Gërmimet arkeologjike në oborrin e shkollës “Gjergj Kastrioti” të Durrësit, e cila pritet t’i nënshtrohet rindërtimit të plotë, kanë nxjerrë në dritë fragmentet e një pishine me dysheme prej mozaiku, si dhe me faqe anësore të pikturuara me afreske.
Zbulimet e vazhdueshme në këtë territor i kanë bërë arkeologët mjaft të ndjeshëm për të ardhmen e të gjithë sipërfaqes ku tashmë është zbuluar një vilë rezidenciale, e shekullit të 1-2 të erës sonë.
“Durrësi i lashtë ka qenë një nga pikat e orientimit të Mesdheut, si për bregdetin Adriatik edhe për prapatokën ilire”, tha për BIRN prof. Luan Përzhita, i cili drejton gjatë kërkimeve aktuale një grup me rreth 20 specialistë, arkeologë, skicografë, ekspertë të mozaikëve e të tjerë.
Profesor Përzhita tha se në fillim të mijëvjeçarit të parë Durrësi ishte një pikë kontakti për perandorinë Romake. Qyteti jo më kot kishte prerjen e monedhave të veta, apo edhe bankat e veta.
Me zbulimet e reja specialistët arkeologë janë përqendruar në dy kuadratet e pishinës së sapo zbuluar dhe ku sipërfaqja e përgjithshme pritet të arrijë në 60 metra katrorë.
Përzhita është entuziast dhe nënvizon se elementet e mozaikëve janë një tregues i fuqisë ekonomike të qytetit, dhe nuk është habi që këto banesa të jenë shfrytëzuar edhe gjatë vizitave nga perandorë romakë.
Por prof. Luani është i kujdesshëm me parashikimet:
“Jemi në hapin e parë me pishinën e zbuluar sot. Ajo i ka të gjitha parametrat e një pishine të shtruar me mozaik, që ka ngjyrë pane të alternuar me pikëzime, të cilat krijojnë disa kufizime katrorësh në ngjyrë të errët apo edhe të bardha. Ky duket të jetë edhe një kolorit për periudhën e fillim-mijëvjeçarit”, tha ai.
Sipas arkeologëve, në faqet anësore të pishinës kemi një element të ri, si afresku, ndërsa thellësia e pishinës ende e pazbuluar plotësisht arrin në 60 cm.
“Mendoni një pishinë me mozaik dhe me afresk, çka dëshmon për cilësinë e rezidencës, pikërisht atje ku ngrihej godina e shkollës së mesme “Gjjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha Përzhita.
Në këtë territor para disa muajsh u zbulua edhe një banesë e shtruar me mozaik me motive floreale. Godina e zbuluar dhe pishina e fundit ndodhen vetëm disa qindra metra larg amfiteatrit, dhe duket se niveli i jetesës së Durrësit në atë kohë ishte mjaft i lartë.
“Amfiteatri ishte një nga burimet më të rëndësishme për ekonominë e Dyrrahut antik dhe zbulimet arkeologjike pranë tij janë një dëshmi e dukshme e jetës së lulëzuar të qytetit”, tha prof. Përzhita.
Njëlloj si pranë stadiumeve të sotme, edhe atëherë pranë amfiteatrit ngriheshin objekte me qëllim tregtimi, argëtimi apo bujtina. Nga të dhënat e deri tanishme mësohet se qyteti ka jetuar me një nivel të lartë mirëqenieje deri në shekullin e katërt.
Mozaiku i zbuluar gjatë punimeve në vendin ku ndodhej shkolla “Gjergj Kastrioti” në Durrës dhe me thellësi prej 5-6 metra, mund të jetë më i madhi deri tani në qytetin antik dhe konservimi i tij në të ardhmen mund ti shtojë një vlerë të rëndësishme objekteve arkeologjike të deritanishme.
Një sit i tillë mund të kthehet në një objekt të vizitueshëm arkeologjik pasi ndodhet shumë afër Muzeut Arkeologjik dhe bulevardit “Taulantia”.
“Megjithëse kanë kaluar vetëm 10 ditë nga fillimi i punimeve po kuptojmë se kemi të bëjmë me një pasuri të jashtëzakonshme”, tha për BIRN prof. Luan Përzhita.
Ekspedita në këtë sit do të vijojë për afro dy muaj të tjerë dhe arkeologët shpresojnë të kuptojnë prej saj se çfarë ndodh në nëntokën e sipërfaqes ku u ngrit në vitin 1968 shkolla e mesme e përgjithshme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Godina që u dëmtuar gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019 pritet të rindërtohet, pas monitorimin arkeologjik dhe përfundimeve të paraqitura nga grupi i drejtuar nga profesor Përzhita.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al