GERTA ZAIMI
Asad tashmë ka besim të plotë vetëm tek Irani. Akordi që ende mungon. 20 korrik 2012 Opinionistë, gazetarë, shkrimtarë, të cilët prej 18 muajsh ndjekin situatën siriane pas bombës në ndërtesën ku Shtabi i Përgjithshëm Ushtarak qeveritar po mbante një mbledhje mbi situatën në kryeqytet të mërkurën, janë akoma më konfuzë mbi atë çka po ndodh në Siri. Lajmet janë të shumta, por në shumicën e rasteve edhe të pamundshme për t’u verifikuar. E sigurt është që në Siri tashmë lufta civile është më se e qartë. Bomba që shpërtheu gjatë mbledhjes së Shtabit të Përgjithshëm për Mbrojtjen shkaktoi menjëherë tre të vdekur: gjeneralin Davud Razhha, ministër i Mbrojtjes, gjeneralin Hasan Turkman, ish ministër i Mbrojtjes, ushtarakun e lartë Asef Shaukat, në të njëjtën kohë edhe burri i së vetmes motër të Asadit, por edhe kanali ndërmjetës i diplomacisë midis Asadit dhe SHBA-ve në këta muaj të gjatë. I katërti, Hisham Iktiar, shefi i Sigurimit të Përgjithshëm, ndërroi jetë në të gdhirë të datës 20, pas plagëve të rënda me eksplozion. El Asad, në mbrojtje të figurës personale, emëroi menjëherë ministrin e ri të Mbrojtjes përballë telekamerave të TV shtetëror, në kundërshtim me lajmet që deklaruan largimin e tij jashtë Sirisë pas bombardimit. Të dyja forcat opozitare, Ushtria Çlirimtare e Sirisë dhe Liua Al Islam, deklaruan të jenë autorët e bombës fatale në selinë më të mbrojtur të Damaskut. Një bombë fare e thjeshtë sipas versionit të dhënë prej tyre dhe pa ndihmën e asnjë force jashtë vendit. Por, thjeshtësia e bombës është e diskutueshme. E sigurt është që bomba ka kaluar të gjitha kontrollet e forta të sigurimit, qe efikase, e planifikuar shumë mirë dhe e pozicionuar në mënyrë perfekte. Ndërkohë, militarizimi i konfliktit është shtuar gjithnjë e më tepër. Nga njëra anë janë Kina, Rusia dhe Irani, secili për interesa të veçanta në mbrojtje të Asadit, dhe nga ana tjetër Perëndimi me Arabinë Saudite, vendet e Gjirit dhe Turqinë, në favor të forcave opozitare. Armë, ndihma ekonomike e ushtarake që depërtojnë nga të gjitha vendet e interesuara. Gjithashtu jepen të konfirmuara lajmet mbi hyrjen në vend të elementëve xhihadistë e al-kadeistë. Për herë të tretë brenda nëntë muajve Kina e Rusia, anëtare të përhershme të OKB-së, vunë veton mbi një rezolucion kundër Sirisë. Shtëpia e Bardhë kritikoi rëndë veton e tyre, por është më se e qartë që asnjë ndërhyrje nuk do të kryhet pa miratimin e një rezolucioni. Kofi Anan, i ngarkuari i KB dhe Lidhjes Arabe për gjetjen e një akordi të konfliktit, tregoi shenjat e para të pesimizmit dhe disfatës në arritjen e një rezultati që para një muaji në një intervistë të dhënë gazetës franceze “Le Monde” në ekskluzivitet. Dhe tashmë kjo është evidente. Por, për Kofi Ananin kjo nuk duhet të jetë surpriza e parë. Impotenca e OKB-së qe evidente gjatë periudhës së tij si sekretar i Përgjithshëm i OKB-së në Ruandë e Bosnjë. Ku ka mbetur atëherë sharra e diskutimeve dhe akordeve diplomatike? Pak më parë, ambasadori rus në Francë, Aleksandër Orlov, bëri një deklaratë tek Radio International France, ku thuhet që Asadi gjithnjë ka qenë dakord për daljen e tij nga skena, por në mënyrë graduale dhe me rregull. Domethënia është shumë e qartë: një nga rregullat kryesore të diplomacisë, pafytyrësia dhe mungesa e dinjitetit përballë armikut, përpara disfatës finale. Deklarata e Orlovit duket në të njëjtën linjë me komunikatën e Grupit të Lëvizjes Siriane në Gjenevë. Vetëm që Perëndimi gjithnjë ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Asadit, kurse rusët në mënyrë graduale duke e lënë përkohësisht gjatë periudhës tranzitore në fuqi si President. Dihet historikisht që pozicioni i Sirisë është tejet delikat për gjithë ekuilibrin e zonës: Irakun, Jordaninë, Libanin, Izraelin, Iranin. Mendohet që rreth 125 mijë sirianë janë larguar si refugjatë në këto vende. Ndryshimi i lidershipit nuk ka të bëjë me personin e El Asadit vetëm, por me ekuilibrin e një zone të tërë dhe të garancive për të cilat kanë nevojë të gjitha fuqitë e angazhuara në këtë konflikt. Informacionet e shërbimit të sigurimit të shumë shteteve flasin për ekzistencën e armëve kimike e biologjike në dorë të regjimit. Do të përdoren këto armë për betejën finale? Kush do të jenë ata që më pas do të kenë fuqinë në dorë për menaxhimin e tyre? E jo vetëm kaq, një pjesë e intelektualëve opozitarë të regjimit, refugjatë politikë në vende të ndryshme, janë të kujdesshëm në dhënien e deklaratave dhe të asaj çka mund të ndodhë me rënien e regjimit. Në një farë mënyre, jo vetëm ekuilibri rajonal, por edhe ai i minoriteteve brenda Sirisë, me sa duket nuk ka besim te opozita siriane. Qeveria irakiane ka deklaruar kontrollin e kufirit sirian me Irakun nga ana e Forcës Çlirimtare Siriane dhe ndëshkimin në mënyrë barbare nga ana e tyre të 22 ushtarëve të Ushtrisë së rregullt siriane fare pranë kufirit irakian. Po ashtu edhe kontrolli i kufirit me Turqinë është tashmë në dorën e forcave të opozicionit. Beteja në Damask vazhdon, qyteti është në flakë, por ende jemi larg betejës së Stalingradit. Momenti definitiv nuk ka ardhur. Shkaku: mungesa e gjetjes së një akordi diplomatik te pushtetit post-Asad, mungesa e besimit tek opozita siriane, e cila brenda gjirit të saj ka forca nga më të ndryshmet, nuk ka një lider të fortë e unanimitet dhe mungon projekti i një pushteti qeveritar për një vend kaq delikat në arenën e Lindjes së Mesme. Ndërkohë lajmet e fundit vënë në dukje që El Asad dhe familja e tij janë në Lataki, porti ku në Siri, Irani ka investuar vitin që shkoi miliona dollarë në ndërtimin e një baze iraniane ushtarake në Mesdhe. Nëse ky lajm është i vërtetë, do të thotë që Asadi tashmë ka besim për sigurinë personale vetëm tek Irani. Bomba e Damaskut u shkaktoi, sigurisht, një goditje të fortë kokave të regjimit dhe familjes së Asadit. Por ende nuk dihet kur dhe si do të arrijë vendimi final.











