Republikës shprehu vlerësimin për karrierën e rëndësishme të Gjunkshit, duke e cilësuar atë si një personalitet të ushtrisë shqiptare, që vërtet e meriton plotësisht të jetë në këtë pozicion shumë të rëndësishëm të Shefit të Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Topi falënderoi Malajn për të gjithë kontributin e tij në pozicionin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura “në një periudhë e cila është shënuar me germa të arta në historinë e Shqipërisë e ushtrisë shqiptare, në periudhën kur Shqipëria u bë anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, të NATO-s, në një periudhë kur ushtria shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është drejtuar në një mënyrë profesionale”. Ceremonia e zëvendësimit të Shefit të Shtabit vazhdoi në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku kreu i këtij dikasteri, Arben Imami, tha në fjalën e tij se “Unë jam për reforma të forta, të thella, me moderacion. Jam përpjekur ta bëj në këto dy vjet, do të vazhdoj ta bëj në këtë mënyrë edhe në të ardhmen. Kjo do të ishte rruga më e mirë dhe me më pak stres edhe për Forcat e Armatosura”.











