Besnik Kapllanaj, dhunë për të fshehur të vërtetën

Aug 23, 2011 | 12:04

Besnik Kapllanaj vazhdon të tregojë se nuk meriton të jetë në krye të një klubi tepër të nderuar si Bylisi, i përbërë nga një tifozëri me të vërtetë admiruese. Pas shkrimeve për të pasqyruar gjendjen e vërtetë të skuadrës, presidenti është munduar me të gjitha mënyrat që të fshehë realitetin dhe të ndalojë informimin korrekt të sportdashësve mallakastriotë. Në fillim, ai e nisi me kërcënime ndaj drejtuesve të gazetës, në mënyrë që të mos shkruhej asgjë për ekipin e tij, por sigurisht që kjo taktikë nuk funksionoi. Në “Panorama Sport”, asnjëherë dhe askush nuk ka arritur të pengojë në shkrimin dhe pasqyrimin e realitetit, sidoqoftë ai. Gjithsesi, Kapllanaj është munduar me një taktikë tjetër për të penguar që tifozët e Bylisit të informohen për ekipin e tyre të zemrës. Njerëz të dërguar prej tij kanë marrë me forcë të gjitha gazetat që kanë qenë në Ballsh, duke kërcënuar gazetashitësit që të mos pranojnë më për ta shitur këtë të përditshme dhe se ata nuk do lejojnë që ajo të shitet në “zonën e tyre”. Një veprim dëshpërues, por që sigurisht nuk funksionon përballë të përditshmes më të shitur në treg. “Panorama Sport” garanton të gjithë lexuesit e saj të nderuar, sidomos ata në qytetin e Ballshit, se askush dhe për asnjë arsye, nuk do e pengojë që të pasqyrojë realitetin. Misioni ynë për të informuar mbi çdo gjë që ndodh në sportin shqiptar, do vazhdojë të jetë me një ritëm të lartë dhe presionet apo kërcënimet e individëve si Besnik Kapllanaj kurrë nuk do arrijnë të fshehin të vërtetën apo të pengojnë tifozët e nderuar të Bylisit për të mësuar rreth ekipit të zemrës.

© Panorama.al

Te lidhura