Një histori e dhimbshme, e cila ka ndodhur para 4 viteve, këto ditë po aktualizohet. Bëhet fjalë për një aktakuzë, e cila po shqyrtohet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndërsa një prej protagonistëve kryesorë në këtë ngjarje është dhe vokalisti i grupit NRG Band, Besnik Çaka. Besniku është i akuzuar se në fund të tetorit të vitit 2008 në Prishtinë, përkatësisht në motelin “Rama Petroll”, rrugës për qytetin e Lipjanit, ka keqpërdorur seksualisht një të mitur nën moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, bën të ditur gazeta “Jeta” në Kosovë. Sipas aktakuzës të cilën e kanë gazetarët e gazetës në fjalë, Çaka me dashje ka kryer veprën penale të keqpërdorimit seksual të personave nën moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, vepër e dënueshme nga 1 deri në 10 vjet burgim. Bazuar në emrin e saj, e mitura duhet të jetë shqiptare. Besnik Çaka është dashur të paraqitet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më datë 30 prill 2012, pasi kishte një urdhëresë nga Policia. Por, sipas organeve të drejtësisë, Policia nuk kishte mundur ta sillte e, për pasojë, seanca ishte shtyrë. Ai pritet që të dalë para gjykatësit për konfirmimin e aktakuzës më 30 maj 2012. Nëse konfirmohet aktakuza, atëherë Besnik Çaka dhe shtatë të akuzuarit e tjerë do të paraqiten para trupit gjykues për gjykim. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori Haxhi Dërguti dhe personat e akuzuar nuk dyshohen për bashkëkryerje të veprave me të cilat ngarkohen, por bëhet fjalë për të njëjtën të mitur që dyshohet se ka qenë viktimë mes viteve 2007 dhe 2008. Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, ka konfrmuar të hënën për personin në fjalë se Policia e Kosovës ka pranuar një fletë-arrest nga gjykata. “Konform këtij fletë-arresti, personi në fjalë më datë 30 maj duhet të paraqitet në Gjykatë”, ka thënë Ahmeti. Sipas saj, fletë-arresti në fjalë është lëshuar me akuzën se personi ka kryer vepër penale konform nenit 198 të Kodit Penal. Ky nen bën fjalë për veprën penale të keqpërdorimt seksual të personave nën moshën 16 vjeç. Nëse konfirmohet në gjyq e vërteta, atëherë këngëtari i njohur rrezikon dënimin prej 10 vitesh burg, si dhe prishje imazhi të cilin e ka ndërtuar ndër vite në skenën muzikore. Gazeta në fjalë kishte shkruar se nuk ka mundur të kontaktojë me Besnikun dhe asnjë familjar të tij, por ne arritëm të realizojmë një bisedë të shkurtër mbi ngjarjen që po trondit skenën shqiptare, ku këngëtari i njohur i hedh poshtë pretendimet e akuzës.
Besnik Çaka: Këta të njollosin pa kurrfarë ndërgjegjeje
E derisa lajmi për skandalin seksual po përhapet me të madhe, ne u munduam të kontaktojmë me këngëtarin, i cili ishte në diasporë me angazhime muzikore dhe tregon se fjalët për këtë akuzë janë vetëm thashetheme dhe nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk dihet nëse pas kthimit të tij në Kosovë do të paraqesë ndonjë padi kundër gazetës apo lajmi do të rezultojë i vërtetë.
Po shkruhet se akuzohesh nga Prokuroria për kryerje të marrëdhënieve seksuale me të mitur nën 16 vjeç, cili është versioni i së vërtetës sipas jush?
Me të vërtetë nuk kam kohë të merrem me thashetheme e, si duket, pseudogazetarët pa kurrfarë etike të gazetarisë bëjnë kopje pas thashethemeve duke injoruar principin themelor të profesionit, hulumtimin para publikimit të gënjeshtrave.
Sipas jush nuk është aspak e vërtetë ajo çfarë shkruhet?
Eh, “JETA” (NË KOSOVË) për fat të keq e tillë është, të njollosin pa kurrfarë ndërgjegjeje.











