Beteja mes Cezarit e Pompeut, zbulohet anija e mbytur

Aug 17, 2011 | 11:55
Kapiteni i parë, Artur Meçollari, përpara amforës 2100-vjeçare, nxjerrë nga anija e mbytur.

Ajo nuk është gjurmë e luftërave botërore, as e Luftës së Ftohtë, por e një tjetër beteje, e cila na shtyn shumë herët në kohë.Në kohërat e Cezarit e Pompeut, përplasjet mes tyre u zhvilluan në tokë e në det, madje pranë brigjeve ilire. “Herkuli” teknologjik nxori në dritë një tjetër dëshmi nga e shkuara. Bëhet fjalë për një anije, e cila nga studimet paraprake mendohet se i përket 2100 vjetëve të shkuar. Në vijim të ekspeditës disavjeçare në ujërat shqiptare, ekipi i studiuesve shqiptaro-amerikanë në bordin e anijes “Herkules”, pas skanimit të zonës përqark gadishullit të Karaburunit, ka ndeshur në reliktin e një anijeje të mbytur. Prej pamjeve të para të ofruara nga roboti i lëshuar nën ujë mendohet të jenë mbetjet e një anijeje të mbytur diku në kapërcyellin e shek. II–I para erës sonë. Sipas koordinatorit të këtij projekti, përfaqësues të Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Detare, Auron Tare, anija e mbytur në perëndim të ishullit të Sazanit, në një thellësi prej 50 metrash, ka pasur në hambarët e saj mbi 300 amfora të tipit “Lambolie 2” (amfora të mëdha që transportonin verë apo vaj ulliri). “E gjatë gati 30 metra, një anije e përmasave të tilla, me ngarkesë të paprekur për gati 2100 vjet dhe në një gjendje shumë të mirë, është një gjetje mjaft e rrallë në Mesdhe”.
Kur Iliria prodhonte verë dhe vaj
Arkeologët që kanë marrë në duar pamjet e  para të ofruara nga roboti, mendojnë se kjo gjetje e rrallë do të hedhë më shumë dritë mbi fakte të panjohura të popullsisë detare të Ilirisë së Jugut, si dhe marrëdhëniet tregtare të tyre me vendet e tjera të Mesdheut. Sipas arkeologut Dr. Adrian Anastasi (Instituti i Arkeologjisë), zbulimi i këtij relikti shënon

Anija “Herkules”, që po bën skanimin e ujërave shqiptare

një sukses të rëndësishëm, jo vetëm për ekspeditën, por edhe për arkeologjinë nënujore shqiptare. “Historia e Ilirisë ndërthuret fort me historinë e dy superfuqive të kohës, Greqisë, Romës antike dhe bregdeti ynë është shembulli e prova konkrete e kësaj ndërthurjeje”, thotë Anastasi. Sipas tij, amforat “Lambolia 2”, me të cilat duket se ishte ngarkuar anija, konsiderohen si prodhime me origjinë adriatike, pavarësisht se ato janë gjetur edhe në Mesdhe, kryesisht në brigjet e Mesdheut perëndimor. I përkasin kryesisht periudhës nga gjysma e dytë e shek. II deri në gjysmën e parë të shek. I para erës sonë. “Këto amfora janë përdorur kryesisht për transportin e verës e të vajit dhe kronologjikisht korrespondojnë me periudhën e artë të lulëzimit të ekonomisë romake (shek II p.e.s-shek. II e.s), por edhe me ngjarje të rëndësishme të Ilirisë, kryesisht të lidhura me hegjemoninë e Romës drejt Ballkanit, por edhe me përplasjet brenda vetë Senatit romak”, sqaron arkeologu. Për dr. Jeff Royal, arkeolog i RPM Nautical Foundation, kjo anije është së pari dëshmi e peshës që kishin brigjet ilire si qendra tregtare, por edhe të prodhimit të verës gjatë shek. II p.e.s-shek. I e.s.
Dëshmi e betejës mes Cezarit dhe Pompeut?
Nëse arkeologët përpiqen të jenë të përmbajtur dhe shumë të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke u bazuar tek koha dhe vendi, Auron Tare guxon për më tepër, duke e bërë anijen pjesë të një prej konflikteve më të famshme të kohës, luftës mes Cezarit dhe Pompeut. “Zbulimi i këtij relikti të mrekullueshëm mund të sjellë dëshmi shumë interesante për një periudhë të njohur të historisë së Romës, të zhvilluar në brigjet e Ilirisë antike. Megjithëse arkeologët janë të kujdesshëm për të dhënë një përcaktim të saktë të destinacionit të anijes, duke gjykuar nga datimi i saj, unë mendoj se duhet marrë në konsideratë dhe mundësia që ajo të ketë qenë pjesë e Flotës Romake, e cila furnizonte ushtrinë e Cezarit apo të Pompeut gjatë Luftës Civile, të zhvilluar siç e dimë edhe në territorin e Jugut shqiptar. Nga dëshmitë antike dimë se si Cezari apo edhe Pompeu humbën mjaft anije gjatë periudhës kur kampet e ushtrive përkatëse ishin pozicionuar në Ilirinë e Jugut dhe përkatësisht në Orikumin e lashtë apo edhe përgjatë lumit Vjosa”, thotë Auron Tare, teksa shton se prania e kësaj anijeje kaq pranë Orikut antik, Orikumit mund të jetë një dëshmi e rëndësishme mbi këto beteja të famshme.

Nën ujë deri në krijimin e infrastrukturës

Amforat e gjetura në bordin e anijes së zbuluar në afërsi të ishullit të Sazanit, në një thellësi prej 50 metrash.

Ndërsa zbulimet e njëpasnjëshme i bëjnë ujërat e Adriatikut e Jonit, në veçanti ujërat shqiptare ndër më të pasurat në fushën e arkeologjisë nënujore, specialistët vihen përpara një problemi që kërkon zgjidhje. Bëhet fjalë për infrastrukturën e nevojshme për ta vënë në eficiencë këtë pasuri, të konservohet, ruhet e vizitohet nga publiku. Derisa kjo infrastrukturë do të mungojë, këto gjetje do të qëndrojnë nën ujë, ku edhe janë më të sigurta se mbi të. Studiuesit e ekspeditës bëjnë thirrje që institucionet zyrtare të jenë aktive në krijimin e një muzeu të historisë së nëndetit, i cili jo vetëm do të sjellë fakte të reja historike, por do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të turizmit kulturor. Deri më tani, ekspedita nuk mund të kryejë gërmime arkeologjike nën ujë apo studime të mëtejshme, pasi Shqipërisë i mungon një laborator profesional që të konservojë këto gjetje si dhe një muze, i cili do të prezantonte këto zbulime. Themeluesi i Fondacionit RPM Nautical, George Robb Jr., thotë se “Zbulimet e 5 viteve të fundit mund të krijojnë një muze unikal për Ballkanin, por fatkeqësisht nuk ka asnjë laborator apo muze, i cili të jetë i gatshëm për këtë mundësi të madhe qe i jepet Shqipërisë”. Ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve nënujore zhvillohet çdo verë me synim krijimin e hartës së pasurive arkeologjike dhe historike nënujore. Kjo ekspeditë e financuar nga RPM Nautical Foundation konsiderohet si një prej 10 ekspeditave më të rëndësishme në botë. Gjatë këtyre viteve ka zbuluar deri më tani mbi 20 anije në ujërat shqiptare dhe mbi 15 në ujërat e Malit të Zi.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura