Besnik Mustafaj është një prej protagonistëve të demokracisë shqiptare, çka do të thotë një prej “baballarëve” të vendit. Dhe, në fakt, në vend që të mbledhë lavde, numëron me krenari të gjitha rastet kur është dorëhequr: nga ambasador në Francë, nga deputet, nga ministër i Punëve të Jashtme. Për të qenë i lirë, na thotë me një qetësi të habitshme. “Politika është brenda meje, por pushteti nuk më ka përkitur kurrë. Kjo më ka shpëtuar”, thotë. Ka zgjedhur librat, gazetat. Një nga romanet e tij të fundit, “Boshi”, ishte një sukses. Në një vend ku 77% e banorëve (sipas një sondazhi të fundit) mendon se politika është burimi kryesor i pasurisë, për shkak të kësaj zgjedhjeje të tij, Besnik Mustafaj është më popullor se në periudhën kur përfaqësonte Shqipërinë në Paris. Në dhjetor të vitit 1990, së bashku me Sali Berishën, ishte një ndër intelektualët e vetëm që iu bashkuan studentëve, që me kurajë manifestonin rrugëve të Tiranës. Më pas, me zgjedhjet e para të lira në 1991, Shqipëria mbylli një kapitull të së shkuarës. Ai vit mbeti në histori. Ngjarjet shkuan kështu:
Z. Mustafaj, duhej goxha guxim që të sfidonit regjimin…
Nuk mund të thosha jo dhe e bëra me entuziazëm. Kisha bëra disa deklarata të ashpra kritike tek “Zëri i Amerikës”. Studentët kishin dëgjuar dhe lexuar një artikull të Berishës tërësisht jokonformist. Na ftuan. Kishin nevojë për mbështetjen e intelektualëve. Po të ishim tërhequr, pa eksperiencën tonë nuk di si do kishte përfunduar..
Ramiz Alia, pasardhës i Enver Hoxhës, në fakt nuk reagoi në mënyrë të egër. Pse?
Ai e kuptoi që duhej të negocionte me ata. U përpoq edhe t’i manipulonte, por nuk ia arriti. U ndihmuam edhe nga kujtimi i freskët i fundit të Çausheskut në Rumani. Regjimi, d.m.th, pati prikë. Alia kishte frikë se mos përfundonte si diktatori rumun.
Nuk patët frikë t’i viheshit kundër një regjimi që ishte aq gjakatar?
Ishte adrenalina e frikës. Entuziazmi ishte i madh. Frika nuk na ndalonte, provokonte efektin e kundërt. Ishte pikërisht frika që na shtynte drejt rebelimit. Askush nuk e mendonte se gjërat do të zhvilloheshin në mënyrë paqësore.
Shqipëria ishte ende e izoluar. Regjimi kishte mundësi të reagonte në çfarëdolloj mënyre dhe askush nuk do të kishte marrë vesh gjë…
Në fakt, pas krizës së ambasadave (mijëra persona që gjetën strehë në përfaqësitë diplomatike), shumë përfaqësi të huaja ishin mbyllur. Ishte hapur ajo italiane. Të tjerët ishin larguar. Në këtë mënyrë, ne ishim pa dëshmitarë. Pata një ide: telefonova një gazetar sportiv të “Le Monde”, të cilit i kisha numrin. Ishte 11 dhjetor i vitit 1990. Ishte diçka e rrezikshme. Ai besoi ato që i thashë. Ai publikoi një shkrim që ndezi projektorët drejt Tiranës. Atëherë Ramiz Alia u dorëzua.
Dhe u shpallën të parat zgjedhje në vitin 1991…
Donin t’i bënin shkurt, pikërisht për të na vënë në vështirësi. Nuk ishim të përgatitur. Arritëm që t’i spostonim në fund të marsit. Nuk e dinim as se çfarë ishin zgjedhjet… Nuk kishim mjetet. Fituam nëpër qytete. Në Tiranë arritëm të fitonim 19 nga 20 vende në Parlament, por nëpër fshatra ishte katastrofë. Nëpër qytete njerëzit e kishin kuptuar që nuk kishim frikë.
Gjithsesi, në 1992-shin arritët të zhvillonit zgjedhje të reja dhe ishte një sukses për Partinë Demokratike. Ju nisët ngjitjen: deputet, ambasador, ministër…
Por erdhën edhe dorëheqjet. Politika më pëlqen, por pushteti nuk më tërheq. Kam refuzuar poste ministrash në vitin 1991 dhe 1992. Jam i vetmi politikan në Shqipëri që i ka thënë jo pushtetit.
Shqipëria e “re” ka 20 vjet. Ju pëlqen?
Nuk është Shqipëria e djeshme, por nuk është as Shqipëria e ëndrrave të mia. Demokracia është ende “defektoze”. Ekonomia nuk shkoi siç do të kisha dashur. Janë në një shkallë të rëndë korrupsioni dhe keqfunksionimi i institucioneve. Pastaj ka edhe edhe një protagonizëm të ekzagjeruar të politikanëve. Në Shqipëri politikanët besojnë se janë mbi ligjin. Një logjikë e së shkuarës. Në këtë kuptim, komunizmi nuk ka mbaruar kurrë. Mbetet si model pushteti. Kjo edhe për figurën e liderit, i cili ka të drejta pa limit. Politika shqiptare nuk është vënë asnjëherë në dyshim, çka dua të them që nuk i ka bërë pyetje vetes. Të mos dyshosh kurrë për veten është mënyra më e mirë për të gabuar.
Marrë nga gazeta e Vatikanit, “Avvenire”











