Besimtarët protestojnë për pronat, xhuma buzë liqenit

Jul 23, 2011 | 15:17

Besimtarët zhvilluan dje faljen e xhumasë buzë liqenit në Zogaj, para një ndërtese për pronësinë e së cilës komuniteti mysliman është në konflikt.

Anullimi i vendimit për prishjen e këtij objekti ka detyruar besimtarët që në shenjë proteste të kryejnë faljen para kësaj godine. I  pranishëm ishte edhe Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, i cili akuzoi institucionet se po zvarrisin qëllimisht shembjen e këtij objekti, e destinuar për hotel. “Që nga muaji shkurt e deri tani në fund të korrikut, ne po përballemi me premtime të pambajtura, anashkalime e devijime të veprimeve konkrete për të humbur kohë, me qëllim që personi i cili ka zaptuar këtë truall të ndërtojë atë që shohim sot”, u shpreh imami para besimtarëve të pranishëm në falje. Ai shtoi se nuk po ekzekutohen vendimet e qeverisë Shqiptare në lidhje me çështjen e pronave të komuniteteve fetare. Mesditën e djeshme besimtarët organizuan faljen e  xhumasë karshi pronës së kontestuar, për të cilën Myftinia
e Shkodrës pretendon se është pronë e komunitetit mysliman. Imam Sytari hodhi akuza për pronarin e ndërtimit, i cili, sipas tij, nën strehën e flamurit të
partisë po bën padrejtësi ndaj pronave të shenjta të myslimanëve. Gjithashtu,
Sytari shprehu pakënaqësinë e tij për besimtarët myslimanë të Shkodrës, të cilët kanë poste drejtuese në institucionet vendore dhe qendrore. Sipas tij, ata nuk po ndihmojnë sa duhet për mbrojtjen dhe kthimin e pronave të tyre të ligjshme. Pak ditë më parë, Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë Shkodër ndërmori një operacion për prishjen e ndërtimit trekatësh në bregun
e liqenit në lagjen “Zogaj”. Por, teksa mjetet e rënda në ndihmë të të cilëve
kishin ardhur edhe mjete nga Tirana ishin gati për të filluar nga prishja, i zoti i
ndërtimit, S.B., u ka vënë përpara një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë
të Rrethit Shkodër, i cili bënte fjalë për pezullimin e prishjes së objektit, pasi
çështja e pronësisë mbi truallin ku po ndërtonte ishte objekt i gjykimit të kësaj Gjykate. Të ndodhur para një vendimi të tillë, Inspektorati u tërhoq në respektim të vendimit të gjykatës. Tërheqja e ndërtimoreve shërbeu si “protestë” e Myftinisë, e cila dje vendosi të falte xhumanë në sheshin
përpara kësaj ndërtese. Myftiu i Shkodrës u shpreh para besimtarëve se nuk do të heqë dorë derisa të dalë e drejta e tyre.

Gjykata

Për t’i dhënë zgjidhje konfliktit të pronësisë mes komunitetit mysliman
dhe pronarit të një ndërtese trekatëshe buzë liqenit, i cili pretendon gjithashtu pronësinë e truallit, ka nisur një proces gjyqësor. Vendimi
më i fundit i gjykatës ishte që Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Shkodrës të ndërpresë veprimet për prishjen e këtij objekti trekatësh deri në përfundimin e plotë të procesit gjyqësor mbi pronësinë e truallit.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura